“Debati në Channel One” /   Kjo është “vjeshta e ankthit” për sistemin e drejtësisë  

0
108

 

 

images (5)Flet kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, për gazetarin Roland Qafoku

 

Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, në një intervistë për gazetarin Roland Qafoku në emisionin “Debati në Channel One”, trajton problematikat e sistemit gjyqësor në vendin tonë, duke theksuar se pavarësisht problemeve të mëdha, po hidhet baltë mbi të gjitha togat e zeza, pa asnjë përjashtim. Sipas tij, reforma në drejtësi është e domosdoshme, por komuniteti i gjyqtarëve është përfshirë pak, në këtë ndryshim historik të drejtësisë shqiptare. Duke folur për fenomenin e korrupsionit në gjyqësor, Simoni tërheq vëmendjen, duke theksuar se “Komisioni i Venecias duhet të ketë parasysh që fenomeni i korrupsionit nuk është një fenomen masiv dhe politikisht në gjithë këto vite është evidentuar dhe është bërë një fenomen metaforik dhe gjyqësori është një sistem funksional. Në Shqipëri ka mbi 6000 të arrestuar me vendime gjykate dhe ka gjyqtarë me integritet dhe të mos jetë vetëm antikorrupsioni fokus i reformës në drejtësi”.

 

Përshëndetje zoti Simoni! Stina e vjeshtës sipas Kryeministrit Edi Rama do të shënonte kulmin e reformës më të madhe në drejtësi dhe sidomos në gjyqësor. A ishit ju dakord që drejtësia shqiptare të kalonte në një reformë të thellë?

Sigurisht që ne nuk mund t’i kundërvihemi idesë së një reformimi të thellë në gjyqësor apo në sistemin e drejtësisë sepse ne jemi pjesë e këtij sistemi dhe jemi më tepër të interesuar që ky sistem në tërësi të jetë më efikas dhe gjyqësori të jetë një pushtet i pavarur siç i takon të jetë. Për këtë arsye ne kemi qenë përkrahës të kësaj reforme për të bërë më të mirën dhe atë që duhet. Pra, të kemi një gjyqësor efiçent, të pavarur, profesional dhe të ndershëm dhe në përpjekje për të hequr idenë e një sistemi drejtësie të korruptuar. Për këtë shkak është një vullnet legjislativ i proklamuar i mbështetur nga faktorët ndërkombëtar të cilin ne e kemi përkrahur.

Megjithatë diskutimet kanë vluar tashmë dhe jemi në pikun e tyre. Mirëpo, ajo që kemi perceptim ne njerëzit e medias është se pavarësisht se diskutimet janë të zjarrta dhe të forta njerëzit e gjyqësorit nuk janë pjesë e diskutimeve publike. Si ka mundësi që gjykatësit e nderuar me emër dhe me vlerësim nuk i shikojmë në media të thonë fjalët e tyre se çfarë po ndodh me ndryshimet e mëdha në projektligjin për drejtësinë dhe rrezikojmë që t’i mësojmë në momentin kur të miratohen në sallën e parlamentit.

Edhe unë e kam shprehur këtë shqetësim dhe ka të bëjë me mënyrën si është konceptuar kjo reformë. Kjo reformë u përqendrua në Parlament nëpërmjet Komisionit të Posaçëm për Reformën e Sistemit të Drejtësisë dhe si grup pune u përcaktua një grup i nivelit të ekspertëve të lartë, i cili në shumicën e tij përbëhej nga persona të cilët ishin të profilit akademik kryesisht kishte avokatë, prokurorë, por më pak edhe gjyqtarë.

Sa gjyqtarë kanë qenë?

Kanë qenë 2 gjyqtarë të gjykatës së lartë. Është e vërtetë që ne jemi ftuar në tryeza teknike, të cilat kanë pasur në fokus diskutimi paketa të ndryshme ligjore, por më tepër në çështje të cilat evidentonin të metat e sistemit ligjor, kryesisht në atë të sistemit të së drejtës penale. Ndërsa më vonë ne mësuam që me prezantimin e paketës kushtetuese fokusi kishin qenë ndryshimet drastike kushtetuese.

A është normale sipas mendimit tuaj që dy gjyqtarë përfaqësojnë gjithë Gjykatat e shtetit shqiptar?

Personalisht unë dhe kolegët e mi, këtë e quajmë jo normale meqenëse fokusi kryesor lidhet me ndryshimet në pushtetin gjyqësor dhe fokusi kryesor ka të bëjë me gjetjen e instrumenteve kushtetuese për të luftuar korrupsionin në drejtësi dhe kryesisht në gjykata. Do të kishte qenë më mirë që gjykatësit të kishin qenë partnerë e të kishte pjesëmarrje më masive. Kjo ka dhe një faktor tjetër, i cili ka ndikuar. Gjyqtarët janë njerëz të zënë me procese gjyqësore dhe janë persona që nuk angazhohen për shkak të një klime paragjykuese. Ka një lloj histerie në opinionin publik shqiptar, i cili nuk bën diferencën në kategorinë e gjyqtarëve, por edhe politika duket sikur ka një kompromis të heshtur për të etiketuar në tërësi sistemin e drejtësisë dhe atë gjyqësor në veçanti.

Sipas perceptimit tuaj, gjykatat janë nën presionin e reformës që pritet të ndodhë apo nën presion politik?

Është ë vërtetë që gjyqtarët e ndiejnë presionin e asaj se çfarë mund të ndodhë me procesin e reformës, për shkak se procesi i ndryshimeve kushtetuese po mundohet të përfshijë të gjithë masën e gjyqtarëve, i shtrirë dhe në prokurori. Por në fokus duket sikur është gjyqësori. Kjo ndodh sepse gjyqtarët janë ata që etiketohen dhe përmenden për vetë faktin që gjyqësori është një pushtet më vete. Ky është presioni më i madh sesa ai politik në tërësi, sepse gjyqësori ka instrumente juridik-kushtetues për të qenë i pavarur, sigurisht nëse ne kemi forcë dhe vitalitet brenda vetë nesh që ta trajtojmë pavarësinë ashti si e ka përcaktuar kushtetuta. Tre janë pikat më të diskutueshme që pritet të bëhen. E para lidhet me magjistraturën: Një gjyqtar jo domosdoshmërisht duhet të ketë mbaruar shkollën e magjistraturës, më parë ky ka qenë një kondicion shumë i fortë. E dyta: Lufta kundër korrupsionit është parësore dhe e treta: të gjithë gjyqtarët kalojnë një konkurs, pavarësisht se kanë një karrierë. Si i komentoni ju të tria këto ndryshime? Paketa e ndryshimeve kushtetuese shkonte pak më tej atyre që ishin diskutuar gjatë tryezave të rrumbullakëta, punimeve të Komisionit, apo diskutimeve të ekspertëve të lartë për evidentimin e pikave të dobëta në sistemin e drejtësisë dhe atë gjyqësor në veçanti. Ne na shqetësoi fakti që evidentohej fillimisht që shkolla e magjistraturës ka qenë një arritje dhe histori suksesi, ndërkohë që tani nuk përfshihet në kushtet për të qenë gjyqtarë. Kjo i jep mundësi kategorive të tjera jashtë profesionistëve të kësaj shkolle.

Çfarë rrezikon kjo?

Kjo rrezikon atë që siguronte Shkolla e Magjistraturës, një nga elementet e pavarësisë, atë të emërimit dhe politizimin e masës së gjyqtarëve që mund të përfshihen në gjyqësor në vijim. A është vërtet apo jo korrupsioni fenomeni më shqetësues i shoqërisë, kjo është kompetencë e organeve të tjera. Në këndvështrimin tim si jurist, unë kam merakun dhe frikën nëse fokusimi vetëm për të luftuar korrupsionin do të pengojë luftën ndaj krimit të organizuar, trafikut, pastrimit të parave etj. gjithashtu krijimi i strukturave antikorrupsion është një risi, por nuk merr parasysh faktin që ne tashmë kemi krijuar një traditë të kohëve të fundit që korrupsioni është konsideruar krim i rëndë, duke u vënë në të njëjtën rëndësi me krimin e organizuar dhe trafiqet. Për këtë arsye mendimi ynë ka qenë që nuk ka pse të evidentohen struktura kushtetuese antikorrupsion pasi këto do të anashkalojnë organizimin aktual organik të gjyqësorit dhe duket sikur nuk marrin parasysh ekzistencën e organizimit gjyqësor në Shqipëri dhe konkretisht krijimin e një gjykate të specializuar pikërisht për fenomenin e krimit të rëndë të organizuar dhe të korrupsionit. Aktualisht korrupsioni është në kompetencën e Gjykatës së krimeve të rënda.

DO të merret opinioni i Komisionit të Venecias nëse mund të merret modeli i Ukrainës, ai serb apo modele të tjera të rivlerësimit të përgjithshëm të gjyqtarëve, por ne nuk mund të konsiderohemi një rast i veçantë si ai i Ukrainës, pasi ne jemi një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe gjyqësori jonë ka patur evoluime. Ne kemi një sistem drejtësie problematik, por funksional dhe çështja më problematike në këndvështrimin tim është etiketimi i të gjithë gjyqtarëve si të korruptuar. Një rivlerësim i përgjithshëm i gjyqtarëve fyen kategorinë që ka punuar me profesionalizëm dhe etikë dhe shteti ka për detyrë të mbrojë gjyqtarët e ndershëm.

 

Korrupsioni

Akuzat na bëjnë të ndihemi keq, duhet të vërtetohen nga politika

Unë me përgjegjësinë e një gazetari që ka 20 vjet që ndjek çështjet e gjyqësorit mund ta them që ju dhe shumë gjyqtarë të tjerë jeni heronj të drejtësisë shqiptare. Si ndiheni ju personalisht kur dëgjoni përgjithësime se të gjithë gjyqtarët janë të korruptuar? Por përveç kësaj trupe gjyqtarësh ka dhe një kategori tjetër që nuk meriton ta veshë togën e zezë. Si ndahen këto dy kategori?

Është një situatë aspak e këndshme që na bën të ndihemi keq. Nuk është detyrimi ynë të vërtetojmë që jemi të pa korruptuar. Është detyrim i atyre që e proklamojnë dhe strukturave të tjera që të evidentojnë gjyqtarët e korruptuar dhe të vlerësojnë me dinjitet e respekt gjyqtarët e ndershëm. Përpara një viti në Gjykatën tonë ishte presidenti i Komisionit Evropian, i cili përmendi që fakti se Shqipëria sot po merr statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian është rezultat i punës që është bërë në krijimin e një baze të dhënash solide të luftës kundër krimit të organizuar. Është detyrim i organeve të tjera ndjekja dhe hetimi i këtyre çështjeve.

Sipas nënkryetarit të Avokatisë z. Virgjil Karaj nga viti 1990 dhe deri më sot janë dënuar vetëm 2 gjykatës. A i shkon kjo nivelit të korrupsionit dhe nivelit profesional të gjykatave në këto 25 vjet?

Këtë çështje jo domosdoshmërisht e lidh me numrin e të dënuarve, sepse referuar statistikave kanë qenë edhe 30 gjyqtarë të larguar nga sistemi gjatë këtyre viteve Ndërkohë që nga masa e avokatisë nuk na rezulton ndonjë avokat i larguar. Kjo do të thotë që procedimi i disiplinuar për gjyqtarët ka qenë më efektiv.

Shkrimtari Ismail Kadare në një prononcim thotë se Nuk luftohet korrupsioni në Gjykata me atë të Pogradecit.

Ai është një fenomen dhe personalizimi referuar rastit konkret është një çështje tjetër. Drejtësia godet fenomenin dhe jo gjithmonë e lidh këtë me personalizimin e çështjeve. Nuk dua të shprehem për këtë rast sepse ka qenë një çështje në gjykatën tonë dhe do të vlerësohet nga instancat më të larta. Por megjithatë këtu kemi raste të caktimit të vendimeve të masave të sigurisë arrest me burg për gjyqtarët të dyshuar për veprën penale të korrupsionit. Pra dua të them për çështjet që kanë ardhur në gjykatën tonë edhe gjyqtarët janë trajtuar sikurse gjithë qytetarët e tjerë.

Megjithatë Kryeministri Rama këmbëngul që Kancelarja Angela Merkel ka thënë: Ju nuk mund të bëheni asnjëherë anëtar i Bashkimit Evropian në qoftë se nuk bëni një reformë të thellë, nëse nuk vihen gjykatat në nivel profesional dhe nëse nuk luftojmë korrupsionin. Si e komentoni ju këtë?

Dua të them se opinionet e ndërkombëtarëve ne duhet t’i përkthejmë dhe t’i zbatojmë duke gjetur instrumente në mënyrë të tillë që të bëhet lufta ndaj korrupsionit, por edhe të respektohet dinjiteti i kujtdo që ka bërë atë që duhet.

Por, si bëhet ndarja mes gjyqtarëve profesionistë dhe atyre që janë të korruptuar?

Nuk është detyrimi apo dëshira jonë që të bëjmë dallime apo të evidentohemi me emër. Ky është detyrimi i institucioneve përkatëse. Unë dua që në pozitën si gjykatës të ndihem i qetë e jo i frustruar as në presion të opinionit apo faktorit politik.

A jeni ju nën presion politik?

Ne nuk ndiejmë presion politik, por nën presionin e etiketimit të përgjithshëm si pjesë e një sistemi drejtësie të korruptuar dhe të mos diferencimit dhe të mos vlerësimit për atë çfarë kemi bërë.

Një nga temat që po diskutohet është edhe ngritja e një Komisioni i cili do të verifikojë gjykatat, sidomos Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Po këtë komision kush do ta kontrollojë?

Sigurisht që në këtë aspekt do të gjendet një instrument i balancuar kushtetues që të garantojë parimin “Check and Balance”, parimin e ndarjes së pushteteve. Do të jetë një kategori personalitetesh që do të sigurojnë të ashtuquajturën pavarësi, nuk është një komision, por një organizatë kuazigjyqësore e përbërë nga rreth 9 anëtarë. Do të ketë dy struktura, Këshilli Gjyqësor dhe një Tribunal për Drejtësinë. Ky është një aspekt kushtetues, për të cilin pritet dhënia e vlerësimit nga Komisioni i Venecias.

Sa rrezikohet që kjo reformë të politizohet?

Këtë nuk mund ta them dhe nuk kam ndonjë opinion, pasi kjo është një çështje në vijim. Ajo që është proklamuar gjatë gjithë kësaj kohe është që kjo reformë nuk synon politizimin, por evidentimin e elementeve profesionistë. Në qoftë se ky është qëllimi në vetvete duhet pasur parasysh përzgjedhja e personave më tej.

Një nga gjykatësit e njohur në Shqipëri zoti Broci ka thënë që politika kërkon të na marrë pushtetin. Si e komentoni këtë shprehje?

Gjyqësori është një nga pushtetet e këtij shteti dhe si i tillë pushteti nuk është yni. Ne jemi pjesë e tij për t’i shërbyer atij. E rëndësishme për ne është që në ushtrimin e detyrës të ndihemi të pavarur dhe për këtë garancia e vetme janë përcaktimet kushtetuese.

Duke perifrazuar dy shkrimtarët Ismail Kadare dhe Bashkim Shehu: A është kjo “vjeshta e ankthit” për drejtësinë?

Në njëfarë mënyre, po. Edhe për vetë pritshmëritë dhe për procesin e ecjes me shpejtësi për diskutimet në ecjen e reformës dhe në idenë e kërkimit të opinioneve në Komisionin e Venecias në një afat sa më të shkurtër. Në masën e përgjithshme të gjyqtarëve ka një situatë të ethshme e pasiguri për atë çfarë mund të ndodhë.

Pas disa ditësh Komisioni i Venecias do të thotë fjalën e tij mbi bazën e atyre çfarë do të dëgjojë nga të gjitha palët. Keni për t;I thënë ju diçka të veçantë anëtarëve të Komisionit?

Komisioni i Venecias duhet të ketë parasysh që fenomeni i korrupsionit nuk është një fenomen masiv dhe politikisht në gjithë këto vite është evidentuar dhe është bërë një fenomen metaforik dhe gjyqësori është një sistem funksional. Në Shqipëri ka mbi 6000 të arrestuar me vendime gjykate dhe ka gjyqtarë me integritet dhe të mos jetë vetëm antikorrupsioni fokus i reformës në drejtësi.

Zoti Simoni, faleminderit për intervistën!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here