Samiti i BE-së  / Merkel në samitin e krizës: Unë besoj se Evropa ka fuqi

0
120

 

Kancelarja Angela MerkelSamiti i BE-së nuk ka të bëjë vetëm me njerëzit, që vijnë në Evropë, por edhe me vetë BE-në. Bashkëpunimi është në rrezik. Kancelarja Merkel mbetet optimiste.

 

Evropa po përballet ndërkohë me krizën më të rëndë të refugjatëve që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore. Të mërkurën (23.9) krerët e BE-së u takuan në një samit të përbashkët në Bruksel dhe u fokusuan kryesisht në hapat kundër shkaqeve të ikjes së njerëzve dhe në mënyrat për sigurimin më të mirë të kufijve të jashtëm të BE-së.

Shatë orë resht krerët e qeverive të vendeve anëtare të BE-së biseduan për refugjatët – shtatë orë pa arritur që të evitohet grindja parimore mes vendeve lindore e perëndimore të unionit.

Megjithatë u arrit të bisedohej thjeshtë duke mos e folur më shpërndarjen e refugjatëve në Evropë. “Klima ishte konstruktive”, – theksoi kancelarja Angela Merkel, jemi dakord, që mund t’i përballojmë vetëm së bashku sfidat. Tri herë përsëriti ajo në këtë kontekst, se sa i rëndësishëm dhe produktiv ishte samiti me kolegët europianë – e pra kjo s’është për t’u habitur, sepse tek e fundit ishte ajo që e inicioi organizimin e këtij samiti.

 

Pak unanimitet, shumë para

Por sa u përket financave rezultatet e samiti janë mbresëlënëse: dy miliardë Euro duan të mbledhin shtetet e BE-së, për të përmirësuar përkujdesjen kryesisht për refugjatët sirianë në vendet fqinjë në rajon. Gjysma e kësaj ndihme duhet t’i paguhet Programit Botëror për Ushqimin dhe Organizatës së OKB-së për Refugjatët, të cilat prej muajsh ankohen për vështirësitë financiare. Pjesa tjetër, një miliardë, është menduar kryesisht për Turqinë, të tjera shuma milionëshe duhet të livrohen për Libanin dhe Jordaninë – në këto vende fqinjë të Sirisë jetojnë mbi katër milionë refugjatë sirianë në kampe fushimi të ngritura pranë zonave kufitare.

Në fillim të samitit të jashtëzakonshëm udhëheqësit e shteteve dhe të qeverive demonstruan një qëndrim jo unanim madje të paqartë lidhur me rrugën, që duhet ndjekur për zgjidhjen e krizës së refugjatëve. Presidenti i Këshillit Donald Tusk, i cili kryesoi samitin, është përpjekur javët e fundit për të afruar qëndrimet. “Ishte e kotë”, pranoi Tusk para takimit. “Ne duhet të zëvendësojmë kaosin e javëve të fundit me një plan konkret të përbashkët”. Refugjatët ndjehen si të thuash “të ftuar” nga politika aktuale jo e njësuar ndaj refugjatëve. Një goditje e vogël nga Tusk ndaj qëndrimit të hapur të kancelares gjermane për të pranuar refugjatët.

Ndërsa kryetarët e qeverive diskutonin në Bruksel, edhe të mërkurën përsëri mijëra refugjatë mbërritën në Greqi, Kroaci, Hungari, Austri dhe Gjermani. Kontrollet në kufijtë e brendshëm të vendosur me ngut vazhdojnë, ndërsa shtetet i shtyjnë refugjatët te njëri-tjetri, që gjë bie në fakt ndesh me rregullat e përbashkëta të azilit.

 

Orban: Unë ndjek vetëm ligjin e BE-së

Kryeministri hungarez Viktor Orban, i cili ruan me gardhe kufirin e vendit të tij me Serbinë dhe me anëtaren e BE-së Kroacinë, tha në Bruksel, se ai vetëm u përmbahet rregullave të zonës së përbashkët të Shengenit. Ai shtoi se marrëveshja e Shengenit parashikon lirinë për të udhëtuar në brendësi duke siguruar në të njëjtën kohë kufijtë e jashtëm. Orban, që e kishte akuzuar kancelaren gjermane Angela Merkel për “imperializëm moral”, bëri të qartë se refugjatët dhe azilkërkuesit mund të vazhdojnë të hyjnë në Hungari. “Kufijtë nuk janë të mbyllur. Kufiri i gjelbër është mbyllur. Ka pika kalimi, ku çdokush mund të hyjë në mënyrë legale në Hungari”, tha Orban. Në fakt Hungaria në tremujorin e dytë të vitit shënoi numrin e dytë të kërkesave për azil pas Gjermanisë. Por atëherë gardhi kufitar me Serbinë nuk kishte përfunduar ende.

 

Merkel: Do t’ia dalim

Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk iu përgjigj kritikave nga Hungaria, por u përpoq të përhapte optimizëm. “Duke u ndodhur para kësaj sfide të madhe, nuk duhet të ndodhë që Europa të thotë, ne nuk ia dalim dot. Ky do të ishte gabim i madh. Prandaj unë them gjithmonë, ne ia dalim”. Evropa mund të gjejë zgjidhje të arsyeshme dhe në politikën e jashtme duhet të përqëndrohet në shmangjen e shkaqeve të valës së refugjatëve, pra te kriza në Lindjen e Mesme. “Unë besoj se Evropa ka fuqi”, u shpreh Merkel optimiste. Shumë kryetarë shtetesh bënë thirrje për përmirësimin e kontrollit të kufijve të jashtëm, për të zvogëluar numrin e hyrjeve dhe për të siguruar një procedurë të rregullt azili. “Pyetja më urgjente, së cilës ne duhet t’i përgjigjemi sonte, është: Si do të rivendosim kontrollin ndaj kufijvë tanë të jashtëm? Pa këtë kontroll nuk ka asnjë pikë kuptimi, që të vrasim mendjen për një politikë të përbashkët të azilit”, tha presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Kontrolli i përbashkët, për shembull i kufirit detar mes Turqisë dhe Greqisë, është një sfidë e madhe. Përveç kësaj shtetet e përçara anëtare do të duhej ta dorëzojnë sovranitetin e tyre në duar të një lloj garde kufitare evropiane.

 

Pika e dobët, Greqia

Qeveritë greke, qofshin të majta apo konservatore, në vitet e fundit kanë treguar pak kujdes për procedura të rregullta azili, por i kanë lënë emigrantët dhe refugjatët thjesht të kalojnë. Kryeministri hungarez Viktor Orban dëshiron të bëjë këtu një propozim. “Nëse Greqia nuk mund të mbrojë kufijtë e vet, atëherë ne duhet të pyesim me edukatë, sepse Greqia është një vend sovran, nëse evropianët e tjerë nuk duhet të marrin përsipër sigurinë e kufirit”. Nëse kryeministri i ri dhe i vjetër Alexis Tsipras do të bëjë marrëveshje konkrete, është e paqartë, mendojnë diplomatët e BE-së.

 

Padia ndaj Gjermanisë

Pak para samitit të posaçëm për krizën e refugjatëve Komisioni i BE-së hapi dy padi kundër Gjermanisë për shkak të shkeljes së ligjit europian të azilit. Siç njoftoi Komisioni janë dërguar dy vërejtje me shkrim për shkak të zbatimit joadekuat të direktivave të BE-së për azilin. Gjithsej janë hapur 40 procedura kundër 19 vendeve për shkelje të marrëveshjeje për çeshtjet e azilit. “Është koha që shtetet anëtare të përballen me këtë sfidë dhe të bëjnë atë, që duhet të bëjnë”, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Frans Timmermans në Bruksel. “Sistemi ynë i përbashkët i azilit mund të funksionojë vetëm, nëse të gjithë u përmbahen rregullave”. Vetëm pesë vende të BE-së kanë vënë tërësisht në zbatim direktivat e BE-së për azilin. Pas mbërritjes së vërejtjes me shkrim shtetet e prekura kanë dy muaj kohë për t’u shprehur lidhur me akuzat dhe në rast nevoje të ndryshojnë praktikën e tyre. Nëse Komisioni do të vazhdojë të mos jetë i kënaqur, ai mund të dërgojë një paralajmërim më të detajuar dhe pas dy muajsh të tjerë të paraqesë padi përpara Gjykatës Evropiane. Nëse Komisionit i jepet të drejtë, ai mund të kërkojë vënien e gjobave kundër vendit përkatës.

Autor Barbara Wesel/ DW

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here