Zbulimi nga NASA, rrjedha uji në planetin Mars

0

NASA fsheh dëshmitë për jashtëtokësorët!

 

Sipas agjencisë hapësinore amerikane NASA, planeti Mars përmban ujë, si në formë të ngurtë (akull) ashtu edhe në formë të lëngshme që rrjedh nga grykat dhe krateret gjatë verës. NASA njoftoi përmes një konference të posaçme se ka gjetur provën më evidente të pranisë së ujit të lëngshëm në Mars. “Kemi parë ujë të lëngshëm në sipërfaqen e Marsit”, – tha Michael Meyer, kreu i grupit studiues të NASA-s që merret me zbulime mbi Marsin. “Për shkak të kësaj që kemi parë, dyshojmë se minimalisht është e mundshme që Marsi të ketë një ambient të banueshëm gjatë ditëve të sotme”, – theksoi ai.

 

Ujë në Mars

Sipas shkencëtarëve të NASA-s, shtohet mundësia që planeti të jetë “shtëpi” e formave të ndryshme të jetës. Rrjedhat e ujit lënë shenja të gjata dhe të errëta në terrenin marsian, që mund të shkojnë deri në qindra metra në tatëpjetë gjatë muajve të ngrohtë të vitit, përpara se të thahen në vjeshtë, për shkak të rënies së temperaturave në sipërfaqe. Rrjedhat e ujit në fotot e planetit janë marrë nga një aparat special që agjencia ka në orbitën e tij. Gjithashtu, në imazhet e marra nga orbita e Marsit tregojnë shkëmbinj, si dhe mure të pjerrëta luginash dhe krateresh, të mbuluara me vija të shumta rrjedhash gjatë stinës së verës, e që në pikat më aktive kombinohen së bashku për të formuar pamje tepër të ndërlikuara në formë labirinti. Vetë shkencëtarët janë ende të pasigurt se nga vjen ky ujë, por dyshojnë se mund të vijë nga akujt e nëntokës, ujëmbajtësit e kripur ose mund të kondensohen në atmosferën e hollë të Marsit. Zbulimi hedh mundësinë për ekzistencën e jetës në planetin e kuq. Prej vitesh shkencëtarët kanë kërkuar për ekzistencën e jetës në një planet të ri dhe vitet e fundit NASA është përqendruar në planetin e kuq të Marsit. Por pyetja që shtrohet është: A ka jetë në Mars? Kjo pyetje, me sa duket, kërkon një përgjigje nga shkencëtarët, madje i ka lodhur këta të fundit, të cilët i ka shtyrë që të bëjnë kërkime në një nga satelitët e Jupiterit. Deri tani është zbuluar se në sistemin diellor, Evropa, sateliti i Jupiterit, ku ndodhet një oqean, ofron mundësi më tepër sesa Marsi me një shkretëtirë të gjerë. Burimet zyrtare nga NASA bëjnë me dije se “ky satelit mbulohet nga një shtresë relativisht e hollë akulli, aty ndodhet një oqean në gjendje të lëngshme në kontakt me shkëmbinjtë në thellësi, është gjeologjikisht aktiv dhe bombardohet nga rrezatimet, që krijojnë oksidime dhe duke u përzierë me ujin formojnë një energji ideale për jetën”, – u shpreh njëri prej shkencëtarëve. Disa miliarda vjet më parë, kur Marsi ishte një planet ende i ri, mendohet se në sipërfaqen e tij kishte lumenj, liqene dhe oqeane. Shkencëtarët e kanë konfirmuar prej kohësh ekzistencën e ujit në formë të ngrirë në polet e planetit. Dhe tani ekzistenca e ujit në formë të lëngshme është një zbulim shumë i rëndësishëm për eksplorimet në hapësirë.

 

Lini nje pergjigje