Standard.al

Raporti i UNICEF-it  / Fëmijët viktima të dhunës shumë rrallë kanë akses në sistemin e drejtësisë  

0

 

Ja disa gjetje mbi situatën në të cilën ndodhen fëmijët në vendin tonë

 

Si të mësojmë fëmijët për të kursyer

Organizata Ndërkombëtare për Zhvillimin e Ligjit (IDLO), në partneritet me UNICEF-in, kreu një studim në Shqipëri, Gjeorgji, Kirgistan dhe Mal të Zi, mbi faktorët që mbështesin apo pengojnë aksesin e barabartë të fëmijëve në sistemin e drejtësisë. Rezultatet e këtij kërkimi paraqesin një vështrim më të thellë në realitetin e këtyre vendeve, shqetësimeve dhe qasjeve, si edhe ndihmojnë në identifikimin e rekomandimeve efektive dhe të përshtatshme kulturore dhe të qëndrueshme, për politikat dhe programet në rajon. Raporti “Mundësi të Barabarta për Fëmijët në Sistemin e Drejtësisë” hedh dritë mbi barrierat e shumta që fëmijët hasin në kërkim të zgjidhjeve të drejta dhe efektive përkundrejt padrejtësive dhe diskriminimit që ekziston në jetën e tyre. Drejtësi për fëmijët, do të thotë t’ia ofrosh këtë mundësi dhe të mbrohen nga sistemi i drejtësisë. Aksesi në drejtësi është një e drejtë në vetvete dhe një mënyrë për të çuar në vend drejtësinë, e cila është mohuar apo dhunuar, si edhe çon në zbatimin efektiv të të drejtave të tjera të njeriut, ndër të cilat mund të përmenden ato që përfshihen në Konventën e OKB-së mbi të Drejtat e Fëmijës. Zakonet dhe besimet e rrënjosura kulturore dhe sociale, e kanë bërë të pamundur që fëmijët në rajon, përfshi Shqipërinë, të kenë besim tek një i rritur jashtë familjes së tyre për sa i përket dhunimit të të drejtave të tyre në familje, në shkollë, apo komunitet dhe aq më pak që të paraqesin një ankesë në sistemin e drejtësisë, duke pasur frikë për ndonjë pasojë ndaj tyre apo edhe familjes, vë në dukje raporti.

Disa nga gjetjet e raportit

Pjesa më e madhe e fëmijëve të intervistuar thonë se nuk e kanë idenë e ndonjë shërbimi specifik apo burimi informacioni për të kërkuar ndihmë nëse do të kenë nevojë apo do të jenë në vështirësi. Rreth 95 për qind e fëmijëve dhe familjeve Shqiptare thonë se janë të vetëdijshëm mbi të drejtat njerëzore të fëmijëve. Por fëmijët, kanë më pak njohuri mbi atë se si të kërkojnë të drejtat e tyre. Pjesa më e madhe e fëmijëve në Shqipëri dëgjojnë për drejtësinë nëpërmjet mediave. Rreth 31 për qind e profesionistëve në fushën e drejtësisë thonë se mosbesimi ndaj institucioneve është një pengesë për të gjithë fëmijët dhe 52 për qind thonë të njëjtën gjë për fëmijët vulnerabël. Rreth 100 për qind e profesionistëve në fushën e drejtësisë thonë se ka dispozita të veçanta për fëmijët në situata vulnerabël. Rreth 65 për qind e tyre thonë se fëmijët, nuk kanë një informacion të përshtatur ne lidhje me çfarë duhet të presin fëmijët dhe të rinjtë nga sistemi i drejtësisë. Ka një nivel të mirë të shqyrtimit të rasteve që përfshijnë fëmijët në gjykata. Të gjithë profesionistët në fushën e drejtësisë në Shqipëri, thonë se nuk ka salla për intervista apo mjedise gjyqësore të përshtatshme, për rastet kur fëmijët janë të përfshirë. Rreth 67 për qind thonë se ka asistencë për dëshmitë në procedimet gjyqësore. Rreth 50 për qind thonë se ka mekanizma sigurie për të parandaluar kontaktin e fëmijëve me të akuzuarin/t. Ndërkohë, raporti citon edhe një progres të dukshëm në administratën e sistemit të drejtësisë dhe përpjekje duhet të bëhen për fuqizimin e mekanizmave të llogaridhënies së administratës; fuqizimin e rolit të Institucioneve Kombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe shoqërisë civile; ndërmarrjen e iniciativave për fuqizimin ligjor të fëmijëve, përfshirjen e familjes, dhe promovimin e ndryshimit të normave sociale.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.