Dekriminalizimi / Zbardhen propozimet e PS-së për ndryshimin e Kushtetutës, 10 nenet që preken

0
143

 

dekriminalizimi, propozimet e PS“Përjashtimet nga e drejta për t’u zgjedhur dhe ushtrimi i mandatit të deputetit të përcaktohen me ligj të posaçëm të miratuar me 84 vota. Kryeministër, jo një shtetas i përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një funksion publik sipas ligjit që do të votohet”

Gëzim Saliu

Zbardhen amendimet e propozuara nga Partia Socialiste për disa ndryshime në Kushtetutën e vendit në kuadër të procesit të dekriminalizimit. Propozimi i 28 deputetëve socialistë, i cili nuk ka marrë mbështetjen e LSI-së, pasi partia e Metës kërkon që çështja e dekriminalizimit të zgjidhet me konsensus dypalësh, sjell ndryshime për 10 nene të ligjit themeltar të shtetit.

 

Propozimet

Partia Socialiste në amendimet e saj i propozon Kuvendit të ndryshojë nenin 45 të Kushtetutës, ku përjashtimet nga e drejta për t’u zgjedhur dhe ushtrimi i mandatit të deputetit do të përcaktohen me një ligj të posaçëm të miratuar me 84 vota. Po ashtu, PS kërkon që Kryeministër dhe nëpunës publik, përfshi edhe gjyqtarët, të mos emërohet një shtetas që është i përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një detyrë të tillë. “Neni 45 i Kushtetutës, pika 1 e tij, parashikon që: Çdo shtetas që ka mbushur tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, ka të drejtën të zgjedhë dhe të zgjidhet. Partia socialiste propozon që ne fund të kësaj pike të shtohet: “1. Përjashtimet nga e drejta për t’u zgjedhur, përcaktohen me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Kryeministër nuk mund të emërohet një shtetas që është i përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Po ashtu pas pikës 3 të nenit 107, shtohet pika 4 me përmbajtje: Nëpunës publik nuk mund të emërohet një shtetas që është i përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Nuk mund të emërohen si gjyqtarë, shtetasit që janë të përjashtuar nga e drejta për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, – thuhet në draftin e socialistëve. Po ashtu PS kërkon ndryshime edhe në nenin 71 të Kushtetutës, i cili përbëhet nga 2 pika dhe forca më e madhe në vend kërkon që të shtohet një pikë e tretë që parashikon: “Ushtrimi i mandatit të deputetit ndërpritet në rastet e përcaktuara me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Gjithashtu pjesë e propozimeve për ndryshim është edhe nenin 109 pika tre i cili parashikon: “Të drejtën e zgjedhjes në këshillat vendorë dhe si kryetar bashkie ose komune e kanë vetëm shtetasit që janë me banim të përhershëm në territorin e njësisë vendore përkatëse”. Sipas propozimit të PS-së në këtë nen duhet të shtohet një paragraf ku të thuhet: “Këtë të drejtë nuk e gëzojnë shtetasit që janë të përjashtuar nga e drejta për t’u zgjedhur apo për të mbajtur një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj të posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Një pikë tjetër që preket është edhe neni 149 i cili do të këtë një shtesë, ku pas pikës 4 do të shtohet pika 5 me përmbajtën: “Prokuror i Përgjithshëm apo prokuror, nuk mund të emërohet shtetasi që është përjashtuar nga e drejta për ushtruar një funksion publik, sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Propozimi i fundit i socialistëve prek nenin 167 të ligjit themeltar të vendit që ka të bej me ushtarakët, ku kërkohet që ne kushtetutë të përcaktohet: “Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore, të marrin pjesë në parti ose veprimtari politike, apo kur janë përjashtuar nga e drejta për t’u zgjedhur ose emëruar në një funksion publik sipas përcaktimeve të bëra me ligj posaçëm të miratuar me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit”. Por pavarësisht nismës së depozituar në Kuvend, duket se PS nuk mund të ecë e vetme në rrugën e ndryshimeve kushtetuese pa marrë më parë edhe konsensusin e LSI-së. Kjo e fundit ka theksuar se çdo diskutim që lidhet me procesin e dekriminalizimit, qoftë edhe ai për ndryshimet kushtetuese, duhet të arrihet me konsensus me demokratët si edhe të zhvillohet në Komisionin e posaçëm për dekriminalizimin.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here