Lef Nosi dhe urrejtja komuniste e armiqve të klasës!  

0
245

 

Nga Sadik Bejko

Sadik Bejko

Jo romani, por intervista e Ben Blushit, me atë thënien që ta tërheqin zvarrë shtatoren e Lef Nosit si kolaboracionist, ka ngjallur debat. Duket sikur urrejtja kalon në brezin e tretë. Urrejtja komuniste për armiqtë e klasës, sipas tyre. Në romanin e harruar “Çlirimtarët” të gjyshit Dh. Shuteriqi, me cinizëm e mjete të satirës, jepet portreti i Lef Nosit. Ky dijetar e koleksionist, sipas romanit tashmë të harruar “Çlirimtarët”, e merr poshtë derës traktin partizan dhe e bën copë pasi e lexon. Por kujtohet se si koleksionist, atë duhet ta ruajë dhe i merr copat, i ngjit dhe i vë në arkivin e tij.

Te Eskili ka një transport të fajeve të fatit të pagesës së fajit në brezin e tretë. Kjo profeci eskiliane (enveriane) e ndëshkimit te armiqve në breza me Blushin riformësohet në ditët tona.

Problemi i trajtimit të kolaboracionistëve ha debat. Nuk mund të mos thuash se Blushi nuk ka të drejtë kur nuk i fal kolaboracionistët.

Më poshtë me ca shkarkime nga interneti po sjell edhe një mendim të një skocezeje, Margaret Huslack me të cilën Lef Nosi, veç që ka pasur një histori të bukur të një mashkulli me një femër, ka pasur edhe shkëmbim interesash intelektuale që mbetën të pashlyera te Margarita edhe kur vitet i kanë ndarë. Ajo kërkoi shpëtimin e jetës së tij me një letër drejtuar Hoxhës.

Kush ishte Margaret Huslack?

Po jap shkarkimet nga iterneti që të gjykoni vetë.

Margaret Hardin Hasluck, skocezja tepër e interesuar në çështjet shqiptare, ishte gjeografe, gjuhëtare, arkeologe, etnografe, mbledhëse folklori, studiuese dhe epigrafe (interpretuese e mbishkrimeve të lashta). Në vitin 1911, Margaret përfundon Kembrixhin, por pa diplomë – deri në vitin 1948, nga ky Universitet diplomoheshin vetëm meshkuj. Pasioni i saj ishin kulturat e lashtësisë. Dhe shkon në Athinë ku regjistrohet në Shkollën Britanike, ndërsa merret edhe me kërkime. Aty gjithashtu njihet me studiuesin Frederik William Hasluck, që do të bëhej shok, bashkëshort dhe koleg i saj. Frederiku, nëndrejtor i Shkollës Britanike në Athinë, ishte edhe arkeolog. Në vitin 1920, ai vdes, duke lënë pas shumë punime të papërfunduara. Margaret shpërngulet në Angli ku merret me redaktimin e këtyre dorëshkrimeve, dhe i boton nën emrin Margaret Hasluck. Pas kësaj, aty nga mesi i viteve 1920, Margaret udhëton nëpër Ballkan, duke u marrë me studime antropologjike. Në Shqipëri, ajo ndërton shtëpinë e saj në Elbasan, ku jetoi për 13 vjet, duke u bërë një legjendë mes shqiptarëve të kohës. Margaret botoi artikuj të shumtë, përfshirë edhe gramatikën e parë anglisht-shqip, si dhe një libër leximi. Për shkak të punës së saj për zbulimin britanik në Luftën e Parë Botërore, Hasluck u detyrua të largohej nga Shqipëria për në Athinë, kur italianët pushtuan vendin në vitin 1939. Dhe, kur Athina u bë e pasigurt, ajo u shpërngul në Stamboll, nga ku herë-herë shihet në rolin e këshilltares për qeverinë britanike në lidhje me çështjet shqiptare. Më vonë ajo vendoset në Kajro. Në vitin 1945, Margaret Hasluck diagnostikohet me leucemi dhe tërhiqet për kurim në Dublin, ku vdiq më 1948. Haskuck la pas të papërfunduar edhe një vepër mbi kulturën, folklorin, gjuhën e zakonet shqiptare – nga rreth 16 kapituj që kishte planifikuar, vetëm 4 a 5 mundi të përfundonte. Në vitin 1945 ajo thoshte se kishte nevojë për ndihmën e Lef Nosit, miku i saj i ngushtë gjatë periudhës në Elbasan, njohuritë e të cilit duket se i vlerësonte jashtëzakonisht. Madje, tregojnë se më 1945, kur Nosi u arrestua nga komunistët në pushtet në Shqipëri, Margaret Hasluck i dërgoi një letër personalisht Enver Hoxhës, ku i lutej që ta lironte Lef Nosin, në mos për gjë tjetër, të paktën për njohuritë dhe kontributin e tij në kulturën dhe kauzën shqiptare.

Ndër të tjera, në letër thuhet: “Jam gati me u-prezantue si dishmitare përpara çdo gjyqi shqiptar për me i kallzue punët e tij, vetëm se edhe nuk u-shërova prej nji sëmundjeje fort të keqe qi më ka ra vjet në Cairo, e doktori nuk më ep leje qi t’udhëtoj… Guxoj me ju shkrue ashtu, shkëlqesi, si mikesha e Shqipnisë qi jam dëftye gjithmonë, kur të vij në Shqipni, po të më epni leje, do të ju dëftej ca letra prej Shqiptarëve që thojnë se unë jau mora sigurimin zyrtar e indipendencës së Shqipnisë në shëndre 1942. Pa zotin Lef s’un plotësoj mirë librat që jam tue shkrue përmbi Shqipninë… Ashtu ju shkruaj kët letër si private. Në qoftë se do të keni mirësinë me pranue kët lutje, do të jau di për nder gjithmonë. Me nderime të nalta, shkëlqes!

Margaret Hasluck

Enver Hoxha iu përgjigj, tërthorazi, me pushkatimin e Nosit.

Nuk dua të zgjatem më tej me këtë shkrim. Blushi ende sot po kërkon që ta tërheqin zvarrë kolaboracionistin, si dikur më 1945. Margaret Hasluck, që ka qenë një legjendë e historisë, donte që ta falte dhe ta kishte pranë si bashkëpunëtor shkencor.

Përfundimisht, nuk mund të them se duhen falur kolaboracionistët, por debati është hapur. Ka nga ata, jo të gjithë, që nuk mund t’i tërheqësh zvarrë.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here