Vëzhguesit /   OSBE, keqardhje për zgjedhjet parlamentare në Turqi  

0
116

 

Presidenti Erdogan: Votuesit turq u shprehën pro unitetit dhe integritetit të Turqisë

Recep-Tayyip-Erdogan-005

Vëzhguesit e Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë (OSBE) kanë shprehur keqardhje rreth klimës së shënuar nga aktet e dhunës gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve parlamentare në Turqi dhe fajësuan qeverinë për presionet e ushtruara ndaj shtypit të pavarur. “Fushata është njollosur nga dhuna”, – vlerësoi OSBE-ja në një raport të përbashkët me Këshillin e Evropës dhe Parlamentin Evropian, duke nënvizuar edhe faktin e ndërhyrjeve në autonominë editoriale të medias nga ana e regjimit islamiko-konservator të Presidentit Recep Tayip Erdogan. Nga ana tjetër, Presidenti Recep Tayyip Erdogan vlerësoi se votuesit turq u shprehën pro unitetit dhe integritetit të Turqisë, që i dhanë mazhorancën absolute partisë islamiko-konservatore. “Populli ynë shprehu qartë gjatë votimeve të 1 nëntorit se pëlqen shërbimet dhe projektet në vend të polemikave, – theksoi Erdogani në një komunikatë, në reagimin e tij të parë pas rezultatit të zgjedhjeve. – Votuesit treguan një vullnet të fortë për unitetin dhe integritetin e Turqisë”. AKP i ka fituar qartë zgjedhjet parlamentare në Turqi dhe e ka festuar pjesërisht në mënyrë të turpshme fitoren ndaj kundërshtarit politik. Menjëherë pas numërimit të votave në Stamboll është vërejtur se niveli i kulturës politike në Turqi paraqet një problem. Simpatizantët e AKP-së kanë festuar me kolona automjetesh pranë një televizioni opozitar me flamuj të partisë, duke brohoritur dhe me një frymë triumfaliste. Ata kanë bllokuar trafikun dhe i kanë shtyrë nga rruga kalimtarët. Sipas tyre, shkëlqimi i fitores u jep të drejtë të tallen me kundërshtarët. Më pas filluan edhe me brohoritje fyese: “Të bijtë e kurvës, ikni nga vendi”. Dhe atë shumë shpesh. Ka munguar shumë pak për të sulmuar edhe godinën. Ka qenë e turpshme, keq dhe kurrsesi nuk mund të trajtohet si një incident i rastit. Disa simpatizantë të AKP-së e ndienin veten sikur të kishin fituar ndaj një armiku. Këta njerëz nuk do ta kuptojnë kurrë se në një demokraci, në një shoqëri pluraliste, humbësi nuk guxon të trajtohet në këtë mënyrë, pa asnjë respekt, dhe t’i futet në palcë madje edhe frika për jetën. Për hir të së vërtetës duhet thënë se tendenca të tilla ka pasur në Turqi edhe para erës së Erdoganit dhe AKP-së. E vërtetë është po ashtu që partitë opozitare varen shumë nga udhëheqësit e tyre dhe kanë mendime të polarizuara. Por AKP dhe Presidenti Erdogan e kanë ngritur në maja këtë sistem të të menduarit. Ata e kanë përçarë kaq shumë shoqërinë, sa që kundërshtarët politikë e urrejnë njëri-tjetrin. Ndonjëherë do të duhej thënë këtyre njerëzve, të cilët janë kaq miqësorë ndaj të huajve: A e keni të qartë në fakt se sa pa respekt silleni mes vete? Sa larg shkon kjo lojë e kundërshtimeve mes vete tregon edhe fakti që as një minutë heshtjeje për viktimat e terrorizmit nuk është respektuar nga të gjithë dhe shumë njerëz kanë fishkëllyer në stadiumin ku luante kombëtarja. Kundër njerëzve të vdekur! Një grua shkruante në Twitter madje se nuk duhet të pikëllohej për vrasjen e një fëmije refugjati. “Ajo ishte një bebe kurde!” Por pikërisht në lartësinë e fitores së turqve ekziston edhe pak shpresë për përmirësimin e gjendjes. Në një vend ku kaq shumë njerëz respektojnë vlerat patriarkale dhe kanë shkuar në drejtim të urrejtjes, mund të marrin edhe drejtimin e konsensusit. Me gjithë zhvillimet e mëdha tragjike, mbetet shpresa pas këtyre zgjedhjeve se Presidenti Erdogan, pas kësaj fitoreje, mund të sjellë qetësi në vend dhe se do të ndalet linja e përçarjes së vendit. Për shkaqe egoiste ai duhet të angazhohet për dialog me kundërshtarët politikë – për të mirën e popullit. Nxitësit e konflikteve duhet të kenë të qartë vetëm një gjë: ata që mbjellin urrejtje, urrejtje edhe do të korrin!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here