Debate në Kuvend / Masat për kuponin tatimor, Vasili dhe Majko, kritika qeverisë: Nuk justifikohet burgu

0

 

PD: Po shtoni represionin ndaj qytetarëve, u thoni se po u morët me biznes, dënoheni me burg. Dënimi duhet dhënë në proporcion

ligjet sot

Ndryshimet në Kodin Penal për ashpërsimin e masave ndaj bizneseve që kryejnë evazion fiskal, u shoqëruan me debate në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve. Krahas kundërshtive të opozitës, disa nene të këtij ligji u kritikuan edhe nga deputetë të mazhorancës. Kështu, lidhur me nenin që përcakton se moslëshimi i kuponit tatimor do të dënohet tre vjet burg, PS dhe LSI kërkuan një përpilim të saktë të ligjit, pasi, sipas deputetëve Pandeli Majko dhe Petrit Vasili, nuk është përcaktuar se kush do të dënohet, administratori apo punonjësi. “Duhet t’i lëmë kohë vetes të flasim me përfaqësues të qeverisë, sepse me këtë çështjen e kuponit tatimor në vend që të dënohet pronari po dënohet shoferi i makinës që sjell mallra kontrabandë”, – u shpreh socialisti Majko. Ndërkohë, kreu i grupit parlamentar të LSI-së theksoi: “Qeveria duhet të na tregojë sa është niveli i kontrabandës që na bën të nevojshëm ndërhyrjen në ligj. Nuk justifikohet burgu”.

 

Debati

Në mbledhjen e Komisionit të Ligjeve ishin të shumta debatet mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me ndryshimet në Kodin Penal dhe konkretisht nenet për evazionin fiskal. Deputeti demokrat Oerd Bylykbashi tha se një ndër problemet e ligjit të ri është se fakti se hiqet dënimi me gjobë dhe ka vetëm burg. “Aty ku ka pasur masë gjobe keni vendosur burg. Po shtoni represionin ndaj qytetarëve. Dënimi duhet dhënë në proporcion… Njëlloj do të dënohet si ai që fut një maune dhe ai që sjell një arkë kontrabandë”, – tha Bylykbashi. Po ashtu edhe kolegu i tij demokrat Eduart Halimi shprehu kritika ndaj ndryshimeve të propozuara nga qeveria duke theksuar se në nenin 172 hiqet alternativa e gjobës. “U thoni qytetarëve po u morët me biznes dënoheni me burg. Ndërkohë, punonjësit e tatimeve 3-10 vjet burg ndërsa falso qeveria e sjell deri në 7 vjet burg. Ky është absurditeti më i madh, kërbaçin për biznesin dhe kulaçin për tatimorët”. Ndërsa, sipas mazhorancës, forcimi i rregullave do të ndihmonte në luftën kundër informalitetit, ndërsa u pranua se kontrabanda e mallrave të akcizës ka shënuar rritje. “Kontrabanda me mallrat e akcizës dhe hedhja në treg e mallrave kontrabandë janë dy veprat që njohin veç rritje në grafikun e kriminaliteti, për këtë arsye jemi komplet të justifikuar, ashpërsimi i dënimit aty ku është bërë i ka dhënë efektet e veta”, – pohoi ministrja për marrëdhëniet me Parlamentin Ermonela Felaj e cila raportoi para Komisionit të Ligjeve. Ashpërsimi i masave ndaj biznesit në kuadër të luftës kundër informaliteti është kundërshtuar fort jo vetëm nga opozita, por edhe nga përfaqësues të lartë të sipërmarrjes. Dhoma Amerikane e Tregtisë ka shprehur një sërë kritikash në këtë drejtim, ndërsa nuk kanë munguar kritikat edhe nga vetë brenda radhëve të mazhorancës.

Lini nje pergjigje