Superliga Shqiptare / Kukësi fiton ndaj Flamurtarit, Laçi zhyt edhe më thellë Vllazninë

0
126

 

 

 

 

Partizani, Kukësi dhe LaçiBlutë kanë arritur të triumfojnë me rezultat minimal ndaj vlonjatëve në Zeqir Ymeri

 

Laçianët kanë treguar superioret ndaj Vllaznisë, duke marrë kështu edhe fitoren e radhës dhe tregon dhe konfirmoi edhe më shumë momentin e keq në të cilën po kalojnë shkodranët

Superliga Shqiptare ka përfunduar dje sfidat e vlefshme për javën e katërt të Kampionatit Kombëtar. Dy fitore janë shënuar në Kukës dhe në Pukë teksa fitorja ka buzëqeshur për Kukësin dhe Laçin. “Zeqir Ymeri” mbetet thjesht një tabu për Flamurtarin. Ekipi vlonjat  pësoi humbjen e 6-të radhazi në këtë stadium që kur Kukësi u bë pjesë e Kategorisë Superiore në verë të 2012-ës. Mateus Lima, lojtari më i mirë i kësaj sfide, i hedhur në fushë si zëvendësues në pjesën e dytë, i dha fitoren e tretë në kampionat formacionit të Marcelo Troisit, që e meritoi këtë sukses për gjithçka dha në fushë. Takimi nis i ekuilibruar, madje futbollistët e Flamurtarit rrezikuan të parët në minutën e 10-të me Ylli Hoxhën në zhvillimet e një goditjeje të lirë, por pret në pozicion Koci. 10 minuta më pas Kukësi nuk arrin të shfrytëzojë një goditje të lirë thuajse në vijën e 16 metrave, ndërsa në të 23-ën Sakaladaze në dy tentativa të njëpasnjëshme me kokë nuk e shënjestron si duhet portën e Kocit. Në minutën e 25-të Halilaj shmang golin në zhvillimet e një goditjeje dënimi të Kukësit, ndërsa në të 31-ën Leomir Cruz e dërgoi topin ngjitur me traun, duke e lënë të palëvizur Halilajn. Rasti i fundit i pjesës së parë i përket minutës së 42-të me Erik Flores që provon me një gjuajtje të kalibruar, por topi kalon ngjitur me shtyllën. Pjesa e dytë nis me një moment të vështirë në portën e Halilit, i cili devijon në këndore një goditje nga distanca të futbollistëve vendas. Pak caste më vonë gabon mbrojtja e Flamurtarit, por goditja e Felippe Moreira prirët me portën, devijohet në fundore. Në të 50-ën kombinojnë bukur brazilianët Moreira dhe Cruz, por Hasani në një pozicion të volitshëm nuk arrin të shënojë. Në këtë fraksion bie në sy mungesa në stol e trajnerit të Flamurtarit Stanislav Levy, i cili për shkak të luhatjes së tensionit qëndroi nën vëzhgimin e mjekësve në dhomat e zhveshjes. Rreth 20 minuta para përfundimit të kohës së rregullt Lima hidhet në fushë në vend të Kariokës, ndërsa te Flamurtari Nexhipi i lë vendin Nijaz Lenës. Me kalimin e minutave Kukësi e rrit presionin në gjysmëfushën e vlonjatëve, derisa në minutën e 85-të Mateus Lima kërcen bukur me kokë pas krisimit të Nikës, duke e lënë të palëvizur portierin Halilaj. Në minutat e mbetura Flamurtari nuk arrin të reagojë si duhet, madje në minutat shtesë Nijaz Lena shfaqi shenja nervozizmi, duke e detyruar gjyqtarin Pashaj t’i tregonte kartonin e kuq. Me këtë fitore Kukësi ngjitet në kuotën e 9 pikëve, aq sa ka grumbulluar Laçi dhe Teuta, ndërsa Flamurtari mbetet në vendin e shtatë me 4 pikë të grumbulluara në 5 javët e para.

 

Laçi mposht Vllazninë në Pukë

Pas fitores së parë në shtëpi vjen edhe e para në transfertë për Laçin që mposhti 0-1 në “Ismail Xhemali” të Pukës Vllazninë. Është James njeriu i ndeshjes për skuadrën e Cungut, autor i golit që vulosi fatin e takimit, me Vllazninë që me humbjen e pestë në po kaq ndeshje nuk shikon dritë në fund të tunelit.Sikur të mos mjaftonin 1000 halle te shkodranët, i 1001 ishte lënia në tribunë e Shtubinës i dënuar për motive disiplinore dhe ndeshja foli që në fillim për Laçin. Në minutën e 7 gol i anuluar i kurbinasve, i drejtë vendimi i kryesor i Sokolit me Mitrajn të kapur në pozicion jashtë loje në momentin e goditjes së dënimit. Menjëherë më pas reagimi i shkodranëve me Bardullën që në kundërzbritje avancoi mes fanellave bardhezi duke goditur jashtë. Laci në kërkim të golit në të 15-ën me Veliajn që krosoi në zonë dhe Cela e Mitraj që provuan njëri pas tjetrit me topin që përfundoi jashtë katërkëndëshit. Në minutën e 24-t tenton dhe James por Dragojevic nuk e pati të vështirë të neutralizojë goditjen qendrore. Pas 25 minutave të para me lojën të përqendruar në fushë fitoi mërzia, deri në minutën e 44-t kur ndeshja mori drejtim. Goditje këndi e Lacit dhe James nuk është as shtatlartë dhe as nuk bën ndonjë kërcim të madh, por është aq i shkathët sa t’i vidhet markimit para porte për të shënuar me kokë. 1-0 për Laçin, goli i tretë sezonal për James Adenyi. Laci në avantazh në dhomat e zhveshjes dhe ka një rast flagrant për të dyfishuar në fillimin e së dytës, me James që nga e majta prezanton të vetëm para Dragojevic Nimanin që shpërdoron. Në të 53-tën portieri i Vllaznisë është i mposhtur në goditjen e dënimit të Velijat por është shtylla që shpëton këtë herë Dragojevic. Vllaznia fillon të shikojë më me guxim përpara, Antonio Marku në minutën e 67-të godet me kokë jashtë nga brenda zonës. Në të 71-tën është sulmuesi Santiago Martinez që provon me një goditje potente nga distanca por Vujadinovic neutralizon në dy kohë, fantastik edhe një herë tjetër malazezi i portës së Lacit tre minuta me vonë kur i thotë jo goditjes me kokë nga afër të bashkëkombasit Cicmil. Vllaznia ngulmon deri në fund, por Laci ia doli të menaxhojë avantazhin dhe vërshëllima finale sanksionon fitoren e dytë radhazi për kurbinasit, ndërsa Vllaznia zhytet edhe më thellë në krizën pa fund.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here