Gregor Zamza shqiptar

0
596

Elis Buba

 

Nga Elis Buba

Nuk e di nëse njiheni me personin që historia e ka konservuar me emrin Gregor Zamza. Këtij njeriu iu varfërua aq shumë trupi dhe shpirti, që nuk i shpëtonte dot nga hallet në të cilët ndodhej, sa u zgjua një mëngjes dhe vuri re se ishte shndërruar në kandërr. Një buburrec gjigant, i mbuluar me shtroje, i cili nuk i shmanget dot katastrofës së vetes. Ato batica dhe zbatica mendimesh brenda çastit, brenda kohës së papërcaktuar, ato ngritje dhe ulje të jetës që jo rrallë të marrin përpara e të detyrojnë të mësosh të notuarit në një moralitet të rëndomtë. Gregori ishte një “burrë i mirë”. Kuptimi i këtyre fjalëve “burrë i mirë” në gojën e disa lloj njerëzve është ndryshe, nga kuptimi që këto fjalë marrin në të tjera gojë. Gregori, ky burrë i mirë, ishte në qendër të një konflikti shumëvjeçar me veten. A do të mbijetojë? Nëse duhet mbijetuar, si mund ta bëjmë të mundur këtë? Në zonën urbane ku burri jetonte, rimëkëmbja ekonomike e vendit, pasurimi i njerëzve në një mënyrë a në tjetrën kishte bërë të mundur një formë të caktuar specifike të asaj që në terma politiko-propagandistikë njihet si ekonomi e tregut. Ose siç do të qe me e udhës të quhej, ekonomia e pazarit. Pasi për gjithçka mund të ujdisësh një pazar, mjafton që emëruesi i përbashkët të jetë leverdia. Këtu nuk përjashtohen, as vlerat humane, ndjenjat, dëshirat, aspiratat, qëndrimet idealo-politike, karakteri etj.

Në fare pak vite, qyteti, madje qytetet u mbushën me gjithfarë sipërmarrjesh, me gjithfarë tezgash, gjithfarë baresh, restorantesh, hotelesh e resortesh. Të gjitha hapësirat u bashkuan në një, për të krijuar një pazar të vrullshëm objektesh dhe shërbimesh, që as nuk mund t’i prekje pa i paguar. Kateve të para të pallateve iu shpartalluan dritaret për t’u shndërruar në dyer. Dyer me qepena të zhurmshëm, pasi siguria nuk është kurrë e tepërt në një pazar ku vetë tregtuesit janë hajdutët më të mëdhenj. Pavarësisht karakteristikave disi të veçanta të këtij pazari lemerisës, pavarësisht vështirësive të ndeshura, pavarësisht perturbimeve psikosociale me të cilët ka bashkërendur, struktura tërësore, tejet qesharake e kësaj ekonomie, ka mundur t’i hapë rrugë iniciativës së lirë. Do të thosha se vetë iniciativa e lirë, me në krye karakteristikën e saj thelbësore guximin e verbër, e ka përkthyer mjerimin e qytetarëve në një ecejak të përditshëm për bukën e gojës. Për ta thënë më shkoqur, ato që zakonisht quhen biznese të vogla, fare mirë mund të trajtohen si kinkaleri lëmoshash. Akumuluese të të qindtave që mund te përfitohen nga të tregtuarit e artikujve me orgjinë kryesisht të huaj.

Gregori ishte në një gjendje të rrezikshme. Nga tani e tutje ai për askënd nuk do të qe më njeri. Madje, as për veten e tij. Kjo i jepte atij një ndjesi gati ngurrimi për të shpenzuar qoftë edhe një tjetër afsh të nevojshëm oksigjeni. Teksa kalamendej e pluskonte nga njëri ankth i epërm në tjetrin, beftë e rrëmbeu të tërin një guxim i angësht i turbulluar me një sasi të madhe pezmi e nervi. Përpëlitet pjesërisht nën shtroje, por as vetë nuk e dinte se çfarë do të mbërrinte me këtë përpëlitje. Ato që mbrëmë kishin qenë duart e tij, agimi i sotëm i kishte lënë të zvetënoheshin e të këmbeheshin në disa zgjatime si kërcore, të cilat mesa duket, Gregori nuk po i orientonte e bashkërendonte dot. Ai vetëm sa përpëlitej e sakatohej sa në mur, sa në shtrat, sa në tavolinën aty pranë. Kjo lloj gjendjeje e turbullt tërbimi humbi në kohë. Orë të pashpresa e kishin rrethuar Zamzën e gjorë dhe ai diku nën to e diku nën nudon e mugët të një buburreci, tashmë lëçiste i pashpresë kronikat e stampuara në faqen e një gazete e cila i qe mbështjellë nëpër ato gjymtyrë që vibronin vetvetiu e dëshmonin një energji të dështuar pa fill e pa fund.

Si kushdo tjetër, në këtë cep të Ballkanit, edhe Gregorin, nuk e entuziazmonte asgjë tjetër siç e entuziazmonte një bisedë me tematikë politike. Gazeta që kishte në dorë, le të themi, e drithëroi qenien e gjorë. Më së shumti njeriun brenda kandrës, ose për më saktë, kafshën politike brenda atij mishmashi që ishte trupi i tij.

Kam përshtypjen se gjëja kryesore të cilën shqiptarët nuk ia honepsin dot Shqipërisë, është mënyra e neveritshme se si këta shqiptarë trajtojnë njëri-tjetrin në nivele të ndryshme. Refreni i përditshëm i Zamzës mbi titujt e lajmeve filloi. Refren i njëjtë feks edhe mendjet e plotë të tjerëve në këtë Shqipërinë tonë.

-“Si është e mundur që pretendohet të formalizohet biznesi vetëm duke u deklaruar fitimet e një pjese të vuajtur që vetëm sa i mbijeton tregut në të zezë?! Një Zot e di se sa dakord jam me formalizimin e krejttë të ekonomisë së vendit. Po i njëjti Zot e di se sa dakord jam me rritjen e të ashtunjohurit minimum jetik, siç është deklaruar këtu (në gazetë). Sepse është turpëruese që bizneset të gjenerojnë miliona në ditë dhe të paguajnë me thërrime minimaliste punëtorët që bëjnë të mundur këto përfitime. Nga ana tjetër këto biznese tatohen si biznese të mesme ose të vogla me dijeninë e organeve kompetente. Këta të parët t’i tregojnë defterët. Madje mundësisht të penalizohen financiarisht pikërisht për fshehjen e të ardhurave për vite të tëra. Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë. Sepse politika e llojit, “Ca të nënës ca të njerkës”. Është trend i kahershëm i jetës, politikës, biznesit e një sërë sferash me influencë në pellgun me baltë të ëmbël shqiptare. Do ishte e bukur sikur të rritej vërtet ky minimum jetik. Sikur vërtet të shkonte aty tek 40 mijë lekë në muaj. A do të kishte kjo rritje një impakt tek çmimet? Duke qenë se të gjitha bilancet pritet të transparentizohen, kostot e tepërta do të pasqyrohen tek çmimet. Atë çka tregtarit ja rrëmben shteti, ai do ia rrëmbeje konsumatorit e klientit. Vëra në ujë thellohet goxha në këtë mënyrë. Në fund le të mbijetojnë më të fortët, më cilësorët e më të zotët tek e fundit. Le të mos ketë më, për 400 ose 500 familje në një kompleks pallatesh, 200 kafene, restorante, berberhane, furra buke, farmaci, markete etj. Të mbizotërojë cilësia. Por… këta të tjerët që do përfundojnë pa një sipërmarrje, pa një burim të ardhurash, që u lejon të blenë një bukë në darkë, ku do mbyten?

Jo or mik jo! Këtu nuk vjen era shtet siç thua zotrote. Vjen po e njëjta erë Shqipëri historikisht e shkelur, sa nga të huajt, sa nga vetë shqiptarët. Ekonomia bazat i ka të thjeshta. Aty ku ka kërkesë, nuk vonon oferta. Në tregun e punës vlen e njëjta gjë. Por në një pellg të vogël skarcitetesh, siç është tregu i punës në Shqipëri, ai që bën ofertën, është i gjithëpushtetshëm karshi atij që bën kërkesën. Në rast se një punëdhënës mua më ofron një vend të kënaqshëm pune, me X rrogë, nuk është çudi që nesër këtij punëdhënësi t’i trokasin në derë e t’i kërkojnë vendin tim të punës, në shkëmbim të një pagese Y, që është dy herë më e vogël se X-i që më është ofruar. Këto janë kushtet. E me qepenat që mbyllen dita-ditës, gjendja nuk po shkon drejt përmirësimit”.

-“Në anën tjetër bishtat e prapavijës politike që ka ky aksioni i tatimorëve në të gjitha subjektet e ekspozuara ndaj krehrit të hekurt të shtetit, janë më se evident. Në pamundësi të përjashtimit nga puna në mënyrë arbitrare, të të punësuarve nga pala kundërshtare politike, luhet karta e “planeve të pamundur”, që u ngarkohen individëve të shënjestruar, për të paralajmëruar kaq në ditë, e për të gjobitur aq në ditë. Në fund, me mosrealizimin e një nonsensi, “shteti” ka në dorë penalizimin ose shkarkimin e nëpunësit, që deri më tani e mbronte ligji nga shkarkimet për arsye përkatësie politike”.

-“Po atyre që marrin ushqime me listë, a u jepet kupon tatimor?! – përçartej Gregori. Po ata doktorë, xhepat e të cilëve bjerrin para ryshfetesh përditë, pse nuk tatohen, pse nuk japin kupon?! Po avokatët, prokurorët, gjykatësit, policët…?! Po vetë inspektorët tatimorë?! Po për daljen në aksion të këtyre “grupeve të agjitacionit tatimor” me automjete private dhe marrje ryshfetesh në subjekte të ndryshme, kush mban përgjegjësi? A nuk mund të vinin, në formatin më të civilizuar e të rilindur të mundshëm, si njerëz, një grup këshillimor. Në frymën e evropianizuar të politikëbërjes. Të ofrohej një bashkëpunim konkret, i sinqertë dhe i respektueshëm me përfaqësuesit e sipërmarrjeve të ndryshme. Pa fleta gjobash që vetëtijnë nëpër dosje”.

Vetë zoti Zamza si shumë të tjerë, kishte hapur një kafene, në katin e parë të shtëpisë së tij dykatëshe, që në momentin kur i kishte mbetur në grykë përgjigja e një pyetje të thjeshtë që i kishte bërë i biri. – “Babi pse të bërtet kaq shumë ky zotëria? (pronari)” – Trendi shqiptar është: Kush bërtet më fortë, ka gjithmonë të drejtë.

Por pse pikërisht kafene?

-“Konsumizmi lulëzon më shumë se kudo në psikozat përtace. – “Tëhollte gjykimin Zamza. –“Jo më kotë ‘ligji’ i kërkesës dhe ofertës, është i ndryshëm në shumë kultura. Këtu në vendin tonë mjerimi importohet nga gjithë ajo kohë e lirë që në një mënyrë a në një tjetër duhet vrarë. Ne preferojmë kafenë si produkt dhe kafenenë si ambient. Ndaj edhe biznesi më i përhapur në vendin tonë është kafeneja. Kështu e ‘shtyjmë’ në mënyrë të pakthyeshme kohën. Por sa kohë jemi të gatshëm të sakrifikojmë, deri sa të pendohemi për këtë autodëmtim kolosal? Ku akumulohet koha e humbur?! Këtë nuk e di. Unë dua vetëm t’i mbijetoj tallazit të faunës harbute të këtij qyteti. Thjesht shpresoj që këtë herë që do çohet fukarai për të kërcyer, të mos shpohet daullja si zakonisht. Uroj të më shkojë mbarë”.

Po afronte mesi i ditës. Zoti Zamza ende ushtronte brenda vetes autodidaktizmin për të pasur të qartë nocionet minimale për të kontrolluar të gjitha rropullitë e vetes. Me lajme të këqija ishte ngrysur e me lajme po të këqija ishte gdhirë. Tashmë kjo trajtë e tij ishte një fakt i kryer. Dy tre nerva sa për tu zvarritur përpara, ende i kishin mbetur nga linja njerëzore, që lidh trurin me gjymtyrët. U kuturis kokëposhtë e zbriti nga shtrati. Një nga nyjet e lëpjeta të gjymtyrëve të mbrapme, duhet të ketë hasur në telekomandën e televizorit. Pasi televizori u ndez dhe prej tij dëgjohej muzikë.

-“Kënga e kësaj tipes Vjollca nuk është fare e pavlerë! Me pak vëmendje mund të thuhet se ajo është zëri i një kategorie jo të vogël njerëzish, që thjeshtë sonte dun me dal, dun me u pa dhe dun me u duk sexy. Kaq! Për më tepër edhe nesër e më pas, në ditët e tjera në vazhdim, po të njëjtën gjë duan të bëjnë dhe asgjë më shumë. Prej këtej buron edhe titulli i rafinuar i këngës ‘Tirana lifestyle’ Por për ta kuptuar këtë gjë, fillimisht këngën duhet ta dekriptosh e pastaj ta përktheshë”. – Tëhollte Gregori!

Me anë të disa cicmiceve të vogla kishte shfrytëzuar derën e hapur të dhomës së fjetjes e kishte mundur të dilte në krye të shkallëve të katit të dytë, që shikonin nga dera e jashtme e shtëpisë. Në një moment akthi e shthurje këmbësh edhe ai pak vetëbesim që kishte, se mund t’ia dilte të ecte edhe ashtu, u rrokullis bashkë me të, në një zullumahi të trallisur deri ne fund të shkallëve, ku antena e tij e majtë dhe një ndër gjymtyrët e përparmë në të majtë hasën në kanatet e një gardërobe, nga ku kërcyen mbi Gregorin një lëmsh me rraqe. U shty me mundim përtej derës së jashtme të shtëpisë që shihte direkt e në trotuar. Këmbësorëve të atyshëm, ju duk sikur një pallto kishte marrë jetë e zvarritej ngadalë. Turpi ishte një koncept krejt i shkallmuar nga rropatja e atyre momenteve. Ofshamat e të tjerëve ishin disa fantazma të ndijimit. I dha këmbëve djathtas për fare pak metra dhe u gjend përball me kafenenë e tij.

-“Paskan ardhur krushqit!”- u referohej atyre të kollarisurve që po plotësonin, në sy të të birit, një gjobë penalizimi për mungesën e kasës fiskale. Ndërsa djali, diçka më pak se adoleshent, ja dha piskamës i tromaksur nga ky Gregor i kandërrzuar, vetë Zamza donte të fliste, të protestonte, të kacafytej me kollaret e këtyre njerëzve të hekurosur.

-“Burra të mbrapshtë!” – Donte tu thoshte. – “Ju dhe ata, që ju kanë dërguar e që ditët e ndritura të të cilëve ne insektet nuk kemi për t’i mbërritur kurrë”.

Mysafirëve të zymtë që kishte kundruall, nuk u bënte asnjë përshtypje çakërdisja e një buburreci. Ata vazhdonin ngutshëm e gati të pashqetësuar. Dëshira e madhe e Zamzës për të ngritur krye dhe pamundësia reale për ta konkretizuar këtë gjë, po e zvogëlonin fizikisht këtë njeri kandër, po e çonin në përmasat e një kandre reale. I përhumbur ai nuk mund t’i kallëzonte asnjë gjest askujt. Ishte më i vogël se flatra e një future tashmë. Në të dalë, mysafirët, i bënë edhe një nder të vogël, duke ja marrë jetën me një të shkelur të thundrës.

Teksa i dilte shpirti, ashtu i zgërlaqur, Gregorit iu kujtua një histori nga ato të gjyshit.

Në kohën e turkut, shumë vite më parë, një vezir shqiptar, i sugjeroi sulltanit, që shqiptarëve tu dyfishohen haraçet dhe detyrimet e tjera.

-“Përse!” – I tha sulltani. – “Thjesht për të parë se çfarë do bëjnë shqiptarët”, – tha veziri.

Taksat u dyfishuan, populli i paguante si zakonisht, me disa pakënaqësi sporadike, por pa asnjë ekses. Shumë shpejt me propozim të vezirit, taksat u trefishuan e u katërfishuan. Më pas veziri i propozoi sulltanit, që shqiptarëve përveç taksave t’u ngarkohej edhe një detyrim tjetër. Duhet ta hanin në bythë, të gjithë pa përjashtim, të paktën një herë në vit. Kështu u bë. Në të katër vilajetet u hapën dyert e haneve e të bujtinave, që një odë të veçantë ja kushtuan kësaj pune. Oficerët turq i shtronin shqiptarët dhe shqiptarkat një nga një nëpër mindere të parehatshëm për më tepër. Radhët ishin të gjata pasi procesi jo gjithnjë shkonte fjollë.

Një ditë prej ditësh, gjatë pritjes në radhë, për të shlyer detyrimin në natyrë, u bë një rrëmujë e madhe e u ngritën zërat deri në qiell. Menjëherë oficerët dhe ushtarët turq, të trembur nga ndonjë kryengritje e mundshme, ju afruan trazirës dhe pyetën të pranishmit për arsyen pse po krijonin rrëmujë.

Ata me kërshërinë dhe nervin e të pakënaqurit e të të paduruarit, ju kthyen oficerëve me këto fjalë;

-“Ju lutemi zotërinj oficerë, a nuk mund të hapni edhe një odë tjetër, që të eci radha, ose të paktën, na e fusni këtu ku jemi, që të mbarojmë punë sa më shpejt, sepse kemi një dasmë sot dhe po na ikën dita këtu”.

Kaq e pati edhe Gregor Zamza. I shkelur nga taka e fukarenjve të vërtetë.

Sepse fukarenjtë e vërtetë në këtë botë, nuk janë ata që thjesht nuk kanë. Fukarenjtë e vërtetë janë ata që thjesht nuk ngopen kurrë.

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here