Agjenti i ngjarjes “Kobra” / Përse la testamentin me dosjen enigmatike midis Sigurimit dhe CIA-s

0
414

Mëkatarët/ Nga libri më i bujshëm në këta 25 vjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, rrëfimi i kreut të Komisionit të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani

 

 

largea_spi1426172655

 

Nafiz Bezhani

 

Testamenti i Kobrës

Skënderi nuk e dinte se ç’kishte në atë çantë, por e merrte me mend se ishte testament politik i të atit, sepse për 9 muaj që qëndroi i gjallë në shtëpinë e tij, asnjë ditë nuk doli në qytet, por me penë në dorë shkruante ato që mbushën këtë çantë. Por çfarë kishte shkruar vallë? Ai e dinte se i ati kishte kryer shërbime sekrete të rëndësishme, e dinte se ishte i sëmurë rëndë dhe ishte kthyer vetëm për t’i dhënë mundësinë për të vdekur në shtëpinë e tij. E dinte që Partia e Punës dhe shteti shqiptar e kishin deklaruar tradhtar dhe armik, dinte edhe që ishte dënuar nga një gjykatë ushtarake, por asgjë më shumë. Ishte matur disa herë për të pyetur të atin, por ai ishte treguar serioz, pa fjalë. Nuk i pëlqente të fliste për të kaluarën dhe u shmangej pyetjeve të tilla. I pëlqente të rrinte i vetmuar edhe kur nuk kishte ndonjë punë në duar. Dukej qartë që kishte brenga të shumta e të rënda, të cilat nuk donte t’i ndante me të tjerë. Dhe Skënderi, që e donte aq shumë, kishte vendosur ta linte të qetë, të mos i ngacmonte plagën e shpirtit, i bindur se do të vinte koha për të mësuar ato ngjarje të mistershme që kishin rrënuar jetën e babait të tij. Por babait i erdhi shumë shpejt fundi i jetës. Dhe pikërisht atë ditë, kur dhimbjet e tmerrshme të tij nuk i frenonte dot as morfina, zgjati dorën për të marrë çantën që kishte pranë krevatit dhe i tha Skënderit:

-Dëgjo, Skënder, të lë amanet dosjet që kam në çantë, t’ia dorëzosh patjetër, t’ia do…rë…zosh…

Dhe me kaq, Saliu mbylli sytë përgjithmonë. Fytyra e tij, e mbuluar në djersë nga dhimbjet e padurueshme, filloi të ftohej dhe të merrte ngjyrën e verdhë. Mjeku që i kishte qëndruar pranë gjatë gjithë natës, i dha dorën të shoqes dhe djalit të tij, duke u thënë:

-Ishte e pamundur të bëhej më shumë, “kandilit i mbaroi vaji”.

Njeriut i shfaqen ngjarje të ndryshme emocionale, që zënë vend në kujtesën e tij sipas fuqisë ngacmuese, shumë nga të cilat bëhen pjesë e saj për tërë jetën. Por ka edhe grimca emocionale, që për dikë quhen fare të parëndësishme, ndërsa udhëtojnë në jetën e tjetrit për një kohë shumë të gjatë, po me ato ngjyra, po me atë bukuri, po me atë qartësi. Dhe kur dikush i shfaq këto emocione pas një kohe të gjatë, tjetri nxiton të vlerësojë kujtesën e tij duke u shprehur habitshëm: “Çfarë memorie paska, mban mend se para 50 vjetëve e paska mbjellë në bahçe një fik kallamatas dhe ujiste çdo ditë për ta rritur sa më shpejtë, por ia kishte ngrënë gomari i komshiut. Ai kishte qarë dhe kishte rrahur me shkop gomarin”. Por kjo ngjarje nuk është aq e vogël për kushtet psikike të një vogëlushi, përkundrazi është shumë e madhe, sepse ka të bëjë me një ëndërr të bukur të tij që iu pre në mes. Por ngjarje të vogla shpesh shkaktojnë një ndjenjë të fuqishme edhe në mosha të mëdha, veçanërisht kur ato lidhen me ngjarje të caktuara emocionale. Pikërisht një ngjarje e tillë, impresionuese, m’u shfaq papritur për shokun tim të luftës, Sali Danin, si një kopje e të atit, ashtu i thjeshtë, me një çantë në krah, kur qetësisht hapi derën e jashtme të shtëpisë sime dhe hodhi hapat e tij në korridorin drejt derës së shtëpisë. E pashë nga dritarja dhe m’u kujtua i ati, plot 48 vjet më parë, kur zbriste një rrëpirë me “sharsin” në krah, në Qafën e Gjarprit, pikërisht atje ku një orë më vonë u zhvillua një nga betejat më të përgjakshme të Brigadës së Parë S, me forcat e zgjedhura naziste. Aty e mori plagën e rëndë, për të cilën nuk i tregoi asnjë partizani, derisa u thyen armiqtë. Sa shumë i ngjante i biri. Me nostalgjinë e asaj kohe të bukur dhe me keqardhjen e madhe për dramën e jetës së tij, zbrita shkallët menjëherë dhe i hapa derën pa arritur ende t’i binte ziles. E përshëndeta dhe e ftova të hynte brenda, por ai m’u përgjigj:

-Faleminderit, por nuk mundem. Sot kemi “të shtatat” e babës dhe duhet të kthehem shpejt se presim miq.

Skënderi ngriti paksa çantën që kishte në krah dhe ma zgjati përpara duke më thënë:

-Këto janë për ju, janë amanete që m’i ka lënë baba para se të vdiste, me porosi që t’ua dorëzoj juve. Sot, kur shkuam para vorrit të tij, e ndjeva veten borxhli, pasi nuk ia kisha plotësuar amanetin, prandaj erdha shpejt. Urdhëroni! Tani e ndiej veten të çlirët, të qetë e të lumtur. Mirupafshim!

Për mua ishte gjithçka e qartë dhe e kuptueshme. Sali Dani kishte vendosur, më në fund, të hidhte dritë mbi enigmat e veprimtarisë së tij shumëvjeçare si agjent i një rëndësie të veçantë, mbi heroizmat, gabimet dhe aventurat e çuditshme që iu imponuan, me hollësitë e ngjarjeve me dramatike, të cilat i mungonin tregimit mbi “Kobrën”. Dhe e hapa çantën me padurim për t’u njohur sa më parë me të gjitha hollësitë e atyre ngjarjeve dramatike që kanë krijuar vakuum të nevojshëm në tregimin mbi “Kobrën”. Edhe më kishin krijuar shumë enigma për figurën e tij, të cilat me siguri do të gjenin shpjegimin bindës në testamentin e tij. Cilin, vallë, kishte tradhtuar “Kobra”, Sigurimin e Shtetit apo CIA-n? Me çfarë akuze u arrestua dhe u gjykua ai? Cili ishte shkaku i lirimit para kohe? Kush e vrau realisht gazetarin Njekov? Cili ishte shoferi i “Kobrës” dhe si u zhvilluan ngjarjet rreth tij? Pyetje, shumë pyetje kërkojnë shpjegime, por me siguri ato do të gjenden në këtë çantë me testamentin e fundit të tij.

Në çantë kishte dy dosje të zakonshme kartoni dhe gjashtë blloqe, mbi të cilat ishin shkruar numrat rendorë nga 1 deri në 8. Dhe, për t’u njohur me materialin, respektova këta numra rendorë, që pa dyshim përfaqësojnë edhe rrjedhën kronologjike të ngjarjeve të paraqitura prej tij.

Qysh në fillim, në dosjen e parë, ndjeva se kisha të bëja me një material të shkruar me shumë ngut, çka bën të qartë faktin që shkruesi i testamentit dinte dhe priste nga çasti në çast fundin e jetës së tij, të asaj jete që nisi me ëndrrat më të bukura, për të ardhmen e popullit, të asaj jete vullkanike të rinisë revolucionare që u ngrit furishëm kundër sundimit nga të huajt të truallit mëmë dhe luftoi heroikisht për realizimin e këtyre idealeve fisnike. Midis tyre bënte pjesë edhe biri trim i Labërisë, Sali Dani, luftëtar me ideal të lartë, shembulli i vetëmohimit dhe trimërisë së rrallë në të gjitha betejat e zhvilluara kundër pushtuesve dhe armiqve të tjerë. Por jeta e këtij luftëtari trim u trazua aq shumë sa tani, kur numëronte ditët e fundit, i lutej Zotit t’i shtonte edhe pak ditë jetë, sa të thoshte të gjitha ato që kishte në mendje dhe në zemër, të gjitha ato që kishte bërë, të mira e të këqija, për t’i lënë në gjykim të opinionit. Me siguri jo për t’u shfajësuar apo për të kërkuar mëshirë, por për të gjykuar me drejtësi veprën e tij, ashtu siç është e vërteta. Dhe ai kishte besim në të vërtetën. Kur hap dosjen e parë të tij, në fletën e kreut ka shkruar:

“Kam vepruar gjithnjë nën urdhrat e sovranit tim, të atij sovrani që më udhëhoqi edhe në moshën time adoleshente, për të luftuar armiqtë e brendshëm e të jashtëm të Shqipërisë, të atij sovrani që frymëzoi idealin tim të lartë për t’i shërbyer kombit pa kursyer as jetën. Dhe sot, para fundit të jetës sime, gjykoj se i kam shërbyer pa lëkundje idealeve të sovranit tim, i kam shërbyer të vërtetës së madhe të Kombit tim, që Bota turpësisht nuk deshi ta shihte, ta njihte dhe ta respektojë atë të vërtetë aq të madhe, aq të bukur dhe aq të pastër, që shkëlqen si diell, me ngjyra të gjakut e të djersës se mijëra e mijëra bashkëkombësve të mi. Kjo është e vërteta që Bota mizore ia ka mohuar Kombit tim. Unë u bëra pre e kësaj të vërtetë dhe kjo më bën ta pres i lumtur vdekjen. Krenaria e shqiptarit, për të vërtetën, nuk ka njohur, nuk njeh dhe nuk do të njohë asnjë alternativë tjetër. Ka më se pesë shekuj që shqiptari lufton për të vërtetën. Kurrë nuk pranoi alternativë tjetër, sepse e vërteta nuk ka alternativë, kurrë nuk pranoi të nënshtrohej apo të asimilohej! Në rast se në Botë ekziston monopoli i të vërtetës, ai gjendet në Shqipëri. Në rast se në Botë do të krijohej një monument për të vërtetën, ai i përket Shqipërisë!”

Kjo aperturë e testamentit të poliagjentit Sali Dani pasqyron atë kalvar të gjatë të vuajtjeve dhe sakrificave të tij, në mbrojtje të idealeve të mëshiruara në të gjithë veprimtarinë e tij, të veprimeve të tij të guximshme e të rrezikshme për jetën, i bindur plotësisht se i përkushtohej një të drejte madhore që i ishte mohuar kombit të tij. Por veprën e tij e gjykoi pasioni me ligjin e kohës, duke e penalizuar për tradhti, si agjent në shërbim të CIA-s, në të njëjtën kohë, kur vetë CIA e gjykoi dhe e dënoi atë për veprimtari sekrete në shërbim të Sigurimit të Shtetit Shqiptar. Dhe me logjikën e tij, në këtë testament, ka lënë në gjykim të opinionit të gjithë veprimtarinë e tij shumëvjeçare, për të cilën dihej pak.

Në shënimet e dosjes nr. 1, Saliu shpjegon rrethanat që e detyruan të bëhej vrasës i dinakut Mirko Vukoviq, i cilësuar prej tij si një gjarpër i rrezikshëm që derdhte vetëm helm vdekjeprurës, një nga armiqtë më potencialë të Shqipërisë. Ai tregon se para se të vendoste të bënte këtë akt kaq të rëndë, kishte bërë edhe dy vizita të tjera në Beograd, ku kishte biseduar gjerësisht me Mirkon, sidomos për veprimtarinë sekrete të UDB-së në Shqipëri. Ai i kishte kërkuar për të krijuar një bashkëpunim më efektiv dhe gjoja ishte bindur dhe i kishte dorëzuar një listë me 16 agjentë të rekrutuar prej tij në zonat veriore e verilindore të Shqipërisë. Por rezultoi se kjo ishte një listë fiktive, e dhënë me qëllime të caktuara. Nga verifikimet e bëra, dilte se nga të 16 personat që Mirko pretendonte se i kishte agjentë të tij, vetëm njëri ishte në shërbim të tij, i zbuluar kohë më parë nga organet e Sigurimit të Shtetit, i gjykuar dhe i dënuar me heqje lirie për 25 vjet. Ndërsa shumë nga ata që kishte në listën e paraqitur, kanë qenë denoncues dhe dëshmitarë për dënimin e agjentit të UDB-së.

Herën e dytë të kthimit në Beograd, Saliu e vuri Mirkon para një prove, duke i thënë se në veri të Shqipërisë po planifikohej organizimi i një kuvendi mbarëkombëtar me agjentët e CIA-s, ku do të thirreshin edhe disa nga ata të UDB-së, që i kishte dhënë ai në listë. Por Mirko kishte reaguar menjëherë kundër, për dy arsye kryesore: e para nuk është koha për të rrezikuar njerëzit tanë dhe e dyta se në Shqipërinë e Veriut tani po organizohen njësi të vogla ushtarake, të cilat fillimisht do të bëjnë aksione të vogla e më pas do të forcohen e të çlirojnë zona të gjera. Pikërisht në kushte të tilla do të bëhej i mundur dhe organizimi i një Kuvendi.

-Kuvendi duhet të bëhet shpejt – u përgjigj Saliu, ai është miratuar nga organet më të larta.

Mirko nuk mund të pajtohej me një Kuvend të tillë, për shkak se lista që i kishte dhënë Saliut ishte fiktive dhe do të zbulohej veprimi djallëzor i tij, prandaj iu drejtua me një ton më të vendosur:

-Ju, zoti Hobson, nuk mund të bëni një kuvend të tillë pa pasur ndihmën tonë, që duhet të llogaritet kryesore për Shqipërinë. Ju deklarova se ne po përgatisim kushtet për një takim të tillë. Po aktivizojmë një nga personalitetet e njohura të emigruar në Jugosllavi, i cili ka qenë funksionar i lartë dhe ka influencë të madhe në të gjitha krahinat kufitare. Ai ka filluar të organizojë këto njësi të vogla, të cilat do të fillojnë shpejt aktivitetin.

-Cili është ky funksionar? – pyeti me dyshim Saliu.

-Ai është Lirim Dema, zoti i vërtetë i maleve, ai ka kaluar për 13 herë kufirin e Shqipërisë dhe është kthyer shëndoshë e mirë dhe me detyra të plotësuara. E rëndësishme është se ai ka krijuar edhe një aktiv të gjerë të UDB-së në këto krahina.

-Kisha dëshirë për ta takuar personalisht, vetëm ose në praninë tuaj – kërkoi Saliu. Ky takim do të kishte rëndësi për të njohur më nga afër, kuptohet, më në hollësi, situatën aktuale në Shqipërinë e Veriut, çka do të më mundësonte një arsyetim më të plotë për të kërkuar pezullimin e vendimit për thirrjen e kuvendit në një situatë të papërshtatshme.

Por Mirkoja iu përgjigj me cinizëm:

-Përderisa takohet me mua, përse u dashka të takohet edhe me ju?

Ne jemi miq, zoti Hobson, apo jo? Si të tillë duhet të respektojmë njëri-tjetrin dhe të kemi bashkëpunim miqësor.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here