Ashpërsohen masat ndaj biznesit, tani deri në 10 vjet burg…

0
161

 

Paraqitet në komisionin e Ekonomisë paketa e propozimeve qeveritare që parashikon ndryshim të Kodit Penal për veprimet me mallrat e ndaluara

 

kasa-fiskaleErvin Kaduku

Ndryshimet më të reja të propozuara nga qeveria në Kodin Penal parashikojnë dënime shumë të ashpra për veprat penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike. Referuar ndryshimeve, importimi, eksportimi apo tranzitimi i paligjshëm i mallrave të ndaluar ose të kufizuara dënohen me burgim deri në dhjetë vjet. Kontrabandimi i mallrave të akcizës do të konsiderohet vepër penale dhe dënohet me burgim deri në shtatë vjet, ashtu sikurse edhe kontrabandimi i mallrave pa licencë apo me të dhëna të rreme. Kontrabandimi apo deklarimi i rremë për veprat kulturore ndëshkohet me 10 vite burg.

Po ashtu, ndryshimet në Kodin penal parashikojnë dënimin me burgim deri në tre vite për ata që depozitojnë, ruajnë apo përpunojnë mallra që dihet se janë kontrabandë.

Një ndër ndryshimet më delikate të kësaj paketë është ai që parashikohet në nenin 13, ku shkruhet se ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm, ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paregjistruar në organet tatimore, mosdeklarimi i të punësuarve apo moslëshimi i kuponit tatimor, përbën vepër penale dhe dënohet deri në tre vjet burgim.

Po ashtu, edhe prodhimi e tregtimi i paligjshëm i barnave e pajisjeve mjekësore, importimi apo eksportimi i barnave apo substancave të dëmshme ndëshkohen me burgim nga 6 muaj deri në 5 vite burg. Si rrethanë cilësuese është parashikuar që po kjo vepër, kur kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, nëpërmjet internetit, në bashkëpunim apo me shumë se një here, dënohet më burgim nga tre deri në shtatë vjet. Kur ka sjellë pasoja të rënda për jetën apo shëndetin dënohet me burgim deri në dhjetë vjet. Po ashtu, edhe tregtimi dhe hedhja për konsum e lëndëve djegëse përmes falsifikimit në kundërshtim me standartet ligjore përbën vepër penale dhe ndëshkohet me dënim me burgim deri në 5 vjet.

 

Komisioni

Komisioni Parlamentar i Ligjeve ka diskutuar dje ndryshimet në Kodi Penal për operacionin kundër informalitetit, të nisur nga qeveria shqiptare në muajin shtator në të gjithë vendin. Në komision, ku u prezantuan edhe masat e propozuara sa më sipër, ishte i pranishëm edhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ministrja e Shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj.

Gjatë fjalës së tij, Cani ka kërkuar ashpërsim të masave dhe zëvendësim të gjobave me dënime sipas veprës së konsumuar.  “Projektligji parashikon ashpërsim të msave në luftën kundër informalitetit dhe kontrabandës. Hiqet masa me gjobë dhe zëvendësohet me masë penale. Parashikohen dy lloj shkeljesh, shkelje ne dogana dhe shkelje në tatime. Kur ka shkelje të përsëritur ose në bashkëpunim, masa e dënimit ashpërsohet nga 5 deri në 10 vjet burg. Kur tregtohen mallrat kontrabandë, gjobë ose burg deri në 3 vite. Për largimin e mallrave pa leje në zonat doganore, vepra penale shkon deri në 7 vite burgim. Gjysma e bizneseve janë në informalitet, ndaj kjo solli dhe masat e marra nga qeveria”, është shprehur Cani.

Nga ana e saj, Felaj nënvizoi se përsa i përket krimeve në fushën e doganave, nocioni i kontrabandës në kodin penal mbetet po ai. “Kemi plotësuar boshllëqet në kodin penal për kontrabandën. Vepra të reja janë thyerja ose heqja e shenjës së sigurisë nga zonat doganore. Moskryerja e veprimeve nga ana e punonjësve të tatimeve dhe doganave është shpërdorim detyre”, është shprehur ajo.

 

Lehtësimi

Duke folur për ndryshimet në ligjin “Për Procedurat Tatimore”, ministri Cani tha se e veçantë në këto ndryshime është se: “të gjithë tatimpaguesit që kanë gjendje mallrash pa faturë, të cilët e ribëjnë deklaratën deri në 31 dhjetor 2015, u hiqet penaliteti dhe u hiqet ndjekja penale”. Kjo, sikurse tha ministri, bëhet “për t’u ardhur në ndihmë biznesve”.

“Ne e bëjmë këtë lëshim, sepse duam t’i vijmë në ndihmë biznesit të vogël, s’duam ta godasim, as ta tkurrim, as ta falimentojmë. Ja japim këtë mundësi, por kuptohet, kundrejt pagesës së detyrimeve normale. Ndaj mund të bëjnë deklaratën tatimore, duke paguar detyrimet tatimore normale”, tha z. Cani. Ministri shtoi se do të ketë “500 mijë lekë gjobë për ata që nuk deklarojnë numrin e saktë dhe pagën reale të të punësuarëve”.

 

Abuzimet

Por, realiteti tregon se qeveria nuk po u vjen aspak në ndihmë më të vegjëlve. Dyqanet e vogla po marrin masivisht zarfa, që i njoftojnë ata që janë gjobitur me 50 mijë lekë për mosdeklarime të punonjësve. Shumë prej tyre ankohen se gjobat po vihen në mënyrë arbitrare. “Tre subjekteve të reja u ka ardhur inspektori për kontroll, u ka marrë vetëm emrin dhe më pas ka ardhur gjoba me zarf, pa u bërë fare verifikimi nëse punonjësi ishte i siguruar apo jo”, pohon eksperti i një firme kontabiliteti, duke shtuar se subjektet e gjobitura i kishin deklaruar punonjësit që në gusht.

Erjon Prifti, drejtor i Shërbimit ndaj Tatimpaguesit pranë Tatimeve, thotë se ata nuk janë në dijeni të rasteve të tilla. Prifti i inkurajon bizneset të bëjnë procedurën e apelimit, nëse janë të bindur që i kanë marrë gjobat në mënyrë arbitrare. “Është e drejta e tyre që të kundërshtojnë çdo masë në apel”, thotë Prifti dhe të bëjnë kujdes që të mos humbasin të drejtën e ankimimit.

Eksperti i firmës kontabël pohon se, pavarësisht se biznesi ka të drejtën e apelimit, përsëri ai mund të gjendet zbuluar, sepse apelimi duhet kryer brenda 30 ditëve dhe mund të ndodhë që për arsye burokratike të mos e arrijë këtë afat. Për më tepër, jo të gjitha subjektet e vogla kanë këshillimin e duhur për të ndjekur procedurat ligjore.

Ai pohon se sjellja e fundit e tatimorëve mbetet abuzive, sepse çdo inspektor mund të verifikojë në vend online, nëse punonjësi është i siguruar apo jo dhe nuk ka arsye që atij t’i merret emri dhe më pas t’i vijë gjoba me zarf, duke lënë vend për arbitraritet.

Aksioni ndaj informalitetit, që nisi me vrull në shtator po shkakton zemërim të madh te bizneset e vogla, pasi po përballen me presion të shtuar, arbitraritet dhe kontrolle të shpeshta nga tatimorët, edhe në ato raste kur ata i kanë letrat në rregull.

 

 

Masat e reja penale

 

Kontrabanda                          6 muaj – ­10 vite burg

 

Aktiviteti tregtar i paligjshëm            deri në 3 vite burg

 

Aktiviteti tregtar i paregjistruar   deri në 3 vite burg

 

Mosdeklarimi i të punësuarve         deri në 3 vite burg

 

Moslëshimi i kuponit tatimor         deri në 3 vite burg

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here