Bashkëbisedimi me gazetarët / Berisha: E paralajmërova Metën se Rama e donte në burg, marrëveshja e CEZ-it, pazar i Kryeministrit

0
111

 

Rama-Meta“I pari grup që vendos të ulë çadrat para zyrës së Ramës dhe të qëndrojë aty deri në largimin e tij, fiton betejën”

Berisha: I hapur për hetim ndërkombëtar që nga dita e parë e CEZ-it e deri tek marrëveshja e qeverisë

Gëzim Saliu

 

Ish-kryeministri i vendit, Sali Berisha, deklaroi dje se çështja e CEZ-it duhet të hetohet që nga gjeneza e saj e deri tek marrëveshja e qeverisë me kompaninë çeke. Përmes një bashkëbisedimi me gazetarët, Berisha, ndryshe nga kreu i PD-së, Basha, kërkoi nga Rama që të bashkojë votat me demokratët për këtë lloj hetimi, duke pohuar se Meta tashmë duhet vlerësuar për dakordësinë e dhënë në këtë çështje. Për ish-kreun e qeverisë, deklarata e dhënë dje nga drejtori ekzekutiv i Sekretariatit të Komitetit të Energjisë në Vjenë, Janez Kopac, se çekët kushtëzuan statusin e kandidat kundrejt marrëveshjes me CEZ-in, përbën një dëshmi të pastër për pazare të Kryeministrit Rama. “Deklarata e tij se gjysmë ore pas firmosjes së marrëveshjes me CEZ-in, qeveria çeke tërhoqi veton, tregon qartë se Edi Rama bashkërendoi me X-in pazarin për CEZ-in. Kurrë një qeveri e një vendi anëtar të BE-së nuk mund të përdorë veton për ta blerë me 600 milionë euro heqjen e saj. Kjo është jashtë çdo imagjinate. Ka qenë një pazar ndër më të fëlliqurit e Edi Ramës, në të cilin mund të jenë ndarë dhjetëra e dhjetëra milionë euro. Çdo gjë të hetohet, hetim integral total i kësaj çështjeje, ajo dosje është aty. E ndërmjetësuar në çdo moment të saj nga Korporata Elektroenergjitike Ndërkombëtare apo krahu botëror i BB, e cila ishte kontraktuar për të realizuar privatizimin e CEZ-it”, – tha Berisha, ndërsa shtoi se sa i përket ish-aleatit të tij: “Ilir Meta u bashkëngjit me kërkesën time për hetim ndërkombëtar dhe unë këtë e vlerësoj. Ai thotë të bëhet hetim ndërkombëtar. Unë dua që të bëhet një transparencë e plotë për të gjitha këto veprime dhe jo të përdoret, siç po e përdorin për pengmarrje ndaj njëri-tjetrit krahët e “aleancës së qelbësirave”. E konsideroj një hap të rëndësishëm që njëra forcë politike e mazhorancës është shprehur dakord për hetim ndërkombëtar”.

 

“Lufta” brenda mazhorancës

Sa i përket krisjes mes mazhorancës së majtë, ku zërat për një konflikt të fortë mes Kryeministrit Rama dhe Kreut të Kuvendit Meta janë gjithnjë e më të fortë, Berisha tha se e kishte paralajmëruar që në fillim se kreu i PS-së e donte në burg aleatin e tij aktual. “E kam shumë të lehtë përgjigjen se që në fillim në Parlament, që muajin e parë i kam thënë Ilir Metës se ky u kthye nga Gjermania dhe tha se Ilir Metën e duan në burg. Unë ia thashë se ishte e vërtetë. Në Bruksel ishte e vërtetë se i kërkuan burg. Jam i vetmi që i kam thënë në mënyrë të përsëritur se ti je një skllav dhe nuk duhet të rrish aty, sepse nëse vjen dhe të thotë nga Brukseli dhe Gjermania këto ti ke një rrugë urdhëroni dhe hetoni. Por Edi Ramës i kanë thënë mbi bazën e dosjes që ke sjellë ti për Ilir Metën. Pra unë “aleancën e ngjalave” e kam quajtur “aleancën e halave”, se ngjalat i hëngri Nardi dhe këtyre u la skeletet. Jo Nard Ndoka, por personazhi tjetër (Koka)”, – deklaroi ai. Ndërkohë, lidhur me mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, Berisha deklaroi se në këto dy vite Rama ka treguar se nuk ka ditur të qeverisë vendin. Në këtë kontekst ai dha edhe një ide se si mund të realizohet “revolucioni demokratik”. “Faktikisht vendi qeverisje nuk ka dhe po të kishte përgjegjësi më minimale, kjo situatë nuk vazhdonte as katër ditë. Por ka një alternativë tjetër, ëndrra e revolucionit demokratik, i cili do t’i krrejë këta nga pushteti. Me protesta të qëndrueshme dhe e shihni ju se këta janë në rrokullisje. I pari grup që vendos të ulë çadrat para zyrës së Edi Ramës dhe të qëndrojë aty deri në largimin tij fiton betejën. Absolutisht, këta qëndrojnë vetëm për të vjedhur, nuk qëndrojnë për të qeverisur”, – pohoi ish-kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here