Rrëfimi i murgut të marrë rus…

0

Vjen në shqip jeta dhe kujtime të autorit rus  “Murgu i marrë i Rusisë, Iliodor”, I cili rrëfen ç’ka parë e dëgjuar pasi mbërriti në shtetin e madh të lirisë në SHBA, ku shpjegon pse nuk ishte i aftë të publikonte asgjë në lidhe me ish oborrin mbretëror rus dhe shkaqet që sollën Revolucionin rus

Loading...

 

 

 

dhjet-euml-misteret-e-pazbardhura-t-euml-rusis-euml_hd

 

 

Sergei M. Trufanov

Gjithçka që kam shkruar në këtë libër e kam parë dhe dëgjuar vetë. Ç’kisha parë e dëgjuar nuk mund ta shkruaja përpara mbërritjes sime në këtë shtet të madh dhe të lirë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës; madje edhe këtu, përveç muajve të fundit, në sajë të një kombinimi ndërmjet rrethanave të pafata dhe arsyeve politike, nuk kam qenë i aftë të publikoj asgjë në lidhje me ish-oborrin mbretëror rus dhe shkaqet që sollën Revolucionin Rus. Si rrjedhojë, zbulimet e mia në formën e tyre të plotë nuk kanë parë kurrë dritë.

Shtypi i gjuhës angleze në këtë shtet ka vërshuar me artikuj, mbi Rusinë dhe jetën e oborrit rus, të shkruar nga njerëz të cilët nuk kanë parë pothuajse asgjë prej tyre, ndaj autenticiteti i tyre nuk mund të qëndrojë. Ata kurrë nuk e panë carin; ata kurrë nuk e panë Rasputinin si ishte në të vërtetë. Gjymtimi dhe shtrembërimi i historisë sime ka qenë burim i një hidhërimi të madh tek unë, dhe e kam pyetur veten shpesh herë “A është e mundur që unë, miku më i afërt që Rasputini ka patur ndonjëherë, nuk do të kem asnjë mundësi të them fjalën time?”. Ishte një periudhë kur humba të gjithë shpresën dhe vendosa të kthehem në Rusi. Më pas takova Feliks dë Tielé, i cili, i shtyrë vetëm nga motive altruiste, sheshoi rrugën për mua, me rezultatin që, siç shpresoj, zbulimet e mia  të përhapen mespërmes SH.B.A.-së dhe gjithë botës. Për shërbimet painteres që Feliks dë Tielé ka paraqitur në këtë vepër, unë do të dëshiroja t’i shprehja thellësisht mirënjohjen dhe vlerësimin tim.

Është e nevojshme për mua t’ju bind juve, lexuesve të mi të çmuar amerikanë, se ajo që do tregoj meriton vëmendjen tuaj. Le të flasin vetë faktet, fakte të cilat do t’jua rrëfej ashtu sikurse kanë ndodhur në të vërtetë gjatë rrugëtimit të jetës sime. Këto fakte janë të pazakonshme, njësoj siç janë edhe qiellgërvishtësit tuaj gjigantë, kullat e të cilëve, me sa duket, edhe për pak do të arrijnë qiellin dhe yjet.

E di që keni dëgjuar shumë thashetheme të çmendura dhe legjenda të çuditshme rreth meje. Më tepër se një histori fantastike ka qarkulluar këtu rreth “murgut të marrë” të tokës legjendare të carëve, për Iliodorin, një emër i cili me siguri në këtë shtet është paraprirë  nga një ndjenjë tmerri dhe habie, po njësoj siç ndodhi edhe midis ca klasave te popullsisë ruse.

Ju tashmë keni dëgjuar për fjalimet e zjarrta reaksionare të murgut, ju keni dëgjuar që ai udhëtoi nga njëri cep i Rusisë në tjetrin, duke mbjellë urrejtje pas gjurmëve të tij dhe duke ndezur zemëratën e njerëzve. Ju jeni informuar se At Iliodori ishte hija e errët e Rusisë, gjeniu i lig i carit, dhe një nga kryqtarët kryesorë kundër atyre që u përpoqën për liri në Rusi. Besoj se ju keni krijuar, gjithashtu, një ide edhe për terrorin e egër që emri i murgut Iliodor ngjalli në popullatën çifute të Rusisë.

Më pas, shumë nga ju dëgjuan se po ky “murg i marrë” zhvilloi një luftë kundër Sinodit të Shenjtë , kundër reaksionarëve dhe kundër gjithë atyre që shtypnin dhe torturonin të varfrit. Një legjendë mbërriti te ju për një djalë të ri, të cilin mijëra njerëz e ndiqnin me besim të patundur, i cili përshkoi në këmbë gjithë Rusinë, duke predikuar, lutur, nxitur dhe terrorizuar ata që i kishte ndihmuar më parë në shuarjen e dritës në Rusi. Ju keni dëgjuar se si murgu Iliodor i bëri ballë një rrethimi të pastër në manastirin e tij në Caricin për njëzet ditë të tëra, dhe në fund u shfaq triumfues përmbi Sinodin e Shenjtë dhe gjithë klikës sunduese Ruse. Më vonë ju dëgjuat se unë isha arratisur nga Rusia dhe se zyrtarë të lartë të qeverisë ruse u dërguan jashtë shtetit për të negociuar me mua në lidhje me një propozim për atentat mbi jetën e Rasputinit. Gjithashtu, kanë arritur te ju aludime në lidhje me sekretet skandaloze të oborrit të carit, të cilat ruheshin nga unë dhe për të cilat janë bërë orvatje të vazhdueshme për të m’i marrë.

Tani vij te ju me rrëfimet e mia. Do dëshiroja të prezantoj veten te ju. Do dëshiroja t’ju them se cili jam, nga erdha, si kam jetuar në vendin tim të lindjes, çfarë roli kam luajtur aty dikur, çfarë jam tani dhe si ka zënë vend ndryshimi tek unë.

Po, kam qenë dikur një nga shtyllat kryesore të reaksionarëve  të Rusisë. Reaksionarët më prezantuan në shoqëri, më krijuan lidhje miqësore me kontët, princat  dhe dinjitarë të tjerë, dhe më ndihmuan të fitoja vlerësimin e carit. Ata më konsideronin një njeri të madh. Më zbuluan sekretet e tyre. Unë isha këshilltari i tyre dhe po unë i varrosa veprimet e tyre të poshtra.

Më vonë, një ndryshim i plotë ndodhi tek unë. Do dëshiroja ta rrëfeja edhe këtë ndryshim. Dua të tregoj të gjithë historinë e angazhimit tim në ngjarjet historike të Rusisë bashkëkohore.  Do përpiqem të them të vërtetën për veten, dhe asgjë tjetër përveç saj. Natyrisht, mund të ndodhë t’ju tregoj më tepër të mira sesa të këqija për veten time. Sidoqoftë, mos ma ngarkoni këtë  si një mëkat. Të jeni të sigurt se gjithë të ligat për veten time, të cilat unë i fsheh, do të ekspozohen nga “miqtë” e mi. Unë kam në Rusi një numër të madh “miqsh” të tillë. Si rregull, unë i bekoj ata, sepse më mësojnë modestinë, për të ekspozuar përpara gjykimit njerëzor atë për të cilën dobësia ime njerëzore do më detyronte ta mbaja të fshehtë. Por tani iu detyrohem atyre edhe një nder: falë tyre unë pashë Amerikën.

Shpresoj ta bëj të qartë në këtë libër se gjendja e errët e Rusisë dhe mbretërimi i Romanovëve ishin një lloj produkti i misticizmit karakteristik të popullit rus. Nga farat e këtij misticizmi u rritën dy forca nën hijen e Oborrit Rus: “Engjëlli Mëkatar” dhe “Djalli i Shenjtë”. Rasputini ishte simboli i forcës së errët. A është e mundur për mua të prezantoj veten si personifikimi i fuqisë së dritës? Me këtë nënkuptoj vetëm se  isha duke u përpjekur drejt së vërtetës, si gjithë qeniet e tjera njerëzore, nënshtruar gabimeve, bazuar në influencat e edukimit tim, në ambientet në të cilat kalova djalërinë, dhe varësinë time ndaj paragjykimeve supersticioze. Karakteri im përfaqëson energjitë e fshehta brenda trupit njerëzor, të cilat udhëhiqen kah e vërteta. Rasputini, nga ana tjetër, ishte “Djalli i Shenjtë” në një trup që ishte i nderuar nga të gjithë. Ai përfaqësonte errësirën, korrupsionin, burimin e gjithë të ligave të Rusisë. Ai ishte, me një fjalë, djalli i veshur me rrobën e engjëllit.

Cilido që lexon librin tim nuk mund të ketë dy opinione për aktivitetin e Rasputinit. Shpirti i lexuesit do të tejmbushet me ndjenjë zemërimi dhe revolte kundër të famshmit “shenjtor të oborrit” dhe sovranëve të tij të çmendur e egoistë, si dhe përkrahësve të tyre. Për të ilustruar “Djallin e Shenjtë” do të tentoj të jem kryesisht objektiv. Do mundohem të shkruaj sikur “shenjtori” nuk më ka lënduar kurrë; dhe sikur, diku, qoftë për një moment, i lë vend kryesisht ndjenjave të mia, i lutem lexuesit të më falë. Mendoj se lexuesit do jenë të dashur dhe shpirtbutë me mua pasi të jenë njohur me faktet që do prezantoj, kur portreti i “Djallit të Shenjtë” të ngrihet përpara tyre pamohueshmërisht i qartë dhe autentik, një portret i pikturuar jo nga një artist i penelit, por modestisht nga një artist i fjalës.

Përktheu:  Edi Sara

 

Loading...

Lini nje pergjigje