Ushtari i humbur dhe politika e humbur e Greqisë ndaj Shqipërisë

0
241

 

loreta boti

Loreta Boti

 

Thirrja që i erdhi shefit të kabinetit të ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë për të kryer shërbimin ushtarak në Greqi, sipas detyrimit që ka pasi ka marrë shtetësinë greke, na tregoi se Greqisë në Shqipëri nuk i ka humbur vetëm një ushtar, por i ka humbur me kohë politika shtetërore ndaj Shqipërisë. Z. Vëngo ishte në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Shqipërisë me statusin e të burgosurit të luksit që mund të ekstradohet në çdo çast, pasi atij i kujtohej detyrimi që kishte në shtetin fqinj. Sigurisht që z. Vëngo nuk do të ishte veçse një figurant në këtë Ministri të rëndësishme, atij i lejohej të merrte një pagë të mirë dhe privilegjet që ka një zyrtar i lartë, të udhëtonte me ministrin në Bruksel, kryeqytetet evropiane, Amerikë etj., që qeveria shqiptare ta paraqiste si një shembull të trajtimit të mirë që i bën minoritetit grek në Shqipëri, siç e quan ajo popullsinë greke në Shqipëri.

Ja pra, u thoshte ministri i Jashtëm shqiptar të huajve, a mund të besohen kritikat që bëjnë grekët ndaj nesh për keqtrajtimin e popullsisë greke në Shqipëri, kur shefi i kabinetit tim është një shtetas grek? A mund të besohet se qeveria shqiptare prish kishë ortodokse në Himarë? A mund të besohen ato që thuhen për censusin, sikur u ul qëllimisht numri i popullsisë greke, prandaj duhet përsëritur? A mund të besohet se kjo qeveri qëllimisht bllokon zgjidhjen e çështjes së kufirit detar? A mund të besohen ato që thonë grekët se emërtimet e vendlindjes në pasaporta për të lindurit në Greqi janë shkruar ashtu siç shkruhen në shqip, qëllimisht për të dëmtuar Greqinë? A mund të mendohet pra se një qeveri në të cilën shefi i kabinetit i Ministrisë së Jashtme, pra njeriu në duart e të cilit kalojnë të gjitha dokumentet e këtij dikasteri, të gjitha shkresat dhe korrespondenca, është një shtetas grek? Dhe të huajt nuk ka si të mos mendojnë se grekët e paskan ekzagjeruar me kritikat e tyre ndaj Shqipërisë. Paçka se z. Vëngo sillet vërdallë në korridoret e Ministrisë i trembur dhe i hutuar, duke e ditur që po bëri diçka jashtë rolit të figurantit, mund ta dërgojnë që të nesërmen në Kakavijë dhe me një shkelm nga pas, t’ia dorëzojnë shtetit që e kërkon për të kryer shërbimin ushtarak.

Kjo komedi mund të kishte vazhduar shumë kohë, nëse nuk do t’i jepte fund një nëpunës diku në një zyrë ushtarake në Greqi, i cili as që e di se çfarë zbulimi të madh ka bërë në lidhje me politikën e munguar greke në Shqipëri, duke i dërguar Vëngos fletëthirrjen për ushtar. Ky nëpunës e ka vënë qeverinë e Greqisë para detyrimit për të rivlerësuar politikën e saj në Shqipëri. Greqisë nuk i ka humbur thjesht një ushtar në Shqipëri, por në zyrat shtetërore greke ka humbur me kohë politika ndaj Shqipërisë. Dua të them politika serioze, se politikë e koniunkturave vazhdon të bëhet sigurisht, në varësi me shijet e burokratëve dhe politikanëve që vinë e ikin nëpër zyrat e larta shtetërore në Athinë.

Dhe Greqia nuk mund të ketë politikë serioze ndaj Shqipërisë sa kohë që shteti grek nuk tregon dinjitet në marrëdhëniet me Shqipërinë. Rasti “Vëngo” duhet të përdoret në mos për gjë tjetër, për të rifituar dinjitetin Greqia në marrëdhëniet me Shqipërinë. Meqenëse z. Vëngo nuk ka dashur të kryejë detyrimet që ka ndaj shtetit grek, si çdo nënshtetas për të kryer shërbimin ushtarak, atëherë ai duhet të çlirohet nga ky detyrim duke iu hequr shtetësia greke. Greqia nuk ka nevojë për ushtarë të mobilizuar me zor, të cilët për më tepër gjenden realisht në statusin e robit në një shtet tjetër. Z. Vëngo, në korridoret e Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, me statusin real të robit, nuk e ka dinjitetin as të atij fshatarit të thjeshtë grek, i cili në kohën e Luftës Italo-Greke ra rob i italianëve në Tepelenë dhe historinë e të cilit e tregon një oficer italian në kujtimet e tij. Një kolonel italian e pyeti robin grek se përse luftonin kundër italianëve. Fshatari i thjeshtë grek, që quhej Dhimitër Spiros, reagoi kështu:

“Zoti robi, pasi dëgjoi pyetjen u duk se u inatos. U ngrit në këmbë, lëvizi krahët, shqiptoi fjalë të cilat nuk arrija t’ i kuptoja. Kishte qenë i urtë, i qetë deri atëherë dhe kjo kryengritje e shpirtit të tij përputhej me atë që parashikoja: sipas meje, po thoshte se agresorët kishim qenë ne, se koloneli mund të kursente pyetjen e tij.

Në të vërtetë jo. Dhimitër Spirosi preku stofin e xhupit tim, mbështeti gishtin dhe u përpoq të përshkruante ngjyrën, pastaj mori mes duarve palat e pantallonave të tij. I tregoi dhe vuri në dukje se ishin të një ngjyre tjetër. Po thoshte këtë: kur je në luftë, njerëzit e veshur me ngjyra të ndryshme, janë armiq, i qëllojnë njëri-tjetrit. Ai kishte uniformën greke dhe qeveria e kishte urdhëruar të luftonte atë që kishte një uniformë tjetër. Qeveria, kjo fjalë përsëritej vazhdimisht në llafet e tij, cubernesis, cubernesis, si një hyjni, një fakt që u përket të gjithëve. Qeveria i kishte dhënë gjithçka që kishte veshur: këpucët dhe i preku, këmishën dhe na e tregoi, mbathjet dhe zbërtheu dy kopsa të pantallonave për të nxjerrë jashtë një copë që e tregoi duke ngritur një copë pëlhure të bardhë. Dukej sikur donte të dokumentonte që njeriu i cili ndodhej aty para nesh nuk ishte Dhimitër Spirosi, sipas gjasës një bari, një banor paqësor i maleve, por ushtari Dhimitër Spiros, i veshur nga qeveria, i ushqyer nga qeveria, nën urdhrat e qeverisë dhe të gjeneralëve të saj”. (Xhiani Granxoto: “Vjosa ime e dashur”, shtëpia botuese “Elena Gjika”, Tiranë, 2005, f. 57)

Në të vërtetë ky bari i thjeshtë grek do të kishte folur ndryshe, nëse nuk do të kishte qenë rob. Por edhe në gjendjen e robit ai ka thënë shumë, ka thënë se uniforma e tij ka ngjyrën e ushtrisë së atdheut të tij që u sulmua nga një ushtri me uniformë me ngjyrë tjetër, të cilën e mbanin veshur ata që po e pyesnin. Dhe shteti i tij, Greqia, e thirri këtë bari, e veshi me uniformë për të mbrojtur atdheun dhe për të ishte e shenjtë çdo pjesë e uniformës që nga xhaketa te këpucët. Ai e kishte për nder të madh që ishte ushtar i ushtrisë së shtetit të cilit i përkiste si nënshtetas dhe po e mbronte këtë shtet në luftë. Z. Vëngo duket se nuk është krenar që ta veshë këtë uniformë. Prandaj, ai duhet të zhvishet edhe nga shtetësia greke. Ndryshe, është Greqia që do të zhvishet nga dinjiteti në Shqipëri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here