Çfarë mësojnë nxënësit tanë nga tekstet e huaja?

0
308

image-a0a4cba7f8417a927063cded3f09809f64cbe449be5c727eb302a96a298b1f99-V image-c88cd4259a63eb1a452f83a972a0becda42b5b8d7ce199e4c9f865600c3de0d4-VNga Dr. Ndriçim Mehmeti

Jo shumë kohë më parë, kryeministri Rama doli shumë i kënaqur nga një aktivitet që ai vetë i organizon, i drejton, i hap dhe i mbyll për arsimin. Kësaj here fjala ishte për tekstet e huaja që do të përdoren në Shqipëri. Kryeministri vuri në dorën në zjarr se “këto tekste ishin më të mirat Evropë me të cilat do të mësonin nxënësit shqiptarë”. Me entuziazmin që nuk i mungonin asnjëherë kryeministrit tonë, në fillim të vitit të ri shkollor 2015-2016, gjatë një vizite në shkollën “Sami Frashëri”, deklaroi se: “Për transformimin e të gjithë sistemit tonë arsimor është në proces një kantier i madh reformash, nga të cilat kanë filluar përfitimet e para për nxënësit. Të mos harrojmë që ky vit fillon edhe me produktet e para të një revolucioni të vërtetë që është bërë me tekstet shkollore. Fëmijët e klasës së I-rë dhe të klasës së VI-të do të kenë në dispozicion tekste nga tre burime të mirënjohura të cilësisë së librave arsimorë në Europë, “Pearson”, “Cambridge” dhe “Oxford”. Gjë që do të ndodhë edhe në tre vitet në vijim, duke plotësuar ciklin për të gjithë.” Në frymën e shefit të saj dhe pa i hequr aspak meritën e kësaj “reforme të paparë ndonjëherë”, Ministrja Nikolla më 10 shtator 2015, deklaronte, se kemi “kthyer në shinat e ligjit edhe një premtim tjetër të Kryeministrit Rama për të mundësuar që në këtë vit shkollor, që në klasat e para dhe të gjashta tekstet shkencore që do të përdorin fëmijët e shqiptarëve të jenë tekste që vijnë nga shtëpi botuese prestigjose si “Cambridge”, “Oxford” e “Pearson”. Komunikuam me shtëpitë botuese dhe unë duhet t’i falenderoj të gjithë ato shtëpi botuese serioze që ju përgjigjën dhe në kohë rekord ngritën të gjitha strukturat dhe grupet e punës për të mundësuar, jo vetëm lejen, por për të operuar me shpejtësi në realizimin e teksteve.”

Por a e ka lexuar ndonjëherë përmbajtjen e këtyre teksteve të hartuara në kohë rekord, ministrja e arsimit, znj. Nikolla dhe kryeministri Rama?

Padyshim që jo? Përndryshe do të fshiheshin nga turpi, nëse do ta dinin përmbajtjen e këtyre librave dhe do të ndryshonin mendje për deklaratat e bëra. Nëse bëjmë pyetjen: A janë këto librat e duhura për nxënësit shqiptarë? Përgjigjja do të kishte më shumë pikëpyetja sesa vetë pyetja. Deklarohet me të madhe se janë marrë për të përkthyer librat nga tre shtëpitë më të mëdha të botimit të teksteve shkollore në Angli. Shumë mirë. Por a ka sistemi ynë arsimor parauniversiatr, nuk ka të njëjtën strukturë me atë të Anglisë. Anglia ka sistemin 6+5+2, ndërsa Shqipëria me këmbënguljen e kryeministrit dhe zbatimit pa kushte të çdo tekë të tij, prej ministres Nikolla, ligji ndryshoi në parlament, duke u kthyer në sistemin 5+4+3. Pra nxënësi jonë mëson tekstet e përkthyera nga shtëpitë botuese angleze, në klasën e gjashtë të arsimit të mesëm të ulët, ndërkohë që këto tekste mësohen në Angli në arsimin fillor. Por duket se kjo nuk përbën asnjë problem, për strategët e arsimit, të konstruktivizmit, reformave të mëdha, fillimit të erës evropiane e të tjera gjepura si këto. Tani të hyjmë tek përmbajtja. Nxënësit në Biologji Klasa VI, në tematikën “Njeriu dhe kafshët”, faqe 47 mëson se: “Ushqimet që hamë i quajmë me një fjalë dietë”. Po në këtë tematikë, paraqitet një fëmijë me një furçë në dorë dhe me tekstin shpjegues si më poshtë: “Prindërit tanë (nëna dhe babai) janë të rritur. Bashkë ata mund të bëjnë bebe”. Fizika e përkthyer nga shtëpitë botuese prestigjioze, pasi na paraqet në hyrje një jaht luksoz, i kërkon nxënësve që të gjitha njësitë matëse të kenë si referencë, masën N (Njuton). Madje nxënësve u kërkohet të kenë një fletore hetimi!? ku të shënojnë masën dhe peshën. Sipas shembullit në tekstin e ri, masa matet me kg dhe pesha me N. Në vijim të tekstit, gjithçka vërtitet rreth Njutonit si masë, si ka ardhur ky emërtim, kush ishte Isak Njutoni. Natyrisht që për nxënësit anglezë, për të cilët, është hartuar teksti, gjithçka ka shumë kuptim, ndërsa për nxënësit shqiptarë është krejt e pakuptimtë, që masa e pasha të vërtiten rreth Njutonit. Në tematikën “Bimët dhe kafshët në mjedisin e tyre jetësor”, si ilustrim janë pinguini dhe foka në Antarktidë.  Antarktida është shumë larg, ndërsa territori shqiptar ka një botë mjaft të pasur shtazore e bimore. Nuk ma merr mendja se është më mirë që për të hyrë sa më shpjet në Evropë, na duhen tekste të përparuara që kanë si  referencë kafshët e Antarktidës. Në matematikë, nxënësit shqiptarë mësojnë veprimet me presje, me dhjetëshe me qindëshe në monedhën Euro. Edhe ky nuk është as ndonjë gabim apo shtrembërim i tekstit. Është bërë me qëllimin e mirë, pasi nxënësit janë e ardhmja jonë në Evropë, e për këtë qëllim duhet të mësojnë që tani sesi kryen veprimet me Euro, se me lek që është monedha vendase, nuk ka përse ju duhen. Po në lëndën e matematikës, veç mënyrës së shkrimit që përdorim tradicionalisht me numrat arabe, nxënësit duhet të dinë të shkruajnë një numër edhe në gjuhën Kantonez dhe në atë të Bengalit. Kjo për faktin se shqiptarët kanë lidhje të forta, ekonomike, kulturore, politike e shpirtërore me këto vende. Për rrjedhojë duhet të përgatitet brezi i ri me sfidat e  së nesërmes edhe në fushën e matematikës.

A janë vërtet tekstet e reja dhe kurrikulat digjitale një reformë e re, apo thjesht eksperimenti i radhës në kurriz të dijes?

Ministrja e arsimit pranon se për tekstet e sjella nga jashtë “Komunikuam me shtëpitë botuese dhe unë duhet t’i falenderoj të gjithë ato shtëpi botuese serioze që ju përgjigjën dhe në kohë rekord ngritën të gjitha strukturat dhe grupet e punës për të mundësuar, jo vetëm lejen, por për të operuar me shpejtësi në realizimin e teksteve.” Kush komunikoj dhe vazhdon të komunikoj ende në institucionin e drejtuar nga znj. Nikolla, për përzgjedhjen e shtëpive botuese, hartimin e teksteve dhe shpërndarjen e tyre? Si mund të quhet sukses hartimi i një teksti në më pak se dy muaj, kur Banka Botërore, këshillonte se për këtë proces duhen nga 18-24 muaj? Përse gjatë hartimit dhe miratimit të teksteve janë shmangur disa nga standardet e miratuar prej vetë znj. Nikolla, siç janë: Pilotimi, vlerësimi paraprak, certifikimi, të cilat nuk gjenden në asnjë prej udhëzimeve të nxjerra nga ministrja e arsimit për tekstet shkollore në muajt prill-qershor 2015?

Këto janë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje e doemos nuk do të marrin. Ta zëmë se i gjithë ky nxitim për të aplikuar të ashtuquajturën “kurrikulë të re”, është veçse nj dëshirë e mirë dhe e kahershme, për tekstet e huaja, përse nuk u provuan në këto dy vjet, por u la të viheshin në zbatim direkt, pa asnjë pilotim tekstet e sjella nga jashtë? Nuk duhet harruar kostoja e këtyre librave që rëndoi jo pak në xhepat e prindërve shqiptar. Në vitin 2012-2013, çmimi i paketës së librave për klasën e parë ishte 1179 lek, në vitin 2013-2014 pëson një rritje të lehtë duke shkuar në 1309 lek. I njëjti çmim mbete edhe nj vit më pas, ndërsa në vitin shkollor 2015-2016 çmimi i një pakete të plotë, është 1776 lek. Ndërsa në klasën e gjashtë, çmimi nga 3807 lek kërcen në 4892 lek. Kjo duket se është shumë normale si për kryeministrin ashtu edhe për ministren e arsimit. Në  të ardhmen çmimet do të rriten edhe më shumë, pasi shtëpitë botuese të huaja, nuk i japin tekstet e tyre shkollore për bamirësi në Shqipëri. Është paksa e habitshme, sesi shtëpi botuese kaq prestigjioze të kenë një interes kaq të madhe për tregun mësimor në Shqipëri, kur tirazhi i teksteve, në rastin më të mirë nuk mund të jetë më shumë se 10 mijë kopje, ndërsa normalisht shkon 4- mijë kopje?

Nuk do të jetë e largët dita që tekstet e reja, të quajtura deri tani “sukses i madh i reformës arsimore”, do të harrohen shumë shpejt. Ndërkaq ata që bënë të gjithë këtë çorbë, po kaq shpejt do të shijojnë pensionin politik ose të pleqërisë, pa i brerë ndërgjegjja, për pasojat e krimit të kryer në vetëdije të plotë, ndaj arsimit kombëtar.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here