Dhomat e Tregtisë / Biznesi nxjerr blof aksionin tatimor të qeverisë

0
117

 

 

kasa-fiskaleKreu i Dhomës Amerikane: Në SHBA, çdo shtet ka ligjet e veta, por nëse s’merr kuponin, nuk burgosesh

Kreu i Dhomës Tregtisë Tiranë: Është hera e parë që në 25 vite krijohet dhe ngrihet në mënyrë të ristrukturuar institucioni i “hakmarrjes”, mllefit dhe urrejtjes

Ervin Kaduku

 

Biznesi vendas ka ulur kokën dhe po duron në heshtje, ndërkohë biznesi i huaj shprehet hapur se nuk e “kapërdin” arrogancën, me të cilën trajton fenomenin e informalitetit kreu i qeverisë shqiptare. Dy ditë më parë, janë shkëmbyer replika në distancë mes Kryeministrit Edi Rama dhe Dhomës Amerikane të Tregtisë lidhur me aksionin kundër informalitetit që ka mësyrë prej dy muajsh tek bizneset. Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Mark Crawford, i është përgjigjur deklaratës së kreut të qeverisë, Edi Rama, bërë më parë, për aksionin e informalitetit, ku u shpreh se “të përkrahësh informalitetin, d.m.th. të mbash barrën e atyre që s’paguajnë”. Dhe, më tej “në SHBA nuk përdorin burgun për ata që nuk presin kuponin tatimor?”, duke reaguar se format aktuale kundër informalitetit nuk duket se janë zgjidhja e duhur për të luftuar informalitetin tek biznesi. Sipas tij, Dhoma Amerikane e Tregtisë ka qenë ndër të parët që ka kërkuar luftë kundër informalitetit, por nuk mendon se mënyra si po vepron qeveria është zgjidhja e duhur.

Një ditë më parë, Rama në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Biznesit tha se do të kishte preferuar që përfaqësuesit e biznesit amerikan të ishin të pranishëm në mbledhje me të. “Përpara se përfaqësuesi i Dhomës Amerikane të Tregtisë të bëjë deklarata pas deklaratash, t’u tregojë shqiptarëve se çfarë i ndodh në SHBA dikujt që kapet në evazion apo duke shitur pa lëshuar faturën tatimore. Pasi t’ua tregojë shqiptarëve këtë, të na tregojë se çfarë duhet të bëhet më mirë… sepse të përkrahësh informalitetin apo t’i kundërvihesh këtij informaliteti, do të thotë që ata që paguajnë të mbajnë barrën e atyre që nuk paguajnë”, – tha Rama. “Në SHBA, çdo shtet ka ligjet e veta, por nëse s’merr kuponin nuk burgosesh”, – u përgjigj prerazi dhe qartë Crawford.

Dhoma Amerikane e Tregtisë ka theksuar edhe më herët se “aksioni i qeverisë po krijon efekte të kundërta nga ato të parashikuara”.

Kurse për faktin se përse munguan në mbledhje, Crawford tha: “Nuk kishim ftesë, sepse nuk jemi pjesë e Këshillit Kombëtar të Biznesit që prej muajit korrik. Jemi zëvendësuar me rotacion”.

Por, edhe subjektet vendase nuk po qëndrojnë të heshtur përballë arbitraritetit të administratës tatimore. Propozimet e fundit që bëhen për të ndryshuar Kodin Penal urojmë që të mos kalojnë, do të kërkojnë të miratohen me shumicë të cilësuar (3/5) të deputetëve. Dhoma e Tregtisë i ka analizuar me shumë kujdes këto propozime jo vetëm në një analizë të brendshme, por edhe me anëtarët e saj, sipërmarrës që ushtrojnë aktivitetin në Republikën e Shqipërisë, si dhe me ekspertë e analistë të ndryshëm. Të gjithë janë të mendimit se këto janë masa të paprecedenta e aq më tepër që merren në një vend ende në zhvillim, ku tërheqja e investitorëve të huaj është kusht i domosdoshëm për buxhetin, për profilin që duhet të krijojë një vend që synon të zhvillohet përmes sipërmarrjes private, deklaroi nga ana e tij kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Nikolin Jaka.

Nenet e propozuara ashpërsojnë, sipas tij, maksimalisht dënimet administrative. “Kodi Penal deri më sot nuk parashikonte dënime penale, pa kaluar dënimet administrative. Ky është një kapërcim që bëhet në shkelje të rëndë edhe të parimeve kushtetuese, pasi nuk mund të kemi dënim penal për vepra që në fillim dënohet nga ana administrative. Kjo mund të ndodhë nëse është marrë më parë ndëshkimi administrativ dhe pastaj është përsëritur”, sipas Jakës.

Në këtë mënyrë, tha ai, nuk bëhet asgjë tjetër veçse rëndohet klima e të bërit biznes, por edhe ekonomia shqiptare, e cila do të futet në një rreth vicioz, pasi nuk do të ketë më nisma, sipërmarrësit do të jenë të pezmatuar në zgjerim, por edhe në ushtrim aktiviteti. Gabimet janë njerëzore dhe nuk mundet që për gabimin e punonjësit të ndëshkohet sipërmarrësi. Kjo është e patolerueshme dhe e pafalshme. Ligji është shumë i ftohtë dhe i prerë.

Kreu i biznesit të kryeqytetit deklaron se e sheh me shumë rrezik këtë tendencë të mazhorancës aktuale për të penalizuar sipërmarrjen private. “Është hera e parë që në 25 vite krijohet dhe ngrihet në mënyrë të ristrukturuar institucioni i “hakmarrjes”, mllefit dhe urrejtjes. Askund nuk është parë që të paragjykohet në mënyrë të tillë sipërmarrja e lirë. Është rruga më e gabuar që mund të ndiqet. Në normalitet ne duhet të jemi “shërbëtorë” të sipërmarrësit privat që merr nisma dhe ndihmon në uljen e papunësisë. Ne sugjerojmë dhe propozojmë që jo vetëm këto masa të mos aplikohen, por të ketë liberalizim dhe lehtësim të masave penalizueze, qoftë edhe për gjobat. Nga ana tjetër të përjashtohen të gjitha veprat që kanë tendencë për të rënduar situatën e sipërmarrjes private. Ne do të vazhdojmë të lobojnë që, këto ndryshime të cilat po miratohen me procedura të përshpejtuara, të mos kalojnë në Kuvend”, – shton ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here