“Bio Fest” në Baldushk / Erion Veliaj: Ushqimet dhe bukuritë e periferive të Tiranës, ende mister

0
128

 

 

downloadAktiviteti synonte njohjen e prodhimeve dhe shfrytëzimin e bukurive natyrore të zonave përreth Tiranës

 

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, zgjodhi Baldushkun për të promovuar prodhimet bujqësore dhe blegtorale të zonës. Gjatë fjalës së tij, Veliaj vlerësoi shumë të rëndësishëm konsumimin e prodhimeve që rriten në zonën e Tiranës. “Me shtrirjen e madhe që ka Tirana, i ka të gjitha mundësitë për ajër të pastër, natyrë, ushqim bio. Mjafton vetëm të marrim mundimin dhe të dalim nga stresi i qytetit, për të shijuar bukuritë e natyrës, shumë pranë qendrës së Tiranës, këtu në Baldushk dhe fshatrat përreth”, – deklaroi Veliaj në “Bio Fest”. Ndërkohë, kryetari i Bashkisë së Tiranës kërkoi nga qytetarët që secili të bëjë reklamë të zonës së vet dhe prodhimeve që ofrohen në çdo pjesë të qytetit. “Sot në kohët e vështira ekonomike, patriotizëm do të thotë që paratë që do të shpenzosh për ushqim, më mirë shpenzoji te fermeri i Tiranës për produkte lokale të zonës, se vetëm kur i mbajmë paratë në ekonominë tonë rritemi të gjithë njësoj në ekonominë e gjithë qytetit. Kam shumë respekt për të gjithë ata që sjellin mall importi, por këtu në Tiranë u themi, faleminderit shumë sepse tonat i kemi më të mira dhe paratë do i mbajmë e do i investojmë brenda qytetit të Tiranës dhe brenda Bashkisë së madhe të Tiranës”, – theksoi më tej Veliaj. Në fund të fjalës së tij, ai kërkoi që kushdo që ka ardhur në Baldushk të shpenzojë disa para për të blerë prodhimet e njohura të zonës. “Ka njerëz sot që kanë ardhur nga Blloku, nga Kombinati, nga Lapraka dhe aktivitete të tilla, më shumë se sa vetëm të blejmë dhe të njohim produktet e një zone, na shërbejnë për të njohur dhe të bëjmë më shumë për njeri-tjetrin, si dhe të kuptojmë se në një bashki, në një qytet, ne rrëzohemi dhe ngrihemi të gjithë bashkë”, – pohoi kryetari i Bashkisë së Tiranës, i cili u bëri thirrje të gjithë qytetarëve për njohjen e prodhimeve të kësaj zone. Pak kohë më parë Bashkia e Tiranës pati organizuar festa të ngjashme në Pezë, Shëngjergj dhe Ndroq, të cilat janë kthyer tashmë në traditë për të promovuar zonat e reja që i janë bashkuar kryeqytetit. Kryebashkiaku Veliaj, në këto aktivitete, ka pohuar se prioritet i tij do të jetë zhvillimi i bujqësisë, blegtorisë, duke ndërmarrë një sërë reformash, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e kushteve për t’ua lehtësuar punën tregtarëve që shkojnë nga zonat e thella të Tiranës drejt saj, për të shitur prodhimet e tyre. Ai ka theksuar rëndësinë e investimeve të mëdha për të sjellë zhvillimin e shumë sektorëve të këtyre zonave, si: integrimi rrugor i zonave rurale në territorin e Bashkisë së Tiranës, ndërlidhje me transport publik të të gjithë territorit, rikonceptim i shpërndarjes gjeografike dhe organizimit të tregjeve, vendosjen në punë të sistemit të vaditjes dhe kullimit në territorin e Tiranës, duke ngritur Qendrën e Agronomisë dhe Veterinarisë për të orientuar fermerët, Qendrën e Këshillimit dhe Mbështetjes së Zonave Rurale për të ofruar asistencë teknike dhe garante për fermerët, ndërtim i pikave të grumbullimit të prodhimeve bujqësore e blegtorale përmes skemave të PPP-së, hartimi i një guide të plotë turistike për atraksionet turistike, vendosja e linjave të transportit të dedikuara drejt pikave turistike strategjike. Mirëpo pavarësisht premtimeve që Veliaj ka sjellë për të kontribuar në ato zona të cilat kanë mbetur pas në zhvillim, ende nuk shihet asnjë përmirësim në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here