Dori Hoxha
Në një intervistë për gazetën “Standard”, mjeku endokrinolog-diabetolog Dashamir Gjergji sqaron shkaqet e shfaqjes së diabetit tek personat e prekur nga kjo sëmundje. Sipas doktor Gjergjit, ka dy tipa diabeti, ai që ndodh kryesisht tek fëmijët dhe tek të rinjtë, pasi nuk prodhohet insulinë nga trupi, prandaj këta pacientë mjekohen me injeksione insuline për gjithë jetën; si dhe diabeti që ndodh tek moshat mbi 35 vjeç, tek tipat e shëndoshë (obezë). Mjeku diabetolog gjatë intervistës rekomandon për të sëmurët disa këshilla për mënyrën se si duhet të ushqehen dhe të zhvillojnë aktivitete fizike për personat e prekur nga diabeti.
Çfarë është diabeti?
Diabeti: Është një sëmundje kronike që në bazë të çrregullimit ka rritjen e vlerave të sheqerit në gjak. Kjo sëmundje mund të shfaqet për shume shkaqe, si gjenetike, ambientale, mënyrën e të ushqyerit etj. Niveli i sheqerit në gjak tek njerëzit normalë mbahet nën kontroll nga shumë hormone dhe mediatore biokimike ku rolin kryesor e ka hormoni Insulinë. Ky hormon prodhohet nga pankreasi dhe bën të mundur futjen e sheqerit në qeliza. Në diabet ky lloj hormoni ose mungon ose nuk është në gjendje të veproje si duhet.
Ka dy tipa kryesorë të diabetit:
Diabeti tip 1: Që ndodh kryesisht tek fëmijët dhe tek të rinjtë. Në këtë tip nuk prodhohet insulinë nga trupi, prandaj këta pacientë mjekohen me injeksione insuline për gjithë jetën. Diabeti tip 2: Ky tip i diabetit ndodh tek moshat mbi 35 vjeç, tek tipat e shëndoshë (obezë) që kanë të afërmit me diabet. Tek ky lloj diabeti, insulina prodhohet normalisht ose është me shumë se duhet por nuk vepron, kjo gjendje quhet rezistence ndaj insulinës. Pavarësisht nga lloji i tipit të diabetit qëllimi i mjekimit është i përbashkët, mbajtjen e vlerave normale të sheqerit në gjak. Mjekimi i diabetit mbështetet në shume kolona baze ku nga më të rëndësishmit i konsiderojmë mjekimin dietetikë të këta të sëmure. Diabeti është zakonisht pasoje e kequshqyerjes, ndaj për efekt të kundërt fizik,kalimi i këtyre të sëmurëve në ushqyerje (regjim dietik) normal është çelësi i suksesit në menaxhimin e kësaj sëmundje shkatërruese.
Cilat janë disa rekomandime që këshilloni për dietën diabetike?
Dieta te diabetikët duhet të përfshijë disa rregulla bazë, si:
Ngrënia e rregullt: Tek diabetikët sugjerohet ngrënia në sasi të përcaktuara fikse ose të përafërta çdo ditë. Ka shume rendësi edhe orari i të ushqyerit sidomos tek personat që mjekohen me insuline, ky orar mundësisht duhet të jetë i pandryshueshëm. Në përgjithësi rekomandohet ngrënia e shpeshtë e vakteve (3 vakte normale dhe 2 zemra), me sasi kalorike më të ulura në raport me njerëzit që nuk kanë diabet. Të jesh me diabet nuk do të thotë se duhet të privohesh nga ushqimet, madje diabetiku mund të konsumoje në porcione të vogla edhe ëmbëlsira edhe mjaltë apo pije me sheqer, por me kushtin e vetëm që këto duhet të jenë të limituara dhe mos të kalojnë kalorazhin ditor të përcaktuar nga mjeku. Në literature shumë eksperte i referohen konceptit të Glycemicindex (GI) i cili na ndihmon që të përcaktojmë se cilat ushqime na bëjnë mire ose keq për diabetin. Ky raport tregon se sa % sheqer kanë ushqimet për të njëjtën njësi peshe, dhe këto ndahen në 3 klasa.
- 1. Ushqime me GI të ulur: Siç mund të jetë buka, frutat, perimet, kosi etj. 2. Ushqime me GI të mesme: Siç është mjalti, patatet, pastat. 3. Ushqime me GI te lartë: Siç janë ëmbëlsirat ku futen tortat, biskotat, produktet me sheqer industrial,etj. Dietat te diabetiket e tipit 2, duhet te përmbajnë 50-60% karbohidrate, 10-20% proteina dhe 10-20% yndyra.
Çfarë u këshilloni personave të prekur nga diabeti sa i takon mënyrës së ushqyerjes?
Këshilla praktike për diabetin tip 2:
– Hani rregullisht (të paktën 3 vakte në ditë) sidomos mëngjesin. – Përdorni karbohidrate me GI të ulët (siç janë drithërat, perimet etj). – Përdorni për të paktën 5 porcione me fruta dhe produkte vegjetarianë në ditë. – Konsumoni vaj peshku ose produkte deti të paktën 2 here në javë. – Hani më pak ushqime ose aspak ushqime të ëmbla me sheqer. – Duhet të reduktoni në maksimum ushqimet me yndyra sidomos ato me yndyra shtazore. – Reduktoni sasinë e kripës në ushqime.
-Përdorni ushqime të pasura me fibra.
Pesha: Shtimi i peshës, në veçanti në zonën e barkut, e vështirëson mbajtjen nën kontroll të diabetit. Rënia në peshë është e vështirë, por rënia qoftë edhe e vogël 5-10% e peshës trupore sjell përfitime të mëdha në normalizimin e diabetit. Rekomandohet ulja e ngadaltë në peshë 0.5-1kg në javë.
Frutat dhe perimet: Sa më shumë fruta dhe perime do të hani, aq më shumë do të ulet rreziku për shfaqjen e sëmundjeve të zemrës dhe ato kanceroze. Njerëzit me diabet mund të hanë çdo lloj tip frutash por jo në sasi të mëdha, p.sh duhet të marrë një porcion të një madhësie mesatare p.sh.: një mollë, një banane, një portokall. Mund te marrin edhe 2 fruta të vogla kumbulla ose kajsi, mund të marrin një dore rrush ose feta të ndara të një fruti (p.sh. të një pjepri). Mund të marrin një gjysmë luge gjellë me fruta të thata. Mund të marrin një gote të vogël me lëng frutash 150 ml. Mund të marrin 1-3 luge gjellë me perime të ziera ose sallate të përzier.
Vaji i peshkut: Përmban omega 3, i cili ka shumë efekte pozitive mbi organizmin tonë sidomos në mbrojtjen e zemrës, dhe rekomandohet që njerëzit me diabet të marrin 2-3 porcione në javë. Këto merren duke ngrëne sardele, ton ose trate. Nuk rekomandohen suplementet me vaj peshku, sepse janë më të mira të konsumohen të freskëta. Sheqeri duhet të reduktohet në maksimum por nuk është e thëne që duhet të eliminohet fare, këshillohet të merret sheqeri i frutave në formën e fruktozës. Ekzistojnë edhe forma të tjera sheqeri si p.sh. pluhuri i bimës Stevia që mund përdoret të diabetikët, për ëmbëlsimin e kafesë, çajit,dhe për ëmbëlsira si kek, kremkaramel etj. Format artificiale me zero sheqer janë të këshillueshme tek diabetikët që duan të bien në peshë.
Yndyrat: Janë lehtësisht më të pasura me kalori prandaj sa më pak të konsumojnë diabetikët prej kësaj kategorie aq më shumë do ti ndihmojë në rënien në peshë. Yndyrat ndahen në të ngopura (saturuara) dhe të pa ngopura (pa saturuara). Yndyrat e saturuara janë të dëmshme për diabetikët, këtu përfshihen yndyrat që vijnë nga pastat, gjalpi, mishi me yndyrë, djathi i deles etj. nga këto ushqime duhen konsumuar më shumë se 10% e gjithë totalit të yndyrave që nevojiten. Këto çojnë në dëmtimin e zemrës, prandaj këto duhen të zëvendësohen me yndyra të pa saturuara siç janë vaji i pastër vegjetal, vaji i ullirit, vajrat bimore në përgjithësi.
Kripa: Është e rekomandueshme që çdo diabetik të mos marrë më shumë se 6 gr kripë në ditë. Mënyra më e mirë për të ulur kripën është të përdori sa me shumë prodhime të freskëta të prodhuara në kushte shtëpie. Nuk duhet harruar se më shumë se gjysmën e nevojave ditore të kripës i marrim me ushqime të konservuara. Reduktimi i kripës tek diabetikët çon në ulje të vlerave të tensionit, reduktim të sëmundjeve të veshkave, sëmundjeve të zemrës, trombozës cerebrale dhe disa tipa të sëmundjeve malinje.
Alkooli: Nuk mundet të jemi kategorike që diabetikët duhet të konsumojnë alkool, por në doza të limituara mundet që t’u lejohet p.sh. një gote verë e kuqe 125 ml e cila përmban një përbërje fenoli që mbron zemrën, ose një gotë birrë 133 ml, ose një teke raki në 24 orë. Nuk duhet harrojmë që krahas dëmtimeve me marrjen e alkoolit merren edhe shumë kalori.
Aktiviteti fizik: Të paktën 5 ditë në javë të gjithë të sëmuret me diabet që munden, duhet të lëvizin jo më pak se 30 min. Preferohen ecjet e lehta dhe të moderuara përfshi këtu disa lloje sportesh aerobike si noti, vrapimi, basketbolli, ecjet sportive, të moderuara nënkupton që diabetiku duhet të ndihet mirë, të marre frymë thelle dhe të mos ndihet i sforcuar.