Antisemitizmi / Greqi, vjen dorëheqja e parë e kabinetit “Tsipras 2”

0
151

 

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras 

Në më pak se 24 orë pasi bëri betimin si pjesë e qeverisë së re “Tsipras” në Greqi, pas zgjedhjeve parlamentare të mbajtura ditën e diel, një prej ministrave është detyruar të japë dorëheqjen, për shkak të komenteve antisemitike dhe homofobike. Dimitris Kammenosit i është kërkuar të japë dorëheqjen, pasi shkaktoi irritim masiv me komentet e publikuara në rrjetet sociale. Njëri prej tyre, edhe pse jo i kohëve të fundit por i fillimvitit, kishte të bënte me krahasimin e Bashkimit Evropian me kampin vdekjeprurës nazist të Aushvicit. Kammenos, një anëtar i partisë së “Grekëve të Pavarur” të krahut të djathtë, deklaroi se llogaria e tij në rrjetin social ishte menaxhuar nga dikush tjetër, si dhe bëri thirrje ndaj policisë që të niste hetimet mbi këtë ngjarje. Megjithatë, kreu i “Grekëve të Pavarur”, Panos Kammenos u shpreh se zv.ministri i Infrastrukturës dhe Transportit duhej të jepte dorëheqjen derisa të mësohej e vërteta. Vetëm pak orë më parë, Dimitris Kammenos – i cili nuk është i afërm me kreun e partisë së tij, – ishte betuar në kabinetin e ri të kryeministrit Alexis Tsipras. Partia e këtij të fundit, Syriza, fitoi 35,5% të votave në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës, por e kishte të domosdoshme koalicionin me “Grekët e Pavarur” për të formuar një qeveri.

Kabineti i ri me 14 ministri përbëhet nga 45 personalitete të fushave të ndryshme. 7 prej të emëruarve në postet e ministrave janë gra. Numri i madh i ministrave plotësues dhe zëvendësministrave vlerësohet se është bërë edhe për ruajtjen e balancave politike brenda gjirit të Syrizas, që ende nuk është qetësuar nga përçarja dhe largimi i platformës marksiste, dy muaj më parë. Gjithashtu, edhe për të përballuar probleme të mprehta në sektorët e ekonomisë, industrisë, arsimit dhe politikës së Jashtme. Kreu i diplomacisë greke ka mbetur përsëri Nikos Kotzias, ndërsa edhe në ministritë kryesore nuk kanë ndryshuar anëtarët e Syrizas, që kanë mbështetur fuqishëm kryeministrin Tsipras. Gjithashtu, 5 prej posteve mbajnë aleatët qeveritarë të partisë “Grekët e Pavarur”, prej të cilëve udhëheqësi i tyre, Panos Kammenos ka rimarrë vetëm për pak orë Ministrinë e Mbrojtjes, pasi dje u detyrua të japë dorëheqjen, ndërsa 4 pjesëtarë të kabinetit vijnë nga gjiri i socialistëve të PASOK-ut, që u shkëputën nga kjo parti dy vite më parë. Ndër komentet më karakteristike të shtypit grek për kabinetin e ri, veçohen titujt e gazetave që flasin për një qeveri kopje të së mëparshmes, apo qeveri të balancave politike, ndërsa ministrat që do të përballen me reformat janë konsideruar si “grupi i misioneve të rrezikshme”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here