Pyjet dhe mirëmbajtja e mjedisit, marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet ISHMP dhe AKBN

0
183

12026533_474969132708096_935127217_n

 

Një marrëveshje për bashkëpunimin ndërmjet Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit dhe Pyjeve (ISHMP) dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) u nënshkrua dje nga kryeinspektori Ergys Agasi dhe drejtori Ekzekutiv Dael Devishi. Synimi i kësaj marrëveshjeje është bashkëpunimi dhe mbështetja ndërmjet këtyre strukturave të ISHMP-së dhe AKBN-së për të zbatuar me përpikmëri legjislacionin rregullator, dhe normave teknike e standardeve në fuqi, që veprojnë në fushën e mjedisit dhe në shfrytëzimin e burimeve natyrore. Objektivi i këtij bashkëpunimi pritet të jetë i frytshëm pasi të dyja palët do të zbatojnë me korrektësi kushtet e përcaktuara në lejet mjedisore, lejet minerare, kushtet në kontratat koncesionare dhe marrëveshjet hidrokarbure, nga subjektet që operojnë në shfrytëzimin e burimeve natyrore, si dhe duke përmirësuar menaxhimin e burimeve natyrore, mbrojtjen e mjedisit, pyjeve etj. Ndërkohë në mënyrë ilegale po ushtrojnë aktivitetin e tyre më shumë se 50% e këtyre lejeve, nga 620 që janë të lëshuara nga AKBN-ja. “Kështu që do bëhet e mundur pas kësaj marrëveshje, përveçse masës administrative që marrin nga Inspektorati i Mjedisit të bëhet e mundur shkëputja apo zgjidhja e kontratës që këta subjekte kanë me AKBN. Pjesa më e madhe janë në pjesën veriore të Shqipërisë, qarkun e Kukësit dhe të Dibrës”, – tha Ergys Agasi, kreu i Inspektoratit të Mjedisit. Kreu i ISHMP shprehu shqetësimet e tij dhe për shkeljet e hasura në subjektet që operojnë në fushën e hidrokarbureve dhe atyre hidroenergjitke, dhe siguroi se do të ushtrohen kontrolle të rrepta për t’u dhënë fund abuzimeve me mjedisin, të cilat deri më tani janë identifikuar e penalizuar me masat administrative nga ISHMP. Ndërsa Dael Devishi, drejtori Ekzekutiv, theksoi se “kjo marrëveshje lejon tashmë edhe revokimin e lejeve e deri në pezullimin e punës”. Marrëveshja do të sjellë koordinimin dhe intensifikimin e punës në terren duke i ofruar ISHMPM-së ekspertizën e kapaciteteve njerëzore të AKBN-së. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit për një periudhe 1-vjeçare dhe nga ky muaj grupet e përbashkëta të inspektimit fillojnë punën në terren për monitorimin e situatës mjedisore.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here