Debate te Komisioni i Jashtëm / Dade nxjerr jashtë Komisionit operatorin e TV: Filmoi raportin sekret. Opozita braktis mbledhjen

0
120

 

dade dhe deputetet e pdBumçi: Shqipëria pa ambasador në OSBE nën presidencën serbe. Dade: Kemi rol parësor

Gëzim Saliu

 

Mes debateve dhe akuzave, Komisioni i Jashtëm zhvilloi dje seancën informuese me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, lidhur me marrëdhëniet e Shqipërisë me OSBE-në dhe Këshillin e Evropës. Në këtë mbledhje, deputetët e opozitës shprehën kritikat për mënyrën se si Ministria po i zhvillon marrëdhëniet me OSBE-në, duke vënë theksin tek mungesa e ambasadorit në këtë organizëm në kohën kur ai drejtohet nga presidenca serbe. Ndërkaq, qeveria si edhe kryetarja socialiste e Komisionit, Arta Dade, theksuan se Shqipëria po luan rol parësor në OSBE. Por ndërsa debati mes palëve për këtë çështje po zhvillohej, kryetarja e Komisionit të Jashtëm i kërkoi operatorit të një prej medieve televizive të pranishme në mbledhje që të mos filmonte raportin konfidencial të Ministrisë së Jashtme që ndodhej në tryezë. Pasi deputeti demokrat Bumçi kërkoi nga socialistja që të tregohej më tolerante në të tilla raste me median, Dade tha: “Në qoftë se unë bëj një vërejtje për kameramanin, ju nuk keni punë, sepse ka gjithë kohës që ka kamerën ke materiali”. Në këtë mes nuk mungoi as përgjigjja e vetë operatorit, i cili duke iu drejtua kryetares së Komisionit duke theksuar: “Po ju ç’punë keni me ne? Ne po bëjmë punën tonë”. Duket se kjo përgjigje acaroi edhe më shumë deputeten socialiste, e cila largoi nga mbledhja operatorin e medias, duke i kërkuar që të mos kthehej më në Komision. Kjo sjellje është cilësuar si e tepërt nga ana e deputetëve të opozitës, të cilët pas rifillimit të mbledhjes nuk janë bërë më pjesë e diskutimit, duke u larguar nga Komisioni. “Shpreh keqardhjen që deputetët e opozitës kanë humbur rrugën dhe toruan. Ata nuk kanë argumente dhe vijnë të papërgatitur”, – tha Dade.

 

Debati për OSBE-në

Në nisje të seancës dëgjimore, deputeti demokrat Aldo Bumçi deklaroi se marrëdhënia jonë me OSBE-në ka mbërritur në pikën më të ulët historike. Sipas tij, është e pafalshme mungesa e ambasadorit shqiptar në këtë organizatë, sidomos kur presidencën e ka Serbia. “Sot Shqipëria nuk ka ambasador në OSBE, ndërkohe që Serbia ka presidencën e radhës së OSBE-së, çfarë do të thotë se interesat e Shqipërisë, por edhe të shqiptareve në rajon të jenë tërësisht të papërfaqësuara. Tërheqja e ambasadorit tonë në OSBE është një akt i papërgjegjshëm i Ministrisë së Jashtme dhe qeverisë. Gjithashtu, Presidenti është zhveshur nga e drejta kushtetuese, që e bën atë personin e vetëm që dekreton apo shkarkon çdo ambasador. Kjo është gjendja ku ka degraduar diplomacia shqiptare dhe kjo qeveri”, – deklaroi Bumçi. Nga ana e saj kryetarja e Komisionit Parlamentar të Jashtëm, Arta Dade, foli për marrëdhënie të shkëlqyera me OSBE-në, duke theksuar se Shqipëria do të kërkojë prani më të lartë në këtë organizatë. “Ne do vazhdojmë të luajmë një rol parësor në OSBE dhe misionet e tjera. Të luajmë rolin tonë si partnerë seriozë në Këshillin e Evropës, por edhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, por edhe në OSBE, duke kërkuar nga Ministria e Punëve të Jashtme që të shikohet mundësia edhe e kandidimit nëpër poste të rëndësishme në këta dy organizma”, – tha ajo. Në të njëjtin kontekst drejtori pranë Ministrisë së Jashtme, Sokol Gjoka, pohoi se marrëdhënia me organizatën është më se bashkëpunuese. “Rritja e rolit të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, në misionin e OSBE-së, si dhe marrja e statusit të vendit kandidat për në BE kanë sjellë një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet me OSBE-në”, – deklaroi ai.

 

Përplasja në Komision

Dade i tërheq vëmendjen operatorit të TV

 

Ndërhyn Aldo Bumçi: Po lëre tani…!

Arta Dade: Në qoftë se unë bëj një vërejtje për kameramanin, ju nuk keni punë, sepse ka gjithë kohës që ka kamerën ke materiali.

Ndërhyn operatori nga salla: Po ju ç’punë keni me ne? Ne po bëjmë punën tonë.

Arta Dade: Jo, unë kam punë me ju, se ju keni ardhur në Komision dhe dilni përjashta e s’ke për të ardhur më në këtë Komision.

Operatori duke u larguar nga salla: OK faleminderit…

Ndërpritet mbledhja, në rinisje deputetët e opozitës braktisin punimet e Komisionit

Arta Dade: Shpreh keqardhjen që deputetët e opozitës kanë humbur rrugën dhe toruan. Ata nuk kanë argumente dhe vijnë të papërgatitur.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here