Letër krerëve të shtetit / Deputeti i LSI-së, Braho: Doshi dhe Prifti duan destabilizimin e vendit, skenar kundër Metës

0
113

 

 

doshipriftiDoshi: A loboi Meta për DIA-n në Çeki? Prifti: Asnjë presion nuk do të më tërheqë nga e vërteta

 

Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Tom Doshi, dhe ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Dritan Prifti, janë dy personat që kanë krijuar një skenar për të destabilizuar vendin, duke sajuar akuza të paqena ndaj Kreut të Kuvendit. Ky është thelbi i letrës që kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, deputeti i LSI-së Spartak Braho, u ka dërguar krerëve më të lartë të institucioneve të rëndësishme në vend, si Presidentit të Republikës Bujar Nishani, Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta, Kryeministrit Edi Rama, prokurorit të Përgjithshëm Adriatik Llalla, shefit të Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi dhe drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Haki Çako. Në këtë letër, Braho rendit disa dyshime dhe informacione që ai ka siguruar për takimet e Doshit dhe Priftit me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, ky i fundit i akuzuar për kompaninë e tij DIA. Më tej deputeti i LSI-së thekson se Doshi e Prifti me anë të presionit dhe aspektit financiar po kërkojnë nga Ismailaj të akuzojë Kreun e Kuvendit, Meta, si të përfshirë në aferën e kompanisë çeke CEZ. Sipas letrës, që tashmë po verifikohet nga institucionet ligjzbatuese, Braho pretendon se takimi është zhvilluar në lokalet e një nga hoteleve të njohur në vend, ku Doshi dhe Prifti kanë folur me bashkëshorten e Ismailajt, duke përdorur edhe emrat e Kryeministrit Rama, ambasadorit amerikan Lu dhe kreut të opozitës Basha.

 

Reagimet e Doshit dhe Priftit

Ndërkohë, ndaj kësaj letre konfidenciale të kreut të Komisionit të Sigurisë reaguan dje edhe dy personazhet e përmendur për një skenar të mundshëm të destabilizimit të vendit. I pyetur nga “Top Channel” nëse ka zhvilluar një takim me bashkëshorten e Kastriot Ismailajt, Doshi tha: “Kam 15 vite që njihem me bashkëshorten e zotit Ismailaj. Unë jam deputet dhe mund të takohem me këdo. Po, jam takuar me kërkesë të saj. Le të kontrollohen tabulatet e mia dhe të shikohet se kush e ka kërkuar takimin”. Më tej në reagimin e tij Doshi theksoi se nuk ka asnjë dijeni për bizneset e mundshme që mund të ketë pasur Ilir Meta me Kastriot Ismailajn, por ai the se kishte dy pyetje për Ilir Metën duke theksuar: “A ka vizituar zyrat e Kastriot Imailajt tek ish-Radio Tirana përpara zgjedhjeve lokale të 2011-ës? A ka shkuar në Çeki për të lobuar në marrjen e kontratës nga DIA?” Ndërsa Prifti në prononcimin e tij për “TCH” tha se nuk ka njohje me bashkëshorten e Ismailajt, duke theksuar se e do këtë vend më shumë se Ilir Meta dhe se nuk do të dëshironte asnjë lloj destabiliteti. Sipas Priftit, asnjë presion nuk do të bëjë që ai të tërhiqet nga e vërteta. “Nëse do të hapet një hetim serioz për CEZ dhe DIA-n, unë do të dëshmoj të vërtetën, sidomos kur po kërkohet t’i zhvaten vendit 130 milionë euro”, – theksoi ai.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here