Paralajmërimi / Ish-të përndjekurit: Nuk ndalemi, përshkallëzojmë protestat deri në rrëzimin e bunkerit

0

 

bunker

Fatmir Hoxha: Ministria e Brendshme, presion ndaj nesh. Ndregjoni: Kushtetuta nuk e lejon promovimin e të gjitha simboleve komuniste

 

Vojsava Sota

 

Ish-të përndjekurit politikë paralajmërojnë se do të përshkallëzojnë protestat e tyre kundër bunkerit që është vendosur pranë Ministrisë së Brendshme. Duke u shprehur të vendosur për shkatërrimin njëherë e përgjithmonë të simboleve komuniste, ata kanë paralajmëruar se nuk do të ndalen së protestuari. Ndërkohë, në lidhje me rishfaqjen e këtyre simboleve në demokraci, kryetari i ish-përndjekurve politikë, Fatmir Hoxha, ka deklaruar: “Qëllimi kryesor i Kryeministrit Rama është të rehabilitojë figurën e Enver Hoxhës. Ndonëse ministria e brendshme ushtron presion ndaj nesh, ne nuk të rreshtim së protestuari”. Gjithashtu, ai ftoi të gjithë qytetarët të bëhen pjesëmarrës në protestat e tyre. Ndërkohë sekretari i Shoqatës Mbarëkombëtare të të Përndjekurve Politikë Shqiptarë, Besim Ndregjoni, u shpreh se ky akt i Ramës cenon ekuilibrat e shoqërisë. “Kushtetuta nuk e lejon promovimin e gjithë simboleve komuniste, pasi kjo ngjall ndarësi në shoqëri. Ne si ish-të përndjekur politikë gjatë këtyre viteve të demokracisë, pas vuajtjeve të diktaturës, po përpiqemi që të ndërtojmë në shoqëri dashuri dhe vëllazëri, ndërsa pushteti i Ramës me rishfaqjen e këtyre simboleve, nxit urrejtjen ideologjike, që vjen si pasojë e mentalitetit të tij utopik. I kemi kërkuar ndërkombëtarëve qe ligji i dosjeve mos të hapet me urdhër të partisë, por të jetë i hapur për të gjithë”, – deklaroi Ndregjoni. Ai shtoi se komisioni që pretendohet të jetë ekspert, i cili paraqitet nga kryeministri, dhunon të drejtat dhe liritë e njeriut.

 

Qëndrimet

Ish-të përndjekurit përveç presidentit Nishani, kanë kërkuar dhe mbështetjen e ambasadave të huaja, duke shprehur ankesat e tyre në lidhje me ndërtimin e bunkerit. Të indinjuar ata kërkuan ndihmën e diplomacisë së huaj për të ndaluar këto akte të qeverisë aktuale. Kushtetuta e vendit dhe Konventat Ndërkombëtare sipas tyre po shkelen nga mazhoranca qeverisëse. Në një kohë kur në analizë duhet të merreshin krimet e të kaluarës, sipas ish-të përndjekurve politikë, pushteti po rikthen simbolet e saj. Në vazhdimësi pritet që dhe me përkrahjen e Partisë Demokratike, përmasat që do të marrë protesta do të jenë më të mëdha. Heshtja e kryeministrit Rama dhe Veliaj për mos shembjen e bunkerit pranë ministrisë së Brendshme, revolton më shumë ish-të dënuarit politikë. Ndonëse në protestat e mëparshme ka pasur dhe incidente me forcat blu, ata kanë tentuar gjithmonë në shkatërrimin e tij duke depërtuar brenda zonës së tij. Herën e fundit policia ishte përforcuar me forcat speciale duke u mobilizuar përpara bunkerit, ku pati dhe të arrestuar. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ku do të kishte informacion rreth ndërtimit të bunkerit, nuk ka pranuar që të jenë prezent përfaqësuesit e ish-të përndjekurve politikë, konkretisht Fatmir Hoxha dhe Besim Ndregjoni. Veliaj në këtë mënyre sipas tyre jo vetëm që shkeli ligjin, por i pyetur gjatë mbledhjes nga demokratë të tjerë për bunkerin, nuk dha asnjë përgjigje duke mbyllur kështu diskutimin. Protesta e radhës pritet të realizohet këtë javë, siç edhe kanë bërë me dije përfaqësuesit e ish-te përndjekurve.

 

Lini nje pergjigje