Po vijnë edhe në Shqipëri   / Qeveria bën gati dy kampet e para për pritjen e 25 mijë sirianëve  

0
136

 

Qendrat janë ngritur në Ngrehor të Gjirokastrës dhe në Kapshticë të Korçës

 

Pavarësisht se qeveria shqiptare ka mohuar njoftimet në media se vendi ynë ka rënë dakord me faktorin ndërkombëtar për pranimin në vendin tonë të dhjetëra mijëra emigrantëve sirianë, Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile, prej kohësh ka marrë masat për sistemimin e tyre. Sipas burimeve të sigurta brenda kësaj drejtorie, aktualisht ka përfunduar ndërtimi i dy kampeve me kapacitet deri në 25 mijë persona.

 

Ku do të ndërtohen

Mësohet se njëri prej kampeve që do të presë emigrantët sirianë është ndërtuar në një ish-repart ushtarak në fshatin Ngrehor të Gjirokastrës, kurse tjetri po në një ambient të Ministrisë së Mbrojtjes, në Kapshticë të Korçës. Të njëjtat burime serioze konfirmojnë për gazetën “Standard” se shumë punonjës së emergjencave civile dhe institucioneve të tjera kanë nisur trajnimin për punësimin në këto kampe që tre muaj më përpara në Maqedoni nën kujdesin e specialistëve të UNHCR-së. Sipas tyre qeveria shqiptare prej kohësh ka rënë dakord, ndryshe nga sa deklaron publikisht, për marrjen si fillim në vendin tonë të të paktën 25 mijë emigrantëve sirianë. Nga ana tjetër ka plan edhe për hapjen e disa kampeve të tjera po në kufi me Greqinë, por edhe me Maqedoninë. Fakt është që qeveria shqiptare ka nisur prej kohësh përgatitjen për pritjen e refugjatëve sirianë nëse një gjë e tillë do t’i kërkohej nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, UNHCR. Rreth 2 javë më parë burime qeveritare, deklaruan për mediat se është zhvilluar një takim me 7 ministra, nga zëvendëskryeministri Niko Peleshi, në të cilin ai ka kërkuar ngritjen e një mekanizmi për të marrë masat në kushte nevoje. Ndërkohë, njoftohet se kryeministrit Edi Rama, ka njoftuar ngritjen e një komiteti ndërministror, i cili do të koordinojë punën nëse vendit tonë do t’i kërkohet pritja e emigrantëve. Ky komitet do të shikojë mundësinë e kapaciteteve strehuese për sirianët. Kjo lëvizje e qeverisë shqiptare vjen pas disa takimeve të përfaqësuesve të UNHCR-së, të cilët gjatë bisedimeve me zyrtarët shqiptarë kanë hedhur idenë për strehimin si fillim në Shqipëri të 3000 deri në 4000 emigrantëve nga vendi i udhëhequr nga Bashar al Assad.

 

Kërkesa e UNHCR

UNHCR gjithashtu mësohet të ketë kërkuar që Shqipëria të shërbejë edhe si një bazë regjistrimi për refugjatët. Burimet qeveritare janë të rezervuara të thonë nëse Kryeministri Rama është ka rënë dakord me këto kërkesa. Kërkesat e UNHCR-së dhe vetë BE-së ndaj Shqipërisë vijnë në një kohë kur situata në kufirin kroat ka dalë jashtë kontrollit nga tejmbushja me refugjatë, të cilët mundohen të udhëtojnë përmes vendeve të Ballkanit. Ashtu si me armët kimike, nga qeveria shqiptare ende nuk ka një transparencë për këtë çështje. Gjithsesi, pak ditë më parë, i pyetur nga televizioni amerikan, CNN për këtë çështje ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ditmir Bushati është përgjigjur: “Nuk ka negociata e si pasojë nuk ka marrëveshje”. Por në realitet dy kampet e para përveç qendrës së strehimit në Babrru, tashmë janë ngritur dhe janë kompletuar jo vetëm me infrastrukturën e nevojshme, por edhe me stafin përkatës të trajnuar specifikisht, jashtë vendit.
 per fq.1

Plani i BE-së

Ja si do të shpërndahen në Evropë emigrantët sirianë

 

Pavarësisht përçarjeve, pjesa më e madhe e vendeve anëtare të BE-së kanë rënë dakord për shpërndarjen e 120 mijë emigrantëve që kanë pushtuar muajt e fundit kontinentin e vjetër. Ministrat e brendshëm të mbledhur në një takim urgjent në Bruksel miratuan me shumicë votash planin për rialokimin e refugjatëve që do të shtrihet në dy vitet e ardhshme. Sipas këtij plani emigrantët do të zhvendosen nga Italia, Greqia dhe Hungaria drejt vendeve të tjera të BE-së. në këmbim këto vende, duhet të impenjohen në përforcimin e strukturave të identifikimit dhe regjistrimit të emigrantëve duke bashkëpunuar me agjencitë kompetente të BE-së. Por ndërkaq Rumania, Republika Çeke, Sllovakia dhe Hungaria votuan kundër kuotave të detyrueshme, ndërsa Finlanda ishte i vetmi vend anëtar që abstenoi. Këshilli Evropian i Punëve të Brendshme i dha OK programit, pas ndërhyrjes së presidentit të KE-së Zhan Klod Junker. “120 mijë refugjatë? Të mos bëhemi qesharakë duke para madhësinë e problemit”, – u shpreh Junker duke parë mungesën e vendosmërisë së ministrave. Por pavarësisht kësaj, votimi konfirmoi përçarjen mes 28-shes. Sipas ministrit gjerman të financave Wolfgang Schaeuble, kjo krizë refugjatësh nuk është një problem gjerman por evropian. Ndërkaq, të mërkurën do të mblidhen në një takim urgjent liderët e BE-së por sipas analistëve nuk do të jetë aspak e lehtë arritja e një marrëveshje mes tyre. Nga ana tjetër OSBE ka publikuar të dhënat më të fundit mbi lëvizjet migratore në një raport të prezantuar sot në Paris ku thuhet se në fund të 2015-ës, BE do të jetë prekur nga një nivel i paprecedentë i refugjatëve dhe azilkërkuesve me gati 1 milion procedura. Por sipas organizatës Evropa ka të gjitha kapacitetet dhe eksperiencën për ta përballuar këtë situatë. “Kjo valë emigrantësh përfaqëson një krizë humanitare me një kosto njerëzore të frikshme dhe të papranueshme. Përballë kësaj drejtuesit evropianë nuk duhet ti lejojnë vetes të kenë frikë sepse kjo nuk është një situatë që mund të hiqemi sikur nuk po ndodh asgjë”, – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Angel Gurria.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here