Dosja e plotë /   Masakra e Mamurrasit, ja kush janë tre të arrestuarit dhe akuzat ndaj tyre

0
103

 

 

 

KrimiskeneNë përfundim të hetimeve policia zbuloi se shkaku i ngjarjes ishte një konflikt midis fiseve Tafa e Mamli për paratë e prostitucionit në Itali. Njëri prej të afërmeve të fisit Mamli kërkoi shuarjen e këtij konflikti, por kjo solli vrasjen e 35-vjeçarit Naim Tafa dhe plagosjen e 4 personave të tjerë 3 prej të cilëve kalimtarë rasti

 

Enrik Mamli, i dyshuari kryesor për vrasjen e Naim Tafës dhe plagosjen e katër personave në hyrje të Mamurrasit, do të qëndrojë pas hekurave. Gjykata e Kurbinit dha masën e sigurisë arrest me burg për të dhe dy të arrestuarit e tjerë Dorjan Mamli dhe Arjan Tafa për konfliktin me armë të ndodhur tre ditë më parë. I pari që u njoh me masën e sigurisë ishte 28-vjeçari, i cili u shoqërua nën masa të rrepta sigurie në ambientet e gjykatës. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura ku Mamli nuk tha asnjë fjalë para togave të zeza ndërkohë që e njëjta masë sigurie u dha dhe për dy të arrestuarit e tjerë të cilët po marrin mjekim në spitalin e Traumës në Tiranë.

Në përfundim te hetimeve policia zbuloi se shkaku i ngjarjes ishte një konflikt midis fiseve Tafa e Mamli për paratë e prostitucionit në Itali. Njëri prej të afërmeve të fisit Mamli kërkoi shuarjen e këtij konflikti por kjo solli vrasjen e 35-vjeçarit Naim Tafa dhe plagosjen e 4 personave të tjerë tre prej të cilëve kalimtarë rasti. Për ngjarjen e rëndë policia ka shpallur në kërkim dhe tre persona të tjerë.

 

Dosja e prokurorisë

Prokuroria pranë Gjykatës së shkallës së parë Kurbin, me date 24.9.2015, ka regjistruar procedimin penal në ngarkim të personave nën hetim Enrik Mamli, i arrestuar në flagrancë për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, Taulant Bebri (Arjan Tafa), i arrestuar në flagrance si i dyshuar për veprat penale “Vrasja ne rrethana të tjera cilësuese” mbetur në tentative, dhe “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armeve luftarake dhe municionit” dhe Dorjan Mamli, i arrestuar në flagrancë si i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Moskallëzimit të krimit”,

 

Nga veprimet e para hetimore të dokumentuara nga policía gjyqësore rezulton se:

Me datën 23.9.2015, rreth orës 11:25 në qendër të qytetit Mamurras të rrethit Kurbin, dhe konkretisht në kryqëzimin e rrugës për tek ish-stacioni i trenit, ka ndodhur një shkëmbim me armë zjarri mes disa personave. Automjeti tip “Mercedes-Benz” me targa AA 077 CN, në të cilin ndodheshin shtetasit Naim Tafa, Taulant Bebri (Arjan Tafa), Idriz Tafa dhe Gentjan (Tafa) Elezi, ka goditur me pjesën ballore qëllimisht automjetin tip “Range Rover” me targa AA 481 JT, në te cilin ndodhej shtetasi Enrik Mamli. Si pasojë automjetet kanë ndaluar ngjitur me njëri-tjetrin dhe personat që ndodheshin në to, kanë qëlluar me arme zjarri ndaj njëri-tjetrit. Si pasoje e shkëmbimit me armë zjarri, ka gjetur vdekjen shtetasi Naim Tafa, dhe janë plagosur shtetasit Taulant Bebri (Arjan Tafa) dhe Idriz Tafa që ndodhesin brenda automjetit tip Benz, si dhe shtetasit Besim Gjetani dhe Altin Çoku, kalimtarë të rastit. Ndërsa shtetasi Enrik Mamli, personi që ndodhej ne automjetin tip “Range Rover”, i cili dyshohet se ka qenë në automjet se bashku me dy persona të tjerë, nuk kanë pësuar dëmtime. Ai është larguar nga vendi i ngjarjes dhe rreth 300 metra me poshtë, ka braktisur mjetin e dëmtuar. Gjatë ndjekjes policia gjyqësore ka kapur shtetasin Enrik Mamli së bashku me armën e zjarrit tip automatik me të cilën kishte qëlluar në vendin e ngjarjes ndaj personave që ndodheshin në automjetin tip “Mercedes-Benz” me targa AA 077 CN.

Gjate këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë marrë e sekuestruar në cilësinë e provave materiale, 12 copë gëzhoja automatiku model 56, një armë automatik model 56 kalibër

7.62 mm, gjurmë papilare, njolla gjaku, gjurmë kimike, si dhe janë kryer veprime të tjera hetimore, këqyerja e automjeteve, marrja e deklarimeve nga personat që kanë dijeni për rrethanat e hetimit etj.

Nga të dhënat e para të dokumentuara nga policia gjyqësore, rezultojnë dyshime të arsyeshme e të bazuara se në rastin konkret janë kryer veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, kryer nga shtetasi Enrik Mamli.

Shtetasi Taulant Bebri (Arjan Tafa), i cili ka qenë në automjetin tip “Mercedes-Benz”, dyshohet se ka qëlluar me armë, në momentin që Benzi ka përplasur fouristradën, ndaj personave që ndodheshin në këtë automjet, dhe nisur nga të dhënat e marra në vendngjarje, ai është arrestuar ne flagrancë. Ndërsa shtetasi Dorjan Mamli është arrestuar në flagrancë për veprën penale të “Moskallëzimit të krimit”, pasi nga të dhënat e para del se vetëm pak çaste para se të ndodhte shkëmbimi me arme zjarri, Enrik Mamli, e ka goditur atë me grusht duke i thënë që të mosshoqërohej me disa djem të fisit Tafa me të cilët ai kishte konflikt. Dorjani nuk ka pranuar dhe Enriku e ka goditur me grusht. Rezulton se ashtu i dëmtuar, shtetasi Dorjan Mamli, ka qenë në vendin e ngjarjes kur është shkëmbyer zjarri vetëm pak çaste më pas, ai e ka parë të gjithë ngjarjen që është zhvilluar mes personave të përfshirë, por nuk e ka kallëzuar krimin që sapo kishte ndodhur, ishin qëlluar dhe plagosur me armë disa persona, ku njëri prej tyre me pas shtetasi Naim Tafa, ka gjetur vdekjen.

Ndaj tre personave të arrestuar nga ana e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, është kërkuar vendosja e masës shtrënguese “Arrest në burg” dhe Gjykata e rrethit gjyqësor Kurbin, e ka pranuar këtë kërkesë duke caktuar masën e sigurimit “Arrest ne burg”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here