Intervista / Meta: Impulset e reja nënkuptojnë qeveri rezultative, dekriminalizimi i hap rrugë reformës në drejtësi

0
99

 

 

Intervista e MetesKreu i LSI-së: Kam qenë dhe jam i hapur për çdo hetim shqiptar dhe ndërkombëtar për CEZ-in. Formalizimi duhet ndier nga biznesi, jo si një presion ndaj tij, por si ndihmesë

 

“Shqipëria ka shprehur solidaritetin dhe gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësitë, në rast se do të jetë e nevojshme”

 

 

Kreu i LSI-së, Ilir Meta, sqaroi dje për herë të parë se çfarë nënkupton me deklaratën e tij të ripërsëritur këto kohët e fundit për “impulse të reja” në qeveri. Përmes një interviste për gazetën “Iliria”, Kryeparlamentari ka theksuar se impuls i ri nuk do të thotë drejtpërsëdrejti ndryshim i ministrave, por nevoja për përmirësim të qeverisjes. Po ashtu, Meta foli edhe lidhur me dy reformat kyçe në vend, si dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi, të cilat, sipas tij, do të bëjnë të mundur hapjen e negociatave me BE-në. Gjithashtu, Kryetari i Kuvendit pohon se Shqipëria, si një vend anëtar i NATO-s, është e gatshme të japë ndihmë, nëse duhet, lidhur me refugjatët që mund të vijnë nga Lindja.

 

Më së pari z. Kryetar, çfarë përfaqëson vizita juaj në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë?

Kjo vizitë zhvillohet në kuadër të një forumi shumë të rëndësishëm për sigurinë dhe luftën kundër terrorizimit, që do të zhvillohet në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku unë jam i ftuar nga kryetari i task-forcës në këtë Kongres, kongresmeni Robert Pittenger, për të marrë pjesë edhe për të kontribuar në këtë konferencë, përveç takimeve të tjera që do zhvilloj gjatë kësaj vizite. Shqipëria është përfshirë prej shumë vitesh në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, pa dyshim në nismat e ndryshme rajonale ndërkombëtare, padyshim edhe nga interesi i brendshëm vendor.

Sa e shihni të mundshme që të përparojë më shumë pjesëmarrja e Shqipërisë, jo vetëm në kuadrin e nismave apo me praninë e trupave ndërkombëtare? Çfarë mund të bëjë më shumë Shqipëria?

Unë besoj se Shqipëria ka dhënë dhe jep një kontribut maksimal, duke patur në konsideratë edhe mundësitë dhe kapacitetet e saj kontribuuese. E ka bërë këtë gjë përpara se të pranohej në NATO dhe e ka bërë me shumë përkushtim dhe kjo padyshim, që ka patur ndikimin e saj edhe në anëtarësimin e Shqipërisë në këtë Aleancë. Duke forcuar akoma më tej bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara si vend udhëheqës, jo vetëm i NATO-s, por i gjithë kësaj aleance kundër terrorizmit dhe duke forcuar bashkëpunimin me gjithë vendet e rajonit tonë, unë jam i bindur që kontributi i Shqipërisë do të vijojë të rritet në mënyrë që vendi ynë, por edhe rajoni ynë të jetë sa më i mbrojtur nga kjo sfidë madhore të kohëve të sotme.

Zhvillimet në Lindjen e Mesme, krijimi i Shtetit Islamik midis Irakut dhe Sirisë ka ndezur një valë të madhe të largimit të popullatës civile. Shqipëria thotë se është e gatshme të përballet me një mundësi të ardhjes së emigrantëve veçanërisht në këtë prag dimri. Besoni se kjo do të jetë një nga temat themelore në diskutimeve tuaja në Shtetet e Bashkuara për të treguar veçanërisht gatishmërinë e Shqipërisë?

Mendoj se do të ketë tema të tjera edhe më të rëndësishme, por pa dyshim që kjo është një sfidë e rëndësishme për Bashkimin Evropian, për kontinentin tonë, për Shqipërinë gjithashtu dhe natyrisht që edhe kjo do të ketë një temë besoj që do të diskutohet. Kjo valë emigratore, siç e përmendët edhe ju, nga këto rajone fqinje të kontinentit tonë dhe të Bashkimit Evropian, ka treguar se edhe Evropa është e ndjeshme dhe është e prekshme nga këto zhvillime gjeopolitike në rajonet fqinje të saj. Dhe këto janë sfida që duhen përballuar, natyrisht përmes bashkëpunimit dhe kontributit të të gjitha vendeve sipas aftësive dhe mundësive të tyre. Në këtë drejtim, edhe Shqipëria si një vend anëtar i NATO-s, si një vend kandidat në Bashkimin Evropian dhe që synon të anëtarësohet në këtë union, ka shprehur solidaritetin e saj dhe gatishmërinë e saj për të marrë përgjegjësitë e saj në rast se kjo do të jetë e nevojshme

Vizita juaj në Shtetet e Bashkuara përkon me të qenët të Shqipërisë në një vorbull reformash. Mund të na ndani disa fjalë ju lutem mbi përparësitë që ka reforma në drejtësi, veçanërisht kur Komisioni i Venecias do të shqyrtojë një propozim të Shqipërisë?

Ne presim të ketë një seancë, ku ekspertët ndërkombëtarë, që kanë kontribuar për draftin e bërë tashmë publik, do të bëjnë një parashtrim dhe një mbrojtje të këtij drafti. Ndërkohë, ne jemi të bindur që gjithë koha deri në momentin që do të kemi opinionin e Komisionit të Venecias do të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme për të realizuar një proces sa më gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm. Kështu, e hapim këtë reformë ndaj një debati publik dhe gjithëpërfshirës të gjithë grupeve të interesit, të shoqërisë civile, të qytetarëve shqiptarë, pasi është në interesin e çdo qytetari në këtë vend, forcimi i sundimit të ligjit, funksionimi krejt ndryshe nga deri tani i gjykatave dhe natyrisht edhe efektiviteti shumë më i madh në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Sepse janë parametra që kanë të bëjnë me sigurinë e vendit, më cilësinë e zbatimit të ligjit, me cilësinë e funksionimit të institucioneve, por edhe me cilësinë e shërbimeve që përfitojnë qytetarët çdo ditë në këtë vend.

Në këtë vorbull reformash z. Meta është padyshim çështja e procesit të dekriminalizmit. Sa shtysë i jepni si pjesëtar i qeverisë, si kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe padyshim si Kryetari i Kuvendit me ndikimin që mund të keni ju dhe grupi juaj i deputetëve për përfundimin e këtij procesi? A ju duket se ka një lloj shkëputje të parametrave fillestarë me disa propozime të ardhura nga opozita?

Unë shpresoj që në ditët e ardhshme të përmbyllet ky proces dhe të kemi një marrëveshje përfundimtare, pasi të dyja draftet janë pothuajse të përbashkëta në gati 95% të propozimeve. Kanë mbetur fare pak çështje për të cilat mbetet për t’u dakordësuar apo në rastin më të vështirë për të marrë një opinion të partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe për ta mbyllur këtë histori sa më shpejt, mundësisht në ditët e ardhshme, jo në javët e ardhshme, dhe në mënyrë që të gjitha energjitë të përqendrohen pastaj tek reforma në drejtësi. Mendoj se dekriminalizimi dhe reforma në drejtësi janë kyçe për çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian.

Në të gjitha këto, z. Meta, ju përfshini dhe çështjet e karakterit teknik, siç është shenjat e gishtave apo siç është përdorimi i testit të drogës. A janë këto vendimtare për të ecur përpara apo janë pengesë?

Besoj që të gjitha këto çështje, të cilat janë të arsyeshme dhe tashmë janë dakordësuar, edhe për çështjen e mënyrës së administrimit të shenjave të gishtave, pavarësisht se kjo është mjaft teknike, duket se është arritur një konsensus. Por përpjekja pastaj për të shtuar herë pas here çështje të tjera duket sikur i largohet thelbit të zgjidhjes së këtij problemi dhe kërkon pretekste për shtyrjen dhe mbajtjen gjallë të kësaj teme, e cila duhet të mbyllet një herë e përgjithmonë për politikën shqiptare.

Çfarë brenge ka Ilir Meta nga marrëdhëniet ndërmjet shumicës qeveritare dhe opozitës? Çfarë mund të ndryshojë dhe si mund të ndikojë ky raport për të ndryshuar këtë që po flasim?

Brenga ime është koha që humbasim duke denigruar njëri-tjetrin, që është një kohë që në fakt ua marrim qytetarëve shqiptarë dhe që mund ta investonim në të mirën e tyre dhe në përmirësimin e ndjeshëm të imazhit të vendit. Nuk besoj se dhe në një pikëpamje më pragmatike elektorale, përmes denigrimit dhe shkëmbimit të akuzave pa vend, dikush fiton pikë, fiton përkrahje. Është një shterim i panevojshëm dhe abuzim i energjive, që janë të shumta dhe që duhen përdorur në mënyrë pozitive. Kjo është e vetmja brengë.

A mendoni se në morinë e këtyre akuzave të ndërsjella që janë ndërmjet partive, përfshirë edhe ato të rastit të fundit të CEZ-it, është kohë vërtet e humbur apo ka nevojë për një shtysë? Ndoshta me ndonjë ligj të ri apo qoftë edhe me ndonjë hetim ndërkombëtar, pasi ju keni qenë i hapur …

Unë kam qenë dhe jam i hapur për çdo hetim shqiptar dhe ndërkombëtar, për çdo çështje konkrete dhe është e mira që çdo forcë politike apo cilido që ka një shqetësim për çështje që kanë të bëjnë me korrupsionin apo me shkeljen e ligjit të ndjekë një rrugë institucionale. Pastaj përpjekjet për të politizuar çështje të tilla, absolutisht që nuk i shërbejnë as zbardhjes së të vërtetës dhe as daljes së përgjegjësisë së askujt.

Ekonomia është padyshim një çelës. Ju shpesh keni qenë kritik për disa zhvillime apo le të themi për ritmet e rritjes ekonomike në Shqipërisë. Mendoni se qeverisja ka një lloj rreziku nga ekonomia, ndonjë lloj pakënaqësie ndoshta në rritje që mbase është e padukshme për momentin? Besoni se ka nevojë për ndryshime dhe a është e rrezikuar qeveria apo aleanca?

Duhet të keni në konsideratë se trashëgimia ekonomike, financiare, buxhetore, që gjeti mazhoranca e re pas zgjedhjeve, ka qenë mjaft e vështirë edhe për arsye të disa politikave populiste dhe elektorale që u ndoqën sidomos para zgjedhjeve të vitit 2013. Kështu që, duke i shtuar kësaj baze nisje të politikave ekonomike financiare të kësaj qeverie, edhe atë situatë rajonale, evropiane ekonomike dhe financiare të vështirë, duhet të jemi realistë që klima e përgjithshme nuk ka qenë e lehtë.

Natyrisht që qeveria ka bërë disa reforma të rëndësishme dhe vazhdon si ato në fushën e energjisë, si ato në fushën e pensioneve, si ato në fushën e bujqësisë edhe shumë të tjera. Reforma administrative-territoriale, që shpresojmë se do të japë impaktet e saj edhe ekonomike, por edhe sociale, në drejtim të ofrimit të shërbimeve më të mira dhe më cilësore ndaj qytetarëve, do të vijojë në këtë drejtim. Por sfidat nuk do të jenë të lehta dhe mendoj që duhet punuar edhe më shumë jo vetëm në drejtim të formalizimit të ekonomisë, por edhe të mënyrës së këtij formalizimi, që duhet ndjerë nga biznesi, jo si një presion ndaj tij, por si një ndihmesë ndaj tij për t’u rritur dhe për t’u zhvilluar.

A janë ekonomia, reformat, qoftë dekriminalizimi, një vështirësi që krijohet në marrëdhëniet tuaja me Kryeministrin?

Natyrisht që kjo është një marrëdhënie e vazhdueshme, e përditshme. E rëndësishme është që drejtimet kryesore strategjike janë të dakordësuara. Çdo debat i ditës nuk konteston dhe nuk vë në pikëpyetje këto raporte, nuk vë në pikëpyetje këtë koalicion. Shpeshherë shohim që deputetë, po themi të Partisë Socialiste, mund të kenë vërejtjet e tyre. Natyrisht që ka një dëshirë, që sa herë mund të ketë një qëndrim qoftë edhe paksa të ndryshëm të përfaqësuesve të LSI-së, menjëherë të ketë një interes të madh mediatik për ta paraqitur si një problem të madh të koalicionit. Kjo shpjegohet edhe me dëshirën e mediave për të prodhuar ndonjëherë lajme më sensacionale dhe për t’iu shmangur argumentit që jepet gjatë këtij debati. Ne jemi pjesë e këtij koalicioni, jemi pjesë e kësaj mazhorance dhe synojmë që ajo çdo ditë të përmirësohet dhe ka mjaft hapësirë për t’u përmirësuar.

Duhet të kuptojmë me këtë z. Kryetar dhe atë që dëgjova pak më përpara që thoshit për impulse të reja…?

Patjetër, por problemi këtu është se sapo thua impulse të reja, secili mendon që çdo impuls është një ministër i ri, që zëvendëson një tjetër e kështu me radhë. Për ne është i rëndësishëm rezultati i qeverisë. Emrat nuk janë më të rëndësishëm dhe ne pa dyshim që presim rezultate më të mira.

Pak ditë të shkuara ju bëtë thirrje që vendet e rajonit ta njohin Kosovën. Pa dyshim që Greqia është një “çelës” në këtë zhvillim. A mendoni se Greqia bashkërisht me mundësinë për njohjen e Kosovës duhet të zgjidhë edhe disa çështje të tjera të mbetura me Shqipërinë? Të mos harrojmë se ju keni qenë i pari Kryeministër që keni përmendur çështjen e pronave të shqiptarëve të Çamërisë, çështjen çame apo edhe një sërë marrëveshjesh të tjera. U mbeteni këtyre qëndrimeve?

Duhet të jemi të ndërgjegjshëm, që problemet zakonisht janë me ato që ke më afër dhe natyrisht që janë më fqinjët, por mbi të gjitha unë jam i bindur që sot dominon, prevalon bindja, që e mira e fqinjit është edhe e mira jonë. E mira jonë është edhe e mira e fqinjit, sepse kemi një proces globalizimi dhe gjithnjë e më shumë është e qartë se edhe rajoni ynë duhet të ketë një ndjenjë tjetër të solidaritetit dhe të ballafaqimit me sfidat e globalizimit. Që do të thotë se interesat e përbashkëta janë shumë më të mëdha se sa problemet e mbartura, ende të pazgjidhura aq më tepër me një fqinj kaq të rëndësishëm sa Greqia, që është edhe anëtar i NATO-s, edhe anëtar i Bashkimit Evropian, ku ne kemi një komunitet të jashtëzakonshëm të shqiptarëve. Kemi një minoritet grek që kontribuon këtu me të gjithë vlerat dhe me të gjithë, do të thosha aftësitë e tij, për zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë. Dhe në këtë drejtim të gjitha këto çështje do të zgjidhen me dialog dhe këto çështje nuk duhen ngritur si një pengesë në marrëdhëniet midis vendeve. Ato duhen trajtuar si mënyra e duhur për ta forcuar akoma më tej këtë miqësi dhe për t’i forcuar akoma më tej ato interesa të përbashkëta, që janë të pafundme midis shqiptarëve dhe grekëve, por edhe midis të gjitha popujve të rajonit tonë.

 

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here