Kombi shqiptar e ndez festën / Festime në të gjitha qytetet e Shqipërisë, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në vendet ku ndodhen shqiptarë

0
110

 

 

festa (1)Kualifikimi historik sigurisht që nuk mund të ngelej pa u festuar. Ne shqiptarët jemi më të mirët në të festuar dhe të qenët në shesh për t’u krenuar me kombëtaren. Shqipëria në Evropianin 2016. Festimet për kualifikimin historik të Shqipërisë në Euro 2016 nisën në mënyrë sporadike nëpër kryeqytet. Më pas, Tirana mori flakë. Organizim në sheshin simbol të shqiptarëve, sheshin “Skënderbej” dhe nga grupimi më i madh që mbështet kombëtaren, “Tifozët Kuqezi”. Entuziazëm i jashtëzakonshëm. Në harkun e pak minutave qendra e kryeqytetit është bllokuar nga njerëzit dhe makinat që festonin. Të rinj, të cilët as që nuk donin t’ia dinin për shiun e dendur. Familje me fëmijë që dolën në rrugët kryesore për të festuar. Momente të jashtëzakonshme edhe në Prishtinë. Mijëra persona dolën në kryeqytetin kosovar për të festuar kualifikimin e kombëtares shqiptare. Nuk mund të mungonin festimet në viset e tjera shqiptare. Në Tetovë grupimi i tifozëve “Ballistat” doli në rrugë duke treguar të njëjtin entuziazëm si në ndeshjet e kombëtares. Festime edhe nga shqiptarët në Malin e Zi, por edhe nga bashkëkombësit që jetojnë në emigrim. Duke nisur nga Malmoe në Suedi, për të vazhduar me qytetet e ndryshme të Zvicrës dhe Nju Jorkun në Shtetet e Bashkuara.

 

Festime të mëdha edhe në Zyrih dhe në Londër

 

Suksesi historik i Shqipërisë ka bërë që festa të mos ndalet anembanë botës ku ka shqiptarë. Pas festës së madhe në të gjitha qendrat e Kosovës dhe Shqipërisë, një video u publikua edhe nga festa e shqiptarëve në Zvicër. Në qytetin e Zyrihut, tifozët u çmendën nga gëzimi dhe bllokuan rrugët e qytetit duke festuar. Ndërkohë, e njëjta atmosferë kanë qene edhe në Londër, ku shumë shqiptarë janë mbledhur për të gëzuar.

 

Box

Edi Rama: Mirënjohje kuqezinjve dhe De Biasit

 

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur gëzimin e tij pas kualifikimit të Shqipërisë në Euro 2016. “Ëndrra e pamundur u bë realitet! Shqipëria në historinë e finaleve të Evropianit! Mirënjohje kuqezinjve dhe De Biasit”, – ka shkruar Kryeministri në Facebook.

 

box

Presidenti dekoron kombëtaren “Nderi i Kombit”

 

Për rezultatet e shkëlqyera që mundësuan, kombëtarja e futbollit mori mbrëmë urdhrin “Nderi i Kombit”. Lajmi është bërë i ditur nga Presidenca, ndërsa kualifikimi ynë në Evropian ka bërë që Bujar Nishani të firmosë dekoratën e lartë për djemtë kuqezinj. Një titull që më shumë se kurrë meritohet nga skuadra kuqezi e cila ngriti peshë një komb të tërë.

 

Box

Media e huaj u thur elozhe kuqezinjve dhe De Biasit

 

Bileta e prerë për në Francë nga përfaqësuesja shqiptare ka bërë jehonë edhe në shtypin e huaj. UEFA uron për këtë kualifikim kuqezinjtë me një foto të ekipit kombëtar pas festës së golit ndaj Francës. “Të kualifikuar. Shihemi në Francë Federata Shqiptare e Futbollit. Urime Shqipëri!” Në Itali jehona e kualifikimit të Shqipërisë shoqërohet edhe me komplimentet për trajnerin Gianni De Biasi. “Gazzetta Dello Sport” shkruan: “Shqipëria, historike hera e parë”. Në brendësi shkruhet “Skuadra e De Biasit kalon në Armeni”, por mbi të gjitha bie në sy pasaporta shqiptare e De Biasit me citimin e tij: “Kur shprehesha se mund t’ia dilnim disa më qeshnin”. Ndërkohë, “TGCom”, nëpërmjet faqes “Sportmediaset”, i bën më shumë jehonë punës së timonierit kuqezi. “De Biasi, trajneri normal që eklipson Lippin, Ancelottin…” Edhe “ESPN” i bën jehonë këtij kualifikimit historik që erdhi në transfertën armene. “BBC” komenton suksesin historik të Shqipërisë me një foto të kapitenit Lorik Cana. Edhe “Eurosport” nuk lë pa përmendur këtë sukses që vjen në drejtimin e De Biasit. “Shqipëria në Evropian, hera e parë me De Biasin trajner”. Jehonë i bën këtij suksesi edhe gazetari Gianluca di Marzio, që shkruan: “Euro 2016, 3 gola për të hyrë në histori”. Ndërkohë, përgjatë gjithë ecurisë eliminatore në këtë Evropian, e përditshmja “Marca” i ka cilësuar si surprizë rezultatet tona, por tani shkruan me germa të mëdha “Shqipëria luan në Evropian për herë të parë në histori”. Jehonë kësaj arritjeje në Gjermani i bën “Kicker”, që vendos theksin tek rezultati historik i vulosur në Armeni.

 

Kombëtarja vjen në Tiranë në orën 13:00

 

Që dje me mbarim të ndeshjes kanë filluar pyetjet se kur do të mbërrijë kombëtarja e Shqipërisë në Tiranë, pasi asaj do t’i rezervohet një pritje e madhe, posaçërisht nga tifozët. Edhe dje stafi dhe lojtarët qëndruan në Armeni, pasi u organizua një festë në hotelin ku qëndrojnë. Kombëtarja pritet të mbërrijë sot në orën 13:00 në aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza” dhe një gjë është e sigurt, ata do të marrin një pritje të madhe, pasi e meritojnë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here