Jam kështjella me luleshtrydhe të pjekura

0
154

Nga vëllimi me poezi të Eli Kaninit, “Mjellma ëndrrash të purpurta”. Lirizmi që ndan rregullat nga liria, estetikën nga ndjeshmëria, duke zbërthyer me ngjyra nëntekstesh çfarë i takon njerëzores, e sidomos sojit të saj si afri e arsyes

 

 

pikture2_zps16908536

Eli Kanini

NJË LUTJE PËR DY ZOTËR

 

I vara ëndrrat nëpër fije shpresash

Zotit ia lashë si fëmijë të luajë

afro e largo siç ai di dhe do

pa më marrë pranë vetes

me sytë në qiell duke më lënë

në pritje, derisa ti më gjete…

Ti mos m’i këput fijet e ëndrrave

kur sytë mbi ty i mbaj me shpresë

se Zoti është i llastuar si fëmijë

ndaj sa herë i lutemi ai na qesh

një kapriço e tij na fundos të dyve

bëj të lutem pak kujdes!

Nëse nuk ia beson të tuat ëndrra

besomë mua për këto që them

që të jesh ëndrra ime në duart e Zotit

sigurisht nëse dëshiron

Ndryshe…

Ndryshe bëhu Zoti im!

 

 

KUR BIE SHI…

 

Si gota vere ma ngrohin trupin kujtimet e tua

Që lagen nga shiu dhe ndrisin

Si qelqe, edhe më të bukura

Të tejdukshme krejt…

Më duhet të të puth ndryshe tani

Në distancë

Me shkrime që si puthje pa buzë të vijnë

Por më beso, nuk është keq

Është sprovë dashurie dhe kaq…

E tmerrshme është

mos kesh kë të puthësh a të duash

Sidomos kur bie shi…

 

FALMË

 

Falmë!

Nëse me gaz fëmije të vij rrotull

E shkujdesur si fëmije të jepem

dhe me logjikën e tyre reagoj ndaj teje

Falmë!

Më bën kështu lumturia, që pranë teje ndjehem

Sa pa më çmendur dashuria jote

Përkujdesu duke më rritur mençurisht

Pranomë,aq sa të gjerë e kam shpirtin

Falmë!

Unë të kam falur

Që më përzgjodhe të më duash…

 

 

SINTAKSË DASHURIE

 

Në fillim ai…

Më pas ajo…

Pastaj të dy…

Në vazhdim ata…

Së fundi veç e veç…

Gjithë kohën dashuria i përgjonte

Kurrë s’mundi tua ndryshojë fatin

Të paktën u dha shansin

Jetuan së bashku

Për çastin…

 

 

PROFILAKSI

 

Ej Zot

kur të bësh dashuri me mua

vendos prezervativin!

Se s’dua t’i pjell zotër të tjerë kësaj Toke

le të mbetesh ti, i vetmi

e meriton kjo tokë dreqërish…

E nëse duhet

atje në Qiell kur të vij

ma provo pjellorinë

atje është i duhuri vend, për të rritur farën tënde

që duhet të vijë mençurisht tek unë

dhe më tej…

Nëse nuk je egoist

për të mos mbetur penis i ngrehur i përjetshëm

qiejve të pamëkatë

fillo të rritesh brenda meje

fillo të jepesh pak e nga pak

ti dhe Toka më keni zgjedhur

lërmëni tu shpie më larg…

 

RRËFIM POETIK

 

Sot jam me cikël

e plotë në biologjinë time prej femre

nuk dua të zgjoj reflekse vampiri tek ty

të lajmërova se i përkas vetes me të gjitha

edhe me brendinë time,stacioni yt i preferuar….

Mos më prek, lërmë ta prek vetë veten!

Vë duart mbi gjokset dhe thithat ngrihen:gati tu!

Si ushtarë, dhembin dhe binden

duke ma dëshmuar trupin në pritje për më tej…

Lëshoj dorën butë mbi bark

rrethoj kërthizën si ishull,me gishta bëj rrathë

derisa një zog nën lëkurë rreh flatrat

sikur më fton në kurth, në mëkat…

Jo, jo mos ma kërko vetja ime

atë që Zoti e ka lënë për një burrë

nuk do mundja unë, kurrë!

Unë jam kështjella me luleshtrydhe të pjekura

e vetëkënaqur, në kënaqësinë e paplotë

çel lulëkuqe, pikoj femër….

Kërkoj sytë e tu prej xhentëlmeni, të lodhur nga muaji

Që të uritur nga luleshtrydhet, duken kësaj dite…

Ah buzët, harruar prej meje jashtë kështjelle

oh ç’instinkt zgjohet, prej njeriu shpelle

mi thith me meritën tënde prej rebeli

kështjella ime ra,veç rrëfim ngeli

puthja i shembi çdo mur

prej rëre ish

dhe dallga ishte burrë!

 

VAKUUM…

 

Në këtë festë llamburitëse

çdo gjë është prekur nga shkopi magjik

veç shpirtit që diku larg më rri pezull …

Nuk mungojnë vështrimet mbi mua

e sigurtë për t’u shfaqur e dukur

as fjalët nuk peshohen

më bëjnë të ndihem e bukur

pa qenë e lumtur…

Muzika ma tund e shkund trupin

pa ma sjellë dot shpirtin në festë.

Gjithçka është me tepri këtu

unë ndiej një mungesë…

Shihe!

Në këndin e buzës më mungon puthja jote

edhe pse veshët kumbojnë:

Të kam jetë, jetë, jeeeeet…

Shpirti rend pas teje

Trupi gëzon në festë …!

 

DILEMË SHIU

 

Litarë shiu bien e bien

sikur thurin portën e mosdaljes sime nga shtëpia…

Shtëpia më fton ngrohtësisht

me aroma gatimi më gudulis hundën

nëpër këndet e saj të paqta të strukem

një libër marr por shkronjat nuk i duken

dëgjoj melodi që në veshë nuk më mbërrijnë

Ti më përsërit me ulërimë nga çdo qelizë e imja ftesën:

Dil, dil,eja drejt meje!

Asnjëra nga këto nuk më thyen

asgjë nuk më grish

veç egos time që më bind

se duhet të të pres

se duhet të më vish

që të të kem përgjithmonë…

Deri atëherë

do e lë shiun të bjerë …

 

 

PIKOJ (E LAGËSHT)

 

Këto kohë lëngëzoj e gjitha

për ty

për dashurinë

për poezinë

për gjithçka më gëzon a më dhemb…

Por ti mos u tremb!

Nuk avulloj

Pikoj ngrohtë

pa helm e acid

pa të ndryshkur

pa të mbytur…

Jam rrjedha që të shkon nën vete

është shpirti im në jerm

mbushmë mua si kupë ndjesish

Vetëm kaq

Mos u tremb…

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here