Debati për spiunët / Roli i Gazidedes në planin për të futur në burg Nanon, Ruçin dhe Ramiz Alinë

0

Mëkatarët/ Nga libri më i bujshëm në këta 25 vjet për dosjet e Sigurimit të Shtetit, rrëfimi i kreut të Komisionit të Kontrollit të Figurave, Nafiz Bezhani

Loading...

 

 

 

 

  1. gazidedeÇ.: Janë të gjitha këto arsye që, sipas jush, ky komision është antiligjor dhe antikushtetues. Atëherë, sipas mendimit tuaj, cila është arsyeja e vërtetë për krijimin e këtij komisioni?
  2. B.: Për të nxjerrë përfundime të tilla, kërkohen analiza më të plota, por çdo njeri ka mendimet e tij. Për mendimin tim, të gjitha lëvizjet që po shikojmë kohët e fundit, të cilat kanë qene të pabesueshme pak kohë më parë, janë pasojë e marrëveshjes që dihet se cila është: marrëveshja midis atyre personave që e kanë udhëhequr për 12 vjet këtë vend. Këta, pra, duhet të përgjigjen për të mirat dhe për të këqijat që i janë shkaktuar këtij populli. Dhe natyrisht tani kanë rënë në një marrëveshje që unë e shoh me optimizëm, sepse këta njerëz historia do t’i gjykojë, prandaj janë të detyruar t’i shërbejnë popullit, për të shmangur dënimin e rëndë, të paktën për të harruar të kaluarën e hidhur që i kanë shkaktuar këtij vendi. Sepse historia dikë do të dënojë. Askush nuk është dënuar deri më sot për këto krime të bëra ndaj popullit shqiptar. Janë bërë krime të rënda shumë. Mendoni ç’fatkeqësira kanë ndodhur në këto dhjetë vjetët e fundit: një Shqipëri e dëbuar nga Shqipëria, argat nëpër botë u katandisën njerëzit tanë, vuan rinia jonë jashtë. Janë vrarë me mijëra njerëz. Dikush do të përgjigjet. Ne këta dy udhëheqës kemi patur deri tani, prandaj ata kanë një shans të madh tani. Një shans të kërkojnë amnisti për veten e tyre, më shumë se nuk duhet të kërkojnë. Nuk duhet të kërkojë lavdi një i amnistuar. Kështu mendoj unë. Prandaj e shikoj shumë pozitivisht dhe me shpresa këtë marrëveshje midis tyre, por ndërsa e kam formuar këtë besim, kur shoh këto veprime të padrejta, tkurrem. Në fund të fundit, popull jam edhe unë, që tani pres fundin, dhe jam lodhur shumë me ta. Megjithatë unë vazhdoj të ruaj optimizmin dhe të shpresoj të jenë aq të mençur sa të krijojnë kushte të qeta e të mira për popullin, për të shpëtuar dhe veten.

 

  1. Ç.: Desha t’ju bëj një pyetje jashtë temës në diskutim. Përpara zotit Klosi, në Shërbimin Informativ ka qenë z. Gazidede. Ju e keni njohur?
  2. B.: Unë e kam takuar vetëm një herë z. Gazidede. Më kanë thirrur për një problem që kishte të bënte me mbrojtjen që u kisha bërë unë katër familjeve të dëshmorëve të demokracisë në Shkodër. E vërteta është se unë nuk kam patur ndonjëfarë simpatie për të, pa ndonjë arsye. Më ishte krijuar një lloj alergjie për atë institucion, një lloj siç e kisha edhe për Sigurimin e Shtetit. Por çuditërisht, kur njerëzit njihen nga afër, ndryshojnë edhe opinionet e krijuara paraprakisht. Kështu ndodhi edhe me z. Gazidede. Para se të takohesha me të, isha thirrur në Prokurorinë e Përgjithshme, për të ndihmuar një Komision hetimor të kryesuar nga z. Mustafarai, zv.prokurori i Përgjithshëm, për të shikuar mundësinë e marrjes në përgjegjësi penale të z. Gramoz Ruçi, Fatos Nano dhe Ramiz Alia. Për këtë kërkuan ndihmën time, para se gjithash për të kërkuar prishjen e vendimit të Gjykatës së Kasacionit, pastaj për të formuluar denoncimin për përgjegjësinë e veprës së tyre penale. Por, unë nuk mund të hyja në valle të tilla pa prova, prandaj u largova. Një ditë më vonë, më merr në telefon prokurori i Tiranës, z. Xhelili, i cili më kërkon të pimë një kafe, në një lokal pranë shtëpisë sime. Për mua ishte e qartë se ajo kafe kishte edhe një “bisht”, por nuk u shmanga. Gjatë bisedimeve, Z. Xhelili më propozoi të bëja një takim me z. Gazidede, propozim që nuk mund ta imagjinoja dhe mbeta i befasuar. Përse, vallë, duhet ta takoja unë z. Gazidede? Më shkoi menjëherë ndërmend se dikush duhet të ketë porositur z. Gazidede, të më bindë mua të bashkëpunoj me komisionin e Prokurorisë së Përgjithshme, prandaj u përgjigja prerë: Në asnjë mënyrë.

Prokurori, pas pak, më kërkoi përsëri të pranoja, por ja hodha poshtë. Kur më përcolli, drejt shtëpisë sime, ai përsëriti edhe njëherë kërkesën, duke thënë se nuk ka asgjë të keqe dhe s’ke arsye për ta refuzuar. Këtë herë pranova dhe mendoj se kam bërë shumë mirë. Unë njoha një njeri që kishte krijuar antipati dhe urrejtje në masë për veprimet arbitrare të ShIK që drejtonte ai. Unë qëndrova me të për më shumë se pesë orë dhe krijova përshtypje të jashtëzakonshme, për një njeri fatkeq që ishte ngarkuar me një peshë të rëndë, që nuk mund ta mbante në atë kurriz skelet. Ai gjeti tek unë një njeri që të shfrynte dertet e tij. Më tha se kishte bërë dy herë dorëheqjen, por nuk ja kishin pranuar dhe e kishin sikterrisur. Propozimi për të marrë pjesë në komisionin e caktuar në Prokurorinë e Përgjithshme u kalua shkarazi, sa për sy e faqe, pastaj bëmë biseda të lira. Unë ja thashë troç se nuk mund të marr përsipër veprime të pambështetura në ligj. Ai më kuptoi drejt dhe nuk e përsëriti më kërkesën. Gjatë bisedimeve tona e morën në telefon për ta pyetur por ai përgjigjej se ende nuk kishim përfunduar. Krijova përshtypjen se z. Gazidede ishte marrë si koperturë e veprimeve të paligjshme që kryente SHIK-u, i drejtuar nga shumë “Gazidede”, pa miratimin e Gazidedes së vërtetë. Ai ishte marrë nga shkolla dhe nga xhamia për të kryer detyra që binin ndesh me moralin e tij si edukues i brezit të ri dhe si nxënës i Profetit Muhamed. Krijova përshtypjen se Gazidede ishte një viktimë e politikës agresive partiake. Shpreh keqardhjen që ai bredh nëpër botë, sepse i kanë mbyllur dyert në vendin e tij. Ndershmëria e tij është provuar edhe në çastet e fundit si kryetar i SHIK-ut, kur në kasafortë i la Fatos Klosit 110.000 USD, për të cilat nuk kishte detyrim. Po të ishte i paturpshëm, do t’i kishte futur në xhep dhe do bënte jetë krajlësh, pa qenë nevoja të bridhte andej e këndej, për të kërkuar lëmoshë. Por opinion im, është rezultat vetëm i një takimi. Por mendoj se çdo analizë që duhet të bëhet për të, duhet patur në konsideratë faktori “ligj” dhe faktori “njeri”. Jam i bindur se me një analizë të tillë do t’i hapen dyert për të qenë qytetar i Republikës së Shqipërisë.

Kjo nuk do të thotë që të harrohen, apo të lihen pa ndëshkuar fajet apo krimet e ish SHIK-ut. Ato të kërkohen. Jam i bindur se grada Gjeneral me katër yje është imponuar. Gazidede nuk e ndjente veten të lumtur as me grada dhe as pa grada në atë detyrë, por nuk kishte në dorë, ishte zënë në një çark që nuk shpëtonte dot. Prandaj, fajësia e tij duhet gjykuar shumë më e vogël në krahasim me fajësinë e atyre që sot janë jo vetëm të lirë, por edhe në krye të politikës shqiptare. Sigurisht që këto janë përshtypjet e mia, të krijuara vetëm gjatë një takimi. Mund të ketë edhe të tjerë, që e njohin me mirë dhe që gjykojnë ndryshe.

 

  1. Ç.: Po marrëdhëniet tuaja me Klosin?
  2. B.: Marrëdhëniet e mia me Klosin kanë qenë dhe janë shumë të mira, jo vetëm që nuk i mohoj ato, por e quaj vetën krenar për bashkëpunimin e frytshëm që kam patur me të. Marrëdhëniet institucionale tepër korrekte që kam patur me të gjatë pesë vjetëve të fundit, në krye të komisionit Shtetëror të Kontrollit të figurave, bënë të mundur krijimin edhe të miqësisë tonë. Nuk mund të mos isha mirënjohës ndaj z. Klosi për ndihmën e tij, nuk mund të mos vlerësoja korrektësinë dhe fisnikërinë e tij. Ai është njeri, një nga njerëzit e paktë që nuk dinë të mendojnë keq për tjetrin. Edhe kur unë i hoqa njerëzit për shkak të pengesave ligjore, atij i vinte keq sepse vetëm me punë i ushqenin fëmijët, ndërsa tani do të mbeteshin pa punë, që do të thotë pa bukë. Prandaj ai u interesua që t’i gjente punë diku gjetkë, në një sektor ku nuk parashikohej penalizimi i tyre ligjor. Kur u emërua në atë post, nuk pranoi të bënte “gjueti shtrigash” por të pushuar punonjësit që kishin qenë më parë në SHIK, duke përfshirë edhe sekretaren e tij, që çdo ditë merret me dokumentacionin sekret të tij. Për këtë u kritikua edhe nga “Zëri i popullit” disa herë, por z. Klosi nuk i përfilli kritikat e bëra. Për atë mjaftonte fakti që sekretarja ishte shumë korrekte dhe i bënte shërbimin, prandaj e mbajti deri në fund sekretaren e tij. Mbajti edhe në arkivin sekret, ish punonjëse të Gazidedes. Kjo politikë kuadri e tij, i shërbente edhe detyrës sime, sepse, kur venë në arkiv për të marrë dosjet, caktohen dy persona, një nga ish punonjësit e pare dhe një nga të rinjtë, kështu që përjashtohet mundësia e kontrollit të dosjeve gjatë rrugës. Por gjatë këtyre pjesë vjetëve, kemi patur edhe dy raste të qejfmbetjes, sigurisht për shkak të interesit të punës. Herën e parë më kundërshtoi për shkarkimin e një punonjësi që kishte pengesa ligjore. Në fakt ai kërkoi pezullim të përkohshëm për shkak të nevojave që kishte, por unë këmbëngula dhe ai u detyrua ta pushonte.

Herën e dytë ishte për emërimin në punë të një punonjësi pa kaluar procedurën e kontrollit nga Komisioni, siç ishte parashikuar në ligj. Është fjala, për Irakli Koçollarin, i cili ka qenë kryetar i parë i SHIK-ut. Zoti Klosi, duke patur respekt për të, si krijues i këtij institucioni, e emëroi si këshilltar të tij, pa pyetur njeri. Në një letër që na u dërgua neve, thuhej se z. Klosi ka shkelur ligjin, për shkak se z. Koçollari ka qenë i dënuar penalisht dhe për ta marrë në punë duhet të kalojnë të paktën pesë vjet rehabilitim të parashikuar nga Kodi Penal.

Këtë informacion e verifikova, por z. Klosi e shpjegoi ndryshe. Ai më tha se kam dëshirë për ta emëruar, por për këtë do të ndjek rrugët ligjore. Aktualisht ai është i komanduar për të hartuar rregulloren tonë të brendshme. Unë i kërkova që ta shkarkonte, por ai nuk pranoi, duke u mbështetur në të drejtën e tij që të komandonte me detyra të ndryshme për kohë të caktuar. Ai e mbajti më gjatë dhe përfundimisht e pushoi, por në të njëjtën kohë emërohet këshilltar i Kryeministrit Nano.

Do të thosha se këto shkelje të z. Klosi janë të parëndësishme. Këtë e tregon edhe vetë fakti që z. Koçollari u emërua menjëherë këshilltar i z. Nano. Nuk jam i sigurt nëse do ta quaj apo jo shkelje edhe këtë komision hetimor.

 

  1. Ç.: Po marrëdhëniet tuaja me zotin Berisha, raportet?
  2. B.: E vërteta është që unë kam patur një respekt shumë të madh për zotin Berisha kur ishte doktor. Kur erdhi në politikë, të them të drejtën krijova disa rezerva, por shumë shokë të mi ishin të apasionuar për të dhe nuk pranonin ta kritikoje Berishën. Natyrisht unë nuk vija në diskutim meritat e tij, por më dukej e gabuar strategjia e tij. Por kritika ime ka qenë gjithnjë dashamirëse, veçanërisht gjatë kohës kur ishte President i Republikës. Kështu p.sh. në v. 1996, kur mendohej se shteti ligjor ishte forcuar shumë dhe ishim në dyert e Evropës, unë shkrova se “…anija po ecën në njërën anë dhe do të fundoset!” Ky paralajmërim nuk bëhej për motive propagandistike, për shkak se unë nuk jam marrë kurrë me propagandë partiake, por ishte krejtësisht e qartë politika e gabuar që ndiqte Berisha dhe kjo na shqetësonte.

Me të kam patur marrëdhënie korrekte dhe të mira kur isha anëtar i Gjykatës së Kasacionit, por natyrisht edhe pakënaqësi të vogël, kur pranova kërkesën e tij për të dhënë dorëheqjen nga kjo detyrë, me qëllim që të mbroja familjet e katër dëshmorëve të demokracisë në Shkodër. Ai më deklaroi se do të interesohej personalisht që të mos kisha dëmtim ekonomik, ndërsa në fakt më la pesë muaj pa rrogë, duke rënduar shumë ekonominë e familjes.

Nuk e besoj që ai ta ketë bërë këtë për ndonjë pakënaqësi për mbrojtjen e bërë nga ime, për shkak se unë bisedova paraprakisht me z. Berisha, i thashë hapur se do të bëja mbrojtje profesionale, unë jam jurist jashtë politikës. Politikën bëjeni ju. Mbeta i kënaqur nga qëndrimi i tij, për shkak se nuk më bëri asnjë ndërhyrje. Pas zgjedhjes sime anëtar i Gjykatës së Kasacionit, detyrën e avokatit mbrojtës të familjeve të dëshmorëve të demokracisë ia dorëzova av. Hektor Frashërit, natyrisht me pëlqimin e familjeve dhe vetë z. Berisha. Por kjo nuk zgjati shumë. Familjet kërkuan me këmbëngulje që të isha unë avokat i tyre. Por, kushtet kishin ndryshuar, unë nuk lejohesha nga Kushtetuta që të jepja dorëheqjen. Z. Berisha më thirri përsëri në prezencë edhe të z. Sabri Godo. Më shtroi problemin dhe më bëri thirrje të bëja dorëheqjen. Më thotë se situata ishte shumë e rënduar, për shkak se familjet e dëshmorëve të demokracisë kanë shpallur grevë urie, sepse duan që ta vazhdosh ti mbrojtjen e tyre. Unë të bëj thirrje të shkosh dhe do të interesohem personalisht për të zgjidhur problemet ekonomike. Nuk do të lëmë, në asnjë mënyrë nuk do të lëmë të dëmtohesh ekonomikisht. Gjithashtu do të interesohem personalisht të zgjidh problemin e pengesave kushtetuese. Zoti Berisha nuk më bëri asnjë presion. Shumë i kënaqur mbeta edhe nga qëndrimi parimor i nënkryetarit të PD-së, z. Arben Imami, por kishte të tjerë, të cilët kërkuan ta kthenin mbrojtjen e familjeve të dëshmorëve të demokracisë në një tribunë politike. Natyrisht nuk mund ta pranoja një mbrojtje të tillë. Kështu, vazhdova të punoj në bazë të provave, të ligjit dhe të ndërgjegjes sime, i gjithë procesi është pasqyruar në librin tim “Procesi i Shekullit”, ku është bërë një analizë juridike, bashkë me mendimet e mia. Jam i bindur se e kam kryer mirë atë detyrë, kurse Z. Berisha nuk e mbajti fjalën. Në ato kushte shumë të rënda, kur një vezë në restorant kushtonte 1500 lekë dhe një pilaf 3000 lekë, unë mbeta në shpinë familjes për pesë muaj. Por më shumë nga dëmi ekonomik vlerësoj mungesën e satisfaksionit moral për sakrificën e madhe që bëra, duke përballuar kërcënime deh për jetën time.

 

  1. Ç.: Po me zotin Nano jeni njohur?

 

  1. B.: Me zotin Nano nuk kam folur kurrë, nuk i kam dhënë ndonjëherë dorën. E kam njohur kur ka qenë 5 apo 6 vjeç, e nxirrte zonja Mari, një nënë e mrekullueshme që gëzon respektin e të gjithë atyre që e kanë njohur, dhe e sillte në klubin e gazetarëve ku prisnin të dilte nga zyra e z. Thanas. Unë punoja në Agjencinë Telegrafike Shqiptare dhe zakonisht zbrisja në klub, që ishte nën zyrat tona. Thanasin e kishim drejtor, një drejtues punëtor i palodhur, i zoti, por edhe i rreptë me vartësit, ashtu siç e kërkonte koha. Të linte përshtypjen e njeriut tejet i doktrinuar, por vetëm i tillë nuk mund të qëndrojë në postet e drejtuese. Ndërsa kur Fatosi doli në skenën politike, në një intervistë shumë interesante që dha në fillimin e proceseve demokratike, e cila ishte një intervistë e guximshme, e diskutuar gjerë në rrethet intelektuale, kishte njerëz që mbetën të habitur duke mos besuar se djali i Thanasit, njeriut të vendosur për Partinë, të na dilte demokrat. Më kujtohet një diskutim i tillë kur unë u përgjigja: “Mos u çuditni, ai i ngjan zonjës Mari”. Dhe sa herë që Fatosi bënte ndonjë punë të mirë, ata më merrnin në telefon dhe më thoshin se ç’kishte bërë djali i Marisë. Por ai bënte edhe punë të këqija, për të cilat unë nuk mund të them se i ngjan z. Thanas, për shkak se ai i ka shërbyer kohës ashtu siç duhej. Edhe nëse kam patur ndonjë pakënaqësi për të, asnjëherë nuk e kam shprehur sepse drejtuesit e institucioneve të tillë ishin, i ruheshin çdo gjëje, edhe ata kishin hallin e karriges, ashtu siç e kanë edhe Fatosi me të tjerë. Për karrige kanë luftuar dhe luftojnë të gjithë. Por kur u emërova kryetari i Komisionit të Kontrollit të Figurave, Fatosi ishte Kryeministër dhe tregoi një mospërfillje të çuditshme. Më lanë pa zyrë, pa makinë, veja në punë më këmbë, më lanë shumë keq, nuk kisha as karrige. Më vonë Fatosi bëri atë që s’e kishte bërë asnjë kryeministër tjetër. Ai mblodhi Këshillin e Ministrave dhe më hapi portat e punës.

 

 

 

 

 

Loading...

Lini nje pergjigje