Dilema e Malit të Zi, me NATO-n apo me Rusinë

0
137

Asambleja e NATO-s

Shkrimtari malazez Andrej Nikolaidis: Anëtarësimi në NATO do të thoshte dalje nga influenca serbe dhe ruse

 

Vendi i vogël buzë Adriatikut i quajtur Mali i Zi me një popullsi prej 600.000 banorë ka që prej vitit 1991 që udhëhiqet nga Kryeministri Milo Djukanoviç. Asnjë politikan evropian nuk ka qeveris më gjatë se Milo Djukanoviç – madje ai qeveris më gjatë se pushtetmbajtësi bjellorus, Lukashenko, me përjashtim të dy ndërprerjeve të shkurtra. Pushtetari i fortë i Malit të Zi i është përshtatur gjithmonë asaj që ka kërkuar fryma e kohës: funksionar i ri komunist, bashkudhëtar i autokratit nacionalist, Slobodan Millosheviç, ideolog i shkëputjes së vendit nga Serbia dhe në fund partner i perëndimit, që kërkon ta fusë Mali e Zi në BE dhe NATO. Por aspiratat e tij kanë kundërshtarë nga të gjitha anët. Në vizitën e tij të fundit Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg lëvdoi përparimet e Malit të Zi dhe u shpreh se deri në fund të vitit do të jetë vendosur, nëse NATO i jep Malit të Zi dritën e gjelbër për anëtarësimin. Ekspertët e shohin këtë si një vendim të sigurtë. Më pak e sigurtë është nëse qeveria gëzon mbështetjen e popullsisë për këtë vendim. Sipas sondazheve, përkrahësit dhe kundërshtarët e anëtarësimit bëjnë një garë kokë më kokë, kjo në varësi të asaj se kush e ka porositur sondazhin. „Një pjesë e kundërshtarëve e argumentojnë refuzimin e tyre me intervenimin e NATO-s në Serbi dhe Mal të Zi në 1999-n“, thotë Milica Kovaçeviç nga Qendra për Tranzicionin Demokratik. Por ekspertja është e mendimit se gjithnjë e më shumë qytetarë mendojnë në mënyrë „racionale“ për aleancën e NATO-s. Por situate në vend është e tensionuar. Për disa javë qindra opozitarë qëndruan në një kamp me çadra në kryeqytetin Podgoricë jo vetëm për shkak të kontestimit të anëtarësimit në NATO. Ata kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Djukanoviç, qeveri të përkohshme dhe zgjedhje të reja. Protestuesit ishin të përzierë: Përkrahës të aleancës opozitare, Fronti Demokratik, përfaqësues nga shoqëria civile si edhe klerikë serbë-ortodoksë që e refuzojnë largimin e Malit të Zi nga Beogradi. Fundjavën e fundit situata u shkallëzua, kur policia hoqi çadrat. Aksioni protestues vazhdoi edhe në fundjavë me moton: “I gjithë Mali i Zi në Podgoricë“. Shumica e qytetarëve nuk shohin si problem kryesor orientimin gjeopolitik të Malit të Zi, por mjerimin ekonomik, korrupsionin dhe shpërndarjen e vendeve të punës në administratën publike sipas oreksit të partisë qeverisëse. Rroga mesatare qëndron në kufijtë e 480 eurove, 15% e qytetarëve janë të papunë, sipas statistikave, që jo pak vetë i shohin si të zbukuruara. Për vite me radhë kritikat kundër Djukanoviçt kaluan pa asnjë pasojë, madje as akuzat e drejtësisë italiane që e cilësonin atë personalisht si kreun e kontrabandës së cigareve në vitet 90-të. Edhe BE ka kritikuar gjendjen e shtetit të së drejtës në Malin e Zi, si edhe sulmet e pazbardhura kundër gazetarëve. Një sërë aferash, arrogance dhe “një hajdutëri e shëmtuar” e kanë dobësuar qeverinë mendon shkrimtari i njohur malazez Andrej Nikolaidis. Por protestat aktuale ai i sheh, ashtu si Djukanoviçi, si një përpjekje për të dështuar anëtarësimin. “Anëtarësimi në NATO do të thoshte dalje nga influenca serbe dhe ruse. Kjo nënkupton një kthesë radikale civilizuese, politike dhe kulturore”, shkruan Nikolaidis në një opinion tij për një portal online.Opinionisti Blagoje Grahovac mendon ndryshe. Ish-gjenerali mendon se protestat nuk duhen reduktuar me dilemën e NATO-s. “Për shumicën e qytetarëve Milo Djukanoviç është simboli i fundosjes së plotë. Për një pjesë tjetër simbol i suksesit të plotë, shpresa dhe krenaria e tyre. Mali i Zi është mbërthyer në dy ekstreme: Pro ose kundër Djukanoviçit. Qytetarët janë të përçarë”, shkruan Grahovac në gazetën kritike “Vijesti”.Shihet si me pak gjasa që ta marrë fjalën në fund kjo qytetari. Nuk do të ketë zgjedhje të parakohshme, ka deklaruar Djukanoviç, dhe ai shfrytëzoi momentin për të tallur opozitën që nuk e mund dot prej “një çerekshekulli”. Edhe një referendum për anëtarësimin në NATO, kryeministri malazez e sheh si të panevojshëm.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here