Personazh / Charles Lindbergh: në krahët e lavdisë

0
124

images (2)

Personazh shumë i diskutuar, në vitin 1927 Charles Lindbergh e lidhi emrin e tij me fluturimin e parë transatlantik, i vetëm. Një sipërmarrje (edhe) mediatike
Kjo nuk është një përrallë amerikane. Charles Augustus Lindbergh, postieri i ngathët fluturues që përshkoi i pari Atlantikun në vetmi, është parodia e rosakut të shëmtuar që, pasi u nis nga hiçi dhe u transformua në mjellmë, mbeti më pas skllav i sukseseve të tij: i bindur se historia mund të pilotohej si një aeroplan, humbi rrugën dhe u shndërrua në një paladin, të cilit i duhen kujtuar edhe të mirat, por dhe i duhen harruar kthesat e rrezikshme.
Pasion me krahë
I lindur në vitin 1902 në Detroit në një familje të kamur (babai avokat, mamaja mësuese) dhe i rritur në rrethinat e Minesotës, Charles demonstroi që i vogël një prirje të lindur për mekanikën. Pasi u rregjistrua në 1920 në fakultetin e Inxhinierisë në Universitetin e Uiskonsin, braktisi studimet dy vjet më vonë për t’iu dedikuar pasionit të tij të vërtetë: fluturimit.
I riu Lindbergh, një djalosh me gjatësi 1 metër e 85 dhe një karakter tërheqës, gjeti punë si pilot akrobatik dhe në vitin 1924 filloi të frekuentojë shkollën ushtarake të San Antonios në Teksas. Dymbëdhjetë muaj më vonë mori patentën dhe kompania ajrore Robertson e pranoi si postier në itinerarin Saint Louis-Chicago.
Ndërkohë, në vitin 1919, një manjat me origjinë franceze, Raymond Orteig pronar i një zinxhiri hotelesh në Amerikën Veriore, kishte shpallur përmes faqeve të një gazete të përjavshme se do të shpërblente me 25 mijë dollarë atë që do të arrinte të fluturonte pa ndalim nga Nju Jorku në Paris. Për vite të tërë, shumë pilotë e provuan, por pa sukses: mjetet fluturues të epokës kishin ende një teknologji të pamjaftueshme për një udhëtim kaq të gjatë.
E megjithatë pikërisht në muajt kur u bë i ditur shpërblimi, pilotët britanikë John Alcock dhe Arthur Broun, në bordin e një avioni bombardues të modifikuar, realizuan udhëtimin e parë nga një breg i Atlantikut në tjetrin, duke u nisur nga Saint John’s në brigjet lindorë të Kanadasë, me destinacion Irlandën. Por përpjekjet e tyre, ndonëse të shpërblyera nga qeveria britanike, patën një jehonë të pakët mediatike. Dhe nuk i përgjigjeshin kërkesave të Orteig.
Në vitin 1926 çmimi priste ende që të merrej dhe në 20 shtator të atij viti e provoi asi francez Rene Paul Fonck: avioni i tij tremotorësh, të cilin projektuesit kishin dashur ta testonin edhe për pak kohë u rrëzua që në fazën e ngjitjes përgjatë pistës së Roosevelt field në Nju Jork. Avioni, i tejmbushur me karburant, mori flakë dhe dy nga katër pjesëtarët e ekuipazhit gjetën vdekjen. Fonck doli i gjallë, për mrekulli. Përpjekjet për të fituar çmimin e vënë nga Orteig, pavarësisht çmimit të lartë që kërkonte sfida, u shumëfishuan: në 18 maj të vitit 1927 dy aviatorë të tjerë francezë, të ngritur nga Parisi, u rrëzuan në oqean dhe nuk u gjetën kurrë më.
Shumë shpejt do të vinte radha e Lindbergh, pilot i ri dhe i panjohur që mediat e kishin konsideruar si të destinuar të dështonte që pa u nisur. “Lindbergh”, thotë Stefano Cosci, kolonel dhe zëvendës drejtor i Rivista Aeronautica, “kishte gjetur në “Ryan aeronautical” të San Diegos një projektues të gatshëm që të ndërtonte një avion sipas kërkesave të tij, ndërkohë që në Saint Louis kishte bindur një grup sipërmarrësish që të sponsorizonin projektin. Avioni, që u pagëzua me emrin “Spirit of St Louis”, për nder të financuesve të tij, kishte vetëm një motor 223 kuaj fuqi, një hapje krahësh prej 14 metrash, 8 metra gjatësi, 3 metra lartësi dhe një peshë në momentin e ngritjes prej 2330 kilogramësh.
Avioni, i ndërtuar me dru kryesisht dhe me pak pjesë metalike, kushtoi afro 6 mijë dollarë, kundrejt një financimi prej 15 mijë dollarësh: një buxhet qesharak krahasuar me atë të konkurrentëve të tij më të famshëm. Veçantia e mjetit fluturues, një ekzemplar unik, ishte serbatori shumë i madh i vendosur mes kabinës së pilotimit dhe motorit. “Kjo e privonte Lindbergh nga çdo lloj forme pamjeje ballore, duke e detyruar të kishte vetëm pamje anësore: për të parë përpara, piloti ishte i detyruar të përdorte një lloj periskopi”, shpjegon Cosci. “Ish postieri fluturues, më pas hoqi nga “Spirit of Saint Louis” çdo gjë që e konsideronte të panevojshme: radio, drita lundrimi e madje edhe parashutën”. Për të qetësuar familjen mori në aeroplan një varkëz të vogël indiane të dorës së dytë, i vetëdijshëm gjithsesi që në mes të oqeanit nuk do t’i hynte aspak në punë.
Pas një jave shtyrjesh të vazhdueshme për shkak të kohës së keqe, dhe me shumë pak orë kolaudim, në 7:52 të 20 majit 1927, në mungesë të erërave, Lindbergh vendosi që të niset: natën para nisjes e kish kaluar pa gjumë dhe për ta ndihmuar që të qëndronte zgjuar gjatë fluturimit kishte zëvendësuar sediljen e pilotit me një karrige shumë të parehatshme xunkthi.
Në fluturim
Roosevelt Field, për shkak të shirave të ditëve të mëparshme ishte shndërruar në një baltovinë gjigante (aeroportët nuk ishin ende të asfaltuar): “Spirit of St Louis”, rrethuar nga një turmë e vogël kuriozësh, përparonte ngadalë dhe vetëm në momentin e fundit arriti të shkëputet nga toka, duke shmangur për pak degët e pemëve dhe kavot e dritave në fundin e pistës. Me vete, Charles kishte disa panine, disa shishe ujë, një busull, një hartë gjeografike dhe 1700 litra benzinë.
Pas 12 orësh fluturim, i veshur nga një mjergull e trashë, avioni nisi të humbasë lartësi për shkak të akullit të formuar në krahë dhe në trup: Lindbergh, pas disa momentesh hezitimi, vendosi të vazhdojë. Fluturonte me instikt, duke vëzhguar busullën dhe yjet, por pa e ditur pozicionin e tij të vërtetë. Pas 20 orësh dukshmëria u përmirësua: adrenalina e mbante zgjuar dhe, siç do të tregonte më vonë, nuk kishte shenja lodhjeje. Pas 27 orësh erdhën sulmet e parë të gjumit. Por shfaqja e brigjeve të Irlandës e zgjoi një herë e mirë: kuptoi se kishte bërë më të shumtën.
Në 21 maj, në orën 10:22 të natës pas 5790 kilometrash, 33 orë, 30 minuta dhe 29 sekonda fluturim, “Spirit of St Louis” u ul në aeroportin Le Bourget pranë Parisit. Kish dalë me sukses. Lindbergh do të bëhej njeriu i parë në histori që kish përshkuar i vetëm oqeanin Atlantik në fluturim dhe gjithashtu i pari që kishte fluturuar pa ndalim për kaq shumë kohë.
Njeriu i vitit
Në Francë, më shumë se 150 mijë vetë u rreshtuan përgjatë pistës së uljes. Një dëshmitar i kohës do të tregonte më vonë për telekamerat e RAI-t në Itali: “Turma brohoriste, këndonte, qante dhe kur avioni iu afrua më në fund publikut, pati disa minuta heshtje. Ishte një moment surreal. Lindbergh doli nga kabina me shumë ngadalësi. Dukej i befasuarnga një pritje e tillë. Avioni dukej i dëmtuar dhe të gjithë donin të merrnin një copë prej tij si kujtim. Presidenti francez, në atë pikë iu afrua dhe ndonëse ishte shumë më i shkurtër se piloti, e përqafoi fort”.
Postieri fluturues, për gazetat, u bë “Lucky Lindy”, apo “Lone Eagle” (Shqiponja e vetmuar). Nuk pati masmedia që nuk i dedikoi të paktën një faqe. Revista prestigjoze Time e zgjodhi si Njeriun e Vitit. Lindbergh, para mikrofonëve do të deklaronte: “Spirit of St Louis është një krijesë e gjallë. Me të kam ndarë eksperienca, ndjenja, frikëra. Mes nesh është vendosur një lloj besnikërie reciproke. Fluturimi nuk është vepër e imja, por e jona”.
“Deri në atë moment, njerëzit kishin besuar më shumë tek hidrovolantët”, komenton Cosci. “Me fluturimin e tij, Lindbergh testoi në praktikë besueshmërinë e një aeroplani: dha provën që këta mjete mund të bëheshin, edhe për të përshkuar oqeanin, një mjet i vlefshëm transporti alternativ ndaj atyre tradicionalë. Ja përse për aviacionin botëror, viti 1927 përbën një vit vendimtar”.
Jetë e re
Në mesin e qershorit Lucky Lindy u rikthye në atdhe: në 16 arkëtoi çmimin prej 25 mijë dollarësh, në 18 iu dedikua një paradë në rrugët e New Yorkut: 4 milionë vetë kishin dalë ta përshëndesnin. Do të duhej të pritej kthimi nga Hëna i astronautëve të misionit Apollo 11 në korrik 1969, për të parë një skenë të ngjashme. Për SHBA ishte rasti për të demonstruar para botës supremacinë e saj teknologjike: Lindbergh u emërua kolonel dhe u ngjit në majat e industrisë aeronautike që po lindte. Nga Franca mori titullin e lartë Legion d’Onore dhe pasuria e tij arriti deri në gjysmë milioni dollarë. Në vitin 1929 u martua me Anne Morrou dhe një vit më vonë lindi Charles Lindbergh Jr. Për shqiponjën vetmitare ajo ngjarje do të ishte fillimi i një parabole në zbritje. Në vitin 1932 fëmija u rrëmbye dhe u vra dhe kjo ngjarje detyroi dy bashkëshortët Lindbergh që të linin SHBA për të shkuar në Angli.
Shoqëri të këqia
Në vitin 1936 Lindbergh shkoi për herë të parë në Gjermani për llogari të qeverisë amerikane. Duhej të studionte potencialet ushtarakë, por njohu Hitlerin dhe mbeti i magjepsur. “Eshtë një njeri i madh”, do të shkruante. U transferua në Berlin ku mori edhe medaljen e “Urdhërit të Shqiponjës Gjermane”. Që nga ai moment bëri të gjithë përpjekjet për të shmangur që vendi i tij të ndërhynte kundër Gjermanisë, e cila sipas Lindbergh ishte pengesa e vetme ndaj avancimit të sovjetikëve: një humbje e gjermanëve, sipas tij, do të sillte fundin e qytetërimit perëndimor.
Me opinionin publik kundër, i akuzuar për antisemitizëm, Lindbergh u ftua nga presidenti Roosevelt që të kthente mbrapsht dekoratën naziste. Por piloti refuzoi, duke hequr dorë nga grada e kolonelit (“Do të ishte një fyerje e pakuptimtë ndaj udhëheqjes gjermane”, u justifikua ai).
Pas sulmit japonez në Pearl Harbour kërkoi që të rihyjë në aeronautikë. Por komanda e SHBA ia mbylli derën në fytyrë. Vetëm në vitin 1944, në Paqësor mundi të luftojë kundër japonezëve, por si konsulent civil: mori pjesë në 50 misione dhe kontribuoi në fuqizimin e flotës ajrore.
Në vitin 1945 Eisenhower e rehabilitoi dhe Lindbergh u bë konsulent i kompanisë ajrore PanAm. Në vitet e fundit të jetës udhëtoi shumë, mbi të gjitha në Afrikë dhe iu kushtua një sfide të re: mbrojtjes së specieve të kafshëve që shkonin drejt zhdukjes. Në 26 gusht 1974 ndërroi jetë në shtëpinë e tij në Hawaii. Do të mbetet një prej heronjve më të spikatur, por edhe më pak të kuptuar, të Nëntëqindës.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here