Shorti Shqipëria zyrtarisht në vazon e katërt, Italia në të dytën

0
130

 

Euro 2016Shqipëria mbetet në vazon e katërt, me Islandën dhe Uellsin, bazuar kjo në renditjen sipas koeficientëve të UEFA-s

 

Jurges Veizaj

 

Pas 13 muajsh dhe 260 ndeshjesh të luajtura, përfundoi faza e grupeve në kualifikueset e Euro 2016-ës. UEFA zyrtarizoi ekipet pjesëmarrëse, duke publikuar listën e skuadrave që siguruan një vend direkt në evenimentin në Francë. Nuk ka si të mos bëjë përshtypje edhe prania e Shqipërisë mes 20 vendeve që do të marrin pjesë në turneun më të rëndësishëm të futbollit kontinental. Kuqezinjtë do të jetë në vazon 4 të shortit për fazën e grupeve të Kampionatit Evropian 2016, i cili do të hidhet më 12 dhjetor në Paris. Konfirmimi erdhi nga UEFA, që në faqen zyrtare publikoi edhe pozicionimin e 20 skuadrave të kualifikuara direkt në evenimentin më të rëndësishëm kontinental. Shpërndarja e skuadrave nëpër vazot e shortit është realizuar në bazë të koeficientëve në renditjen e UEFA-s. Përfaqësuesja kuqezi pozicionohet e parafundit, mes 24 skuadrave finaliste të Euro 2016-së, duke lënë pas vetëm Irlandën e Veriut. Për këtë arsye mbetet në vazon e katërt, ku ekipe të tjera të konfirmuara janë edhe Islanda e Uellsi. Në bazë të koeficientëve këto përfaqësuese kalohen edhe nga ekipet që luajnë në fazën play-off. Vazoja e katërt do të plotësohet nga dy skuadra, që në bazë të koeficientëve rrezikojnë të jenë Turqia dhe Sllovakia. Vazo e tretë është e gjitha për t’u përkufizuar, me skuadra si Republika Çeke, Polonia e Rumania, të cilat presin të mësojnë ekipet që do të kualifikohen nga ndeshjet play-off. Nga kjo fazë, vetëm Bosnja dhe më tej Ukraina kanë shansin që, nëse sigurojnë një biletë për në Francë, të pozicionohen direkt në vazon 2. Vetëm nëse boshnjakët dhe ukrainasit dështojnë, aty do të ngjitej Republika Çeke. Në shortin e grupeve nuk do të tërhiqet emri i Francës, që si vend organizator ka të garantuar vendin e parë në grupin A të Euro 2016-së. Spanja, kampione në fuqi e Evropës, ka të garantuar vazon e parë, e cila plotësohet nga Gjermania, Anglia, Portugalia dhe Belgjika. Vetëm në vazon e dytë, Italia, përkrah emrave të tjerë të mëdhenj si Rusia, Zvicra, Austria dhe Kroacia. E përditshmja spanjolle “AS” i kushtoi hapësirë faktit që në turneun e parë kontinental me 24 skuadra, Shqipëria, ashtu si edhe Islanda, Uellsi dhe Irlanda e Veriut siguruan kualifikimin e parë historik. Katër vendet e mbetura të Evropianit në Francë do të përcaktohen pas ndeshjeve play-off, me katër ekipet fituese që do të plotësojnë kuadrin e Euro 2016-ës. Ndeshjet do të luhen me sistem vajtje-ardhje në muajin nëntor, ndërsa shorti i grupeve për finalet e evenimentit në Francë do të hidhet më 12 dhjetor në Paris. Evropiani 2016 do të zhvillohet nga 10 qershori deri më datë 10 korrik.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here