Reagimi për Kryeministrin / Basha: Rama kopjoi keq propozimin e PD-së për pullën fiskale, “qeveria e dajakut” pa alternativë

0
104

 

“Mandati i qeverisë ka hyrë në fazën e degjenerimit në darën e skandaleve, gafave, injorancës dhe arrogancës,Rama po përpiqet të marrë pak frymë duke kopjuar si një nxënës i keq opozitën”

 

basha per deklaratata e rames per informalitetinGëzim Saliu

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, reagoi dje ndaj deklaratave të Kryeministrit me biznesin e vogël lidhur me certifikatën që do t’u jepet sipërmarrjeve për të shmangur kontrollin e shpeshtë tatimor. Përmes një konference nga selia blu, kryedemokrati tha se qeveria ka kopjuar propozimin e demokratëve për pullën fiskale, i bërë publik prej thuajse një muaji. “Kryeministri ka pranuar dështimin e tij, rrëzimin e tij, mungesën e vizionit, vullnetit, padrejtësinë dhe arbitraritetin e tij, ka pranuar se ai është problemi dhe ka pranuar se propozimet e bëra nga ne, nga Partia Demokratike, nga unë, janë zgjidhja dhe rruga e daljes nga kjo krizë. Pulla fiskale është vetëm një element i paketës që do të çlirojë, frymëzojë dhe lancojë sipërmarrjen e lirë në Shqipëri. Bandat e tatimoreve nuk do të shkojnë më sa herë t’i teket të dhunojnë sipërmarrësit në dinjitetin e tyre, siç po bën prej muajsh Qeveria do të vendosë në derë certifikatën e detyrimit të shlyer dhe pas kësaj mund të punojnë të qetë. Ky është thelbësisht propozimi që unë dhe Partia Demokratike kemi bërë prej më shumë se një muaji. Si çdo kopjim i keq dhe mekanik, edhe ky që Kryeministri i rrëzuar i ka bërë paketës sonë është i bastarduar, i pjesshëm, demagogjik, inefiçent”, – u shpreh Basha.

 

Deklarata

Krahas akuzave ndaj qeverisë për politikat e ndjekura deri më tani, kreu i demokratëve bëri të ditur edhe disa detaje nga paketa e opozitës e cila sipas tij parashikon taksën e sheshtë më të ulët në Ballkan prej 9%. “Rritjen e nivelit për biznesin e vogël deri në 120 milionë lekë dhe taksë 10-60 mijë lekë të reja në vit taksë në varësi të xhiros të evidentuar me pullë fiskale, që është edhe tabela ndalim-kalimi për tatimorët, ulje të çmimit të energjisë, ulje të çmimit të naftës dhe faljen e kamatëvonesave për të gjithë shqiptarët”. Ndërkohë sipas Bashës qeveria aktuale është zhytur në korrupsion dhe skandale, gjë e cila ka detyruar Kryeministrin të marrë pjesë “hua” nga programi i PD-së. “Me dajakun në një dorë dhe duke grabitur pasuritë publike me dorën tjetër, kjo qeveri nuk mund të prodhojnë kurrë as paqe, as zhvillim, por vetëm rrokullisje dhe përkeqësim. Tani që mandati i saj ka hyrë në fazën e kompromentimit dhe degjenerimit të përshpejtuar, i shtrënguar në darën e skandaleve, gafave, injorancës dhe arrogancës të tij, Edi Rama po përpiqet të marrë pak frymë duke kopjuar si një nxënës i keq opozitën. Por nuk kalohet klasa me kopje. Megjithëse në thelb kopjimi është dhe mbetet forma më e lartë e vlerësimit”, – pohoi ai. Më tej Basha tha se e rëndësishme në këtë çështje është fakti që sipërmarrësit dhe qytetarët e mirinformuar kanë mësuar e kuptuar se rruga e zgjidhjes është rruga që propozon Partia Demokratike. “Ne do të shtyjmë dhe do të ngulmojmë me forcë, në bashkëpunim me sipërmarrjen e vogël, për çlirimin e saj nga trysnia poshtëruese e  arrogancës, dajakut dhe kusarisë qeveritare të Edi Ramës”, – theksoi kreu i PD-së Lulzim Basha.

 

Box

Basha: Hiqni duart nga studentët, protestuan kundër ligjit klientelist dhe korruptiv

 

I pyetur nga gazetarët në konferencën për shtyp lidhur me arrestimin e studentëve pasi goditën me vezë Kryeministrin Rama, Basha tha se ata protestuan kundër ligjit klientelist dhe korruptim të qeverisë për arsimin e lartë. “Partia Demokratike dhe unë kemi qenë jemi dhe do të jemi deri në fund në krah të studentëve, pedagogëve dhe prindërve kundër ligjit klientelist, korruptiv dhe primitiv për arsimin e lartë në Shqipëri. Së dyti, dua të them që këta studentë nuk kanë asnjë lidhje politike me Partinë Demokratike. Ndërkohë që në këto momente që po flasim, pashë ashtu si para 25 vitesh, Ramiz Alia i akuzoi studentët si vegla të kosovarëve, edhe tani, Edi Rama dhe mediat e tij servile po i akuzojnë se, kjo është një lëvizje e frymëzuar nga parti politike në Kosovë. E vërteta sipas informacioneve që ka opozita është krejt tjetër. Kjo është një lëvizje kundër ligjit të klientelist e korruptiv për arsimin e lartë”, – u shpreh Basha. Më tej ai i bëri thirrje autoriteteve të rendit dhe të policisë që të hapin sytë për çdo abuzim me integritetin e tyre fizik apo psikologjik. “Hiqni duart nga studentët, bëni takimin sipas ligjit, respektojini të drejtat e tyre ligjore, kushtetuese, të drejtat e njeriut. Partia Demokratike qëndron pa ekuivok në mbështetje të studentëve, në kauzën e tyre të drejtë kundër ligjit klientelist dhe korruptiv për arsimin e lartë”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here