Politika shqiptare: Përse ribien muret e kalasë të Rozafës? 

0
122

images
I.

Që politika shqiptare ka hyrë në një krizë të thellë, këtë nuk ka nevojë të jesh analist për ta konstatuar. Edhe një adoleshente që ndjek shkarazi lajmet ndërkohë që krihet a vendos të kuq buzësh për të shkuar në një party, e ka ndier. Midis shumicës parlamentare është konsumuar tashmë mirë a keq një çarje e pakthyeshme. Opozita është pa koherencë të brendshme dhe pa emër veprimi. Fatkeqësisht për qytetarin. Midis krahëve të ndryshëm të shumicës dhe krahëve të opozitës ka bashkëpunime të fshehura që në fakt edhe adoleshentja jonë që po shkon në party e ndjen se ekzistojnë dhe e lënë politikën pa identitet. Dhe së fundit deputetët që presin e rrinë se çfarë do thonë shefat, kurse partitë politike janë si gjela të Vitit të Ri që vetëm këndojnë kur u fishkëllen i zoti. Partitë e tjera opozitare mjaftohen me deklarata kontradiktore dhe nuk dinë se kujt t’ia ndreqin e kujt t’ia prishin. Një raport ndërkombëtarësh ka penalizuar të gjithë aktorët politikë dhe e ka hedhur gurin a copën e bukës në shesh, ka spërkatur me lëng të gjithë nga lart dhe ata poshtë tyre tani janë të detyruar të shkundin pikat nga supet duke thënë: Shihni unë jam i palagur! Asnjë provë gjyqësore nuk ka por adoleshentja jonë që para sesa të dali përshëndet shpejt e shpejt gjyshërit nuk ka kohë të mendojë për këtë: Ehu, kështu janë të gjithë, më mirë po shkoj në party.

II.

Ndërkaq arsyet e vërteta dhe ato të fabrikuara po numërohen dhe llogariten nga analistët politikë, shumë të pavarur, në emisione shumë të pavarura televizive, drejtuar nga gazetarë shumë të pavarur, që nuk duan t’ia dinë as nga influencat e pushtetit, as nga presionet e politikanëve, as nga influencat e lobive – lubive private, por vetëm gjurmojnë të vërtetën, të vërtetën lakuriq, sikurse do të ishte një party nudistësh, ku fatmirësisht adoleshentja jonë nuk është duke shkuar.

E vërteta lakuriq.

Pse po ndodh ky kaos politik në Shqipëri, kur duket se Gjermania po e afronte Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian? Përse ky kaos kur marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë po shtendoseshin aq shumë saqë dialogu shtetëror ishte kthyer në një folklor barcaletash dhe miqësie individësh që mendojnë se mbi historinë mund të vendosin tekat dhe trillet e tyre? Kur Greqia është në humnerë ekonomike? Kur Kosova po rënkon nën peshën e gjykimit të ardhshëm ndërkombëtar dhe serbët atje po marrin bashkësinë e komunave serbe si një autonomi brenda shtetit të pavarur, por që ende i panjohur nga familja e kombeve?

Evropa në krizë me refugjatët.

Shtetet e Bashkuara po përpiqen të negociojnë me Rusinë një aleancë, me ose kundër Basharit kasap të Sirisë, kundër shtetit Islamik që kërcënon Evropën me pushtim.

Ka lidhje instabiliteti shqiptar në politikën e sotme me këto dukuri, apo jo, çne???, këta tanët grinden me njeri tjetrin për pushtet personal dhe kaq???

Jo se vendi ynë zë ndonjë pikë qendrore në politikën dhe gjeostrategjinë botërore ose rajonale.

Pikaaa neve!

Një pikë uji në legenin e përbotshëm jemi apo nuk jemi. Megjithatë sipas festes edhe kokën, nga ne varen edhe marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, nga këto marrëdhënie, që politikanët tanë kanë deklaruar se bashkimi kombëtar është kryer dhe mbeten vetëm mbledhjet e përbashkëta të qeverive, varet pozita e Serbisë dhe e serbëve në Ballkan. Pra varet stabiliteti i Ballkanit ku fuqitë e mëdha sigurisht, ato pro dhe ato kundra shqiptarëve, dihet se kush janë, apo ato as kundra as pro, kanë interesa të mëdha sigurisht.

Ndërkohë qytetari shqiptar fle. Pjesa më aktive ka ikur në emigrim. Pjesa punëtore e mbetur punon në hallin e vet dhe nuk ja ka ngenë politikës. Pjesa fëmijërore dhe adoleshente, si edhe rinia shkon në party ose në universitete private sipas ligjit të ri të arsim – këndimit të lartë, rokaniset ideologjikisht dhe gënjehet me fleta pa vlerë që i quan diploma, pensionistët shtyjnë ditët, kurse të papunët nëpër rrugë janë si zombi, nuk dihet se janë të gjallë apo të vdekur, apo thjesht të dehur, apo të riardhur nga bota e përtejme.

Kaosi është ekonomik, social, kulturor, gjeopolitik dhe pastaj është politik si një marrëdhënie që është destabilizuar e që normalisht pa zgjedhje të reja nuk shkon dot gjatë pa e futur vendin edhe më shumë në qorrsokak seç është, por e bukura e dhimbshme është se as zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.

Zgjedhjet në Shqipëri nuk janë as të ndershme, as të drejta, as të barabarta, ndoshta gjysmë të fshehta. Por askush që nuk ka mik ndonjë kryetar partie nuk zgjidhet dot. Asnjë i zgjedhur nuk e di se nga i mori votat, as një zgjedhës nuk di se ku shkoi vota e tij.

 

III.

Analistët nëpër media përpiqen ta shohin skemën politike nga afër, t’i qëndrojnë afër lajmit. Shumë mirë bëjnë, ky tha ashtu, ky tha kështu, ku takoi këtë në hotel, ky piu raki në motel etj.

Pikërisht ka ngjarje që duke i parë nga afër, nuk i shikon dot.

Nëse mali lëkundet, lëkundjen e dallon nga larg. Jo nga afër. Por, ne kemi vetëm opinionistë, nuk kemi institute gjeopolitike, politologjike, nuk kemi historianë të politikës, aq më pak grupe filozofësh e sociologësh që studiojnë politikën.

Babai i sociologjisë, ulur nën gjethe fiku, e shumta që bën është të bëjë fresk për ndonjë deklaratë të ndonjë funksionari politik për të konsoliduar rrogën, postin dhe kotheren e bukës që i jep zotëria, ai i vërteti, jo ai që duket. Lehje, jo analiza.

Kurse studiuesi i civilizuar ngatërron krizat ekonomike të kohës të Marksit me ato të sotmet dhe nisur nga ky gabim prej idioti, jep gjykime e rekomandime sesi duhet të dalim nga kriza duke treguar banalitete perverse ose bërë monologë plagjiaturë, e luajtur rolin e priftit pa kishë.

Potenciali intelektual i kombit është copë – copë, i bërê copë, ku shkencën e bëjnë disa nga foltorja e faltores.

 

IV.

Pa marrë angazhimin për të paraqitur të vërtetën lakuriq, si në një party nudistësh, pa i hequr puplat laraskave, pëllumbave dhe sorrave, sokolave të malit, dhe skifterëve, desha të them modestisht se politika e ditës ka nevojë të analizohet edhe në “macroskale”, pra në një shkallë historike e ritëm afatgjatë për ta kuptuar si duhet. Pyetja që unë shtroj përpara bashkëqytetarit apo bashkëpatriotit, bashkëfshatarit po deshët, prej vitesh? Por bashkëqytetari nuk e dëgjon, ose nuk përpiqet ta kuptojë është: Përse Shqipëria hyn në kriza të mëdha politike çdo 7 ose 10 vjet afërsisht, qysh kur Ismail beu ngriti flamurin dhe deklaroi me veten e tij dhe ndjekësit e vet se Shqipëria është bërë e mëvetshme?

Për ta bërë edhe më të kuptueshme e kam ndërtuar si metaforë:

Përse muret e Kalasë të Rozafës binin natën periodikisht, sipas cikleve të rregullt, ndërsa ndërtohen ditën?

E kanë cituar, e kanë lexuar, e kanë futur edhe si pjesë leximi në shkollën e mesme, por më e shumta që kam marrë është pakënaqësia e prindërve:

Profesor shumë e vështirë për ta kapur mesazhin! Zyshat e letërsisë i pyesin kalamajtë: Çfarë ka dashur të thotë autori? Ata vijnë te ne na pyesin. Kurse ne nuk dimë çfarë t’u themi.

Qesh dhe me vete them: E dini, ju e dini, por keni një bllokim psikologjik brenda jush sepse nuk e doni të vërtetën lakuriq si një adoleshente në një mbrëmje nudistësh!

Gjeni ritmin e rrëzimit të mureve të kështjellës, pra të politikës dhe shtetit, analizoni secilën natë rënieje, bëni krahasimet, dhe do të gjeni forcën misterioze që legjenda nuk e tregon hapur si nudiste, por e përmban fshehurazi, sikurse bëjnë të diturit e sinqertë e mjekët që jo gjithmonë e thonë hapur dhe ballazi sëmundjen nga vuan pacienti i kapur nga një virus shkatërrimtar.

 

V.

– Nga viti 1912 deri aty nga 1915 dihet se flamuri i ngritur në Vlorë ra disa herê në baltë dhe u ringrit. Ismail beu dha dorëheqjen, Princ Vidi nuk bëri hajër etj.

– Në 1924, nja dhjetë vite më pas, shteti shqiptar u lëkund sepse ndodhi ai që u quajt “revolucion i qershorit” ku nuk dihet se kush luajti me serbët e kush me rusët, apo serbët dhe rusët luajtën me shtetarët shqiptarë. Muret u rrëzuan.

– Nja dhjetë vjet më pas, aty nga 1935, kryengritja e Fierit tregoi se përballë detit, brenda shtetit, lëvizte llava e vullkanit që rrëzonte muret e Kalasë që ishin ngritur qysh nga Kongresi i Lushnjës në 1920 dhe pak më pas. Le të vinin kolonelë të huaj për ta vendosur në vijë xhandarmërinë. Nuk ka xhandar që i mban muret ngritur kur ato lëkunden.

– Pastaj Lufta botërore, dhe dhjetë vjet më pas, 1944, shteti ringrihet në formën jo të një protektorati, jo të një lidhjeje me kurorën perandorake qesharake të xhuxhit përballë, as monarki jolegjitime kushtetuese, por si diktaturë. Mirëpo as këtyre ritmi i rrëzimit të kalasë nuk iu ndahet.

– 1956 – 1960: ndarja me sovjetikët, eliminime të pushtetarëve vendas, dhe kalim drejt një stalinizmi ideologjik, politik dhe ekonomik shembullor. Duket se politika e ka forcën shkatërruese të mureve në dorën e vet dhe e kontrollon me forcën e shtëpisë me gjethe, që sot festojmë si muze dhuratë nga bashkimi. Por, jo. Ku ka pushtet që përballet dot me forcat misterioze të historisë!

– 1972 – 1976, pra nja dhjetë e dymbëdhjetë vjet më pas prishja me kinezët dhe terrori tani përfshin edhe elitat pushtetare komuniste, gjeneralë, ministra, ideologë, nëpunës, artistë, vetë burokracinë shtetërore, dhe shkrimtari nuk e kupton se çfarë po ndodh. Njeri i këndon shkëputjes nga sovjetikët pikërisht kur te ata po ndodhte një liberalizim, dhe tjetri i bën komedinë nëpunësit të shkretë zylambak, që në fakt me rënien e tij personifikonte rënien e shtetit në duart e kontrolleve punëtore dhe fshatare si falanga fashiste.

– 1981: E po qoftë me kaq, thamë, lëkundjet mbaruan. Tani nuk na mbetet veçse të shkruajmë libra se si nga dashuria, kalohet në fejesë dhe pastaj gradualisht në martesë, me autor babin e babait. Çfarë fejese mo? Një fejesë e gabuar dhe kryeministri vret veten. Shteti është përsëri përtokë. Titista, imperialista, puçista etj., përmenden, por pak rëndësi ka. Muret e kalasë kanë rënë.

– 1991 – 1992: Shteti ka rënë në formën staliniste dhe po ringrihet nga një revolucion që si për çudi u krye pa shkelur asnjë ligj. Reformim ligjor, por vendi kaloi natyrisht nëpër llava vullkanesh për pak djegëse. E mo, mirë, po ja erdhi demokracia dhe historia mbaroi shpalli ai babai i sociologjisë duke cituar një pervers tjetër. Por, demokracia, si monarkia, si totalitarizmi, si protektorati, si perandoria ku ne ishim pjesë, nuk e shmangte dot jo misterin e rënies ciklike të mureve të kalasë.

1997: Shqipëria për pak sa nuk shqyhet në dysh midis kryengritësve që kërkonin paratë tona dhe pushtetit që kishte shkarë nga binarët. Aq sa pati nga ata që tremben nga lëkundja e mureve dhe i duan ditën muret kur duken të fortë, e ikin natën kur muret dridhen me oshtimë që thanë: Ta ndajmë Shqipërinë, në dy kantone, Veri dhe Jug, Veriu të iki ku të dojë, të bashkohet me Kosovën, Jugu të bashkohet si autonomi me Greqinë…

2008 – 20012: E mo, pas dhjetë vjet qetësie, pati nga ata të fundit të historisë që deklaruan: Uf, do të mërzitemi tani, demokracia u poq dhe nuk ka më ngjarje madhore! Prit, o prit, tha me vete urithi i historisë, ja sa të gërryej edhe pak themelet dhe muret do të të dridhen, lëkunden e bien në tokë përsëri. Gërdeci na plasi bombën në dorë si një lloj vetëvrasjeje. Pastaj të vrarë në bulevard në përballje politike në sheshe. Askush nuk kuptoi se përse, me çfarë qëllimi, me çfarë nënkuptimi? Të gjitha palët politike nisën të fajësojnë njëra-tjetrën, dhe loja midis vrasësit dhe viktimës u bë metafora e politikës shqiptare që normalisht duhet të ishte ajo midis shumicës dhe opozitës. Politikën e kemi bërë si terminologji duke zëvendësuar termat politikë, që asnjëherë nuk kemi ditur ta bëjmë, me terma zëvendësues:

Baballarë (të kombit) – fëmijë (nënshtetas)
At (diktator) – nipër (pionierë)
Vrasës – viktima
Hajduti – polici

– 2015 arrin. Politika është pa identitet. Shteti i politizuar dhe që mbahet nga ekuilibrat e brishtë politikë. Kur ato prishen, ikni me vrap se ju zënë muret e kalasë brenda. Zgjedhjet jo demokratike. Mega-afera financiare na trembin. Rinia e tëra ose në Gjermani ose duke bërë tifozllëk te arena e Elbasanit për ta dërmuar Serbinë me topa… në rrjetë. Pije dhe sport: ja se çfarë do populli romak! E mbi këtë tortë të prishur, qershia e pastër: kërkohet një qytetar i virgjër, të marrësh kuponin qerrata se përndryshe të ndryj brenda në qeli…Muret po lëkunden, politika ndodhet siç thamë në fillim në krizë.

+++

VI.

Kuptuat gjë?

Jo, jo, ende – bërtasin baballarët dhe mamçkat që kryqëzoj rrugëve të Beratit, Gjirokastrës, Sarandës, Kukësit, Durrësit… Durhana. Ku je o Durhanas ku je!!! Nuk i japim dot përgjigje pyetjes se çfarë ka dashur të thotë autori?

Na e thuaj o autoro, o Durhanas!

Po autori ndofta nuk e di as vetë se çfarë ka dashur të thotë. Ose, ka krijuar një metaforë që në konjuktura të ndryshme merr kuptime të ndryshme.

Po vrite pak mendje o baba, o mama durhanase! Nuk është mirë që të jepet zgjidhja gati sikurse ta jep llogaritjen një makinë elektronike. Se të bllokohet truri pastaj. Kur rrezikohesh që muret të bien, natën pra, kupton të vërtetën. Drita e diellit, kur muret e rindërtuara nga Sula i madhërishëm që pretendon se paska ndërtuar kalanë e Lezhës, dhe këta gjumashët e hanë, duken si gjigantë dhe të patundshëm, gënjehesh. Kujton se ata që të paralajmërojnë janë pëllumba të egër, skifterë grabitqarë, sepse nuk sheh lobitë – lubi që ta kanë venë dorën në fyt sepse ata kërkojnë një Rozafë për ta murosur…

Cikli fatal…

E ja kështu legjenda e Kalasë të Rozafës, ku vetë një nga personazhet është në hije, të tjerët dihen, punë kunatash, baxhanakësh, nonash, nusesh që flenë me burrat dhe i detyrojnë të gënjejnë e mashtrojnë vëllezërit… Historira banale që ndodhin cdo ditë dhe çdo mbrëmje nëpër shtretër.

Por, lexojeni esenë time për kompleksin e Rozafës. E gjeni në libra këndimi. Por mos më pyesni ju lutem se çfarë ka dashur të thotë autori? Autori ka dashur të thotë se duhet ta gjeni ju se çfarë ka thënë ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here