Nuk mban më!

0

gertibogdani

 

Nga Gert Bogdani

 

Kryeministri u mundua të shpjegonte dhe të justifikonte gropën e krijuar në buxhetin e shtetit e në fund tha se “ai nuk blen të ardhmen për të siguruar të tashmen”. Faktikisht do të kishte qenë më i saktë po të thoshte atë çfarë sot po ndodh realisht, që “ai po blen të tashmen, për të siguruar të ardhmen e vet” për të siguruar të ardhmen e ministrave të vet, për të siguruar të ardhmen e drejtorëve të vet, për të siguruar të ardhmen e pushtetarëve dhe taksidarëve të vet! Dhe e gjithë kjo, në kurriz të qytetarëve të ndershëm shqiptarë!!!

Sepse, 200 milionë euro që mungojnë vetëm këtë vit nga të ardhurat e doganave dhe tatimeve, nuk është se kanë avulluar, por thjesht kanë hyrë në xhepat e pushtetarëve dhe taksidarëve!

Dhe sot, ai nën sloganin e luftës kundër informalitetit dhe nën petkun e një Don Kishoti, po mundohet që këtë gropë prej 200 milionë eurosh që kanë gllabëruar pushtetarët e vet, ta mbushë me cikërrimat e shqiptarëve të ndershëm, duke u marrë atyre edhe qindarkën e fundit nga xhepi! Thashë më sipër nën petkun e një Don Kishoti, sepse ai sot po lufton me mullinjtë e erës, sepse armiqtë e vërtetë të informalitetit dhe të situatës së renduar ekonomike nuk janë shqiptarët që nxjerrin bukën e gojës nga bizneset e vogla familjare, por janë biznesmenët e lidhur me pushtetin dhe pushtetarët që i bëjnë fresk këtyre biznesmenëve.

Ai thotë se është në rrugën e shtet bërjes dhe se nuk do lejojë që shtetin ta vjedhin shqiptarët, nuk do të lejojë bariun të shesë bagëti pa kupon, as fermerin të shesë vezë e domate pa kupon, as këpucarin të rregullojë taka pa kupon, as berberin pa kupon, as gazetashitësin pa kupon, as dyqanin e vogël të lagjes pa kupon!

Ndërkohë, që nga ana tjetër lejon një grusht të vogël njerëzish, të veshur me pushtet, qoftë atë të parasë qoftë atë të postit të administratës, që jo kuponin nuk e njohin, por as traun e doganës nuk e kanë parë ndonjëherë ulur; lejon që këta të vjedhin me lopatë e të gdhihen pasunarë brenda natës!

Pra ky tregon sot se është për të vendosur shtetin, por jo për ta zbatuar vetë! Shtetin për qytetarin, por jo për pushtetarin!

 

***

Por besoj se qytetarët e kanë arritur ose janë duke arritur në pikën ku qeveritarëve të mos i dëgjojnë më se ç’thonë, por t’i shohin se çfarë bëjnë!

Kështu, sot nuk kanë më nevojë të dëgjojnë se çfarë thotë Kryeministri, sepse me fjalë ai ka vetëm 3000 euro kursime dhe është i pastrehë, por me vepra ka ndërtuar sarajet personale në Surrel! E pa diskutim pa kupon!

 

***

Nuk kanë më nevojë të dëgjojnë as ministrat e tij, merr për shembull ministrin e Brendshëm, se si lufton krimin dhe informalitetin, sepse i shohin me vepra veprimet apo mos-veprimet e tij. Sepse nëse beri show me Lazaratin para një viti, sot e ka kthyer të gjithë Shqipërinë në një Lazarat të madh. Sepse për më tepër del vetë personalisht në televizion kombëtar dhe pranon që ka bërë evazion fiskal! Edhe ky pa kupon!

 

***

Nuk kanë më nevojë të dëgjojnë as ministrin e shëndetësisë, sepse llafet e bukura të rilindjes i mori era! Dhe sot veprat flasin ndryshe!

Jo shëndetësi falas, por mungesë ilaçesh!

Jo shëndetësi falas, po spitale ku njerëzit nuk kanë kushtet me minimale!

Jo shëndetësi falas, po qytetarë që dergjen rrugëve në pritje pa fund të ambulancës!

Jo shëndetësi falas, po vjedhje e hapur me ilaçet e kulmuar me skandalin e insulinave!

Apo me skandalin e tenderit 120 milionë euro te check-up-it, që sot pas dy vjetësh rilindje, nuk ka sjellë aspak shëndetësi falas, por thjesht ka krijuar sheikë!

edhe ky pa kupon!

 

***

Qytetarët nuk kanë pse të dëgjojnë më as ministrin e financave, sepse veprat e tij sot flasin vetë! Nëse para dy vjetësh premtonin ulje taksash për 97% të shqiptarëve, sot po ia marrin frymën me taksa, arbitraritet dhe taksidarë 97% prej tyre!

Dhe sot ai nuk gënjen vetëm shqiptarët, por madje edhe Kryeministrin e vet! Sepse ato justifikime që dëgjuam sot nga Kryeministri, për gropën 200 milionë euro të buxhetit, janë shprehje të paaftësisë dhe gënjeshtrës së servirur nga turkoshaku i financave.

Sepse është absurde tu thuash njerëzve se gropa në buxhet u krijua se ra çmimi i naftës në Evropë! Ndërkohë që këtu vazhdon të jetë kacafiu!

Kjo është minimalisht mos njohje e realitetit ku jetojnë qytetarët e tu dhe sa paguajnë ata për një litër naftë apo benzinë!

E maksimalisht, tallje me njerëzit që sot naftën e paguajnë më shtrenjtë se kushdo tjetër në Evropë, megjithëse atje na qenka ulur!

U mundua të justifikonte gropën prej 200 milionë euro në buxhet me të ardhurat më të pakta nga TVSH e energjisë, megjithëse çmimin e rriti për 97% të shqiptarëve!

E quan sukses aksionin për energjinë, pavarësisht se futi në burg mbi 30 mijë shqiptarë në dy vjet, për cikërrima, krahasuar me bizneset e biznesmenët që lë të bëjnë qejf e të mos paguajnë miliona fatura energjie nga ana tjetër!

Kjo është përsëri shembull i bërjes së shtetit, por jo për ta zbatuar vetë!

 

***

E gënjen Kryeministrin, dhe ky më pas gënjen qytetarët e vet, kur i thotë e ju thotë, se pas luftës ndaj informalitetit do të ulë taksat dhe do të rrisë rrogat dhe pensionet!

Si mund ta bëjë këtë kur ka dy vjet që rrit taksat, rrit borxhin, rrit edhe gropën në buxhet! 200 milionë euro minus në një vit!

Kjo tezë e hedhur së fundmi është thjeshte një mesazh i përpunuar nga ekspertët e PR vetëm për t’i hedhur hi syve qytetarëve të këtij vendi! Sepse e theksoj edhe një herë, cikërrimat e bizneseve të vogla familjare, nuk mund të mbulojnë dot milionat e bizneseve e të preferuarve dhe miqve, as edhe milionat që zhduken në xhepat e pushtetarëve të korruptuar!

 

***

Dhe sa për krahasim, meqë u mor shumë edhe sot me qeverinë e kaluar, duke harruar që ka dy vjet që bën sikur qeveris vetë! Me taksa më të ulëta, me borxh më të vogël dhe pa u marrë frymën qytetarëve të vet, qeveria e kaluar rriste edhe rrogat, edhe pensionet!

Por ky, as ka ndërmend të mësojë, as ka ndërmend të ndryshojë, e ka thënë vetë më shumë se një herë! Ndaj as ka ndërmend të ulë taksa apo të rrisë rroga e pensione.

Sepse kjo është kundër filozofisë së vet, filozofi që e udhëheq në këtë rilindje dhe që thotë se sa më të varfër e të ndrydhur të jenë shqiptarët aq më lehtë i kontrollon!

Fundja më në fund vazhdojnë traditën e paraardhësve të cilët qenë shkencëtarët e skamjes, dhe që e kthyen me zor Shqipërinë tonë të pasur në vendin më të varfër në Evropë!

 

***

Të nderuar kolegë e të nderuar qytetarë!

Unë personalisht dhe në si forcë politike nuk jemi aspak kundër formalitetit! Por nuk jemi aspak për shtypjen dhe varfërimin e qytetarit të ndershëm dhe të qytetarit punëtor!

Sepse faji për këtë gjendje sot nuk është i tyre!

Sepse siç thotë populli, “peshku qelbet nga koka”!!!

 

***

Sepse shtetin nuk e vret dhe nuk e dëmton një biznes familjar që me zor nxjerr rrogën e vet në fund të muajit dhe që sot detyrohet të mbyllë qepenin!

Por e dëmton dhe e vret ajo arrogantja e famshme e tatimeve, që tallet e thotë se paska lënë trefish rrogë, vetëm për ‘ideal të partisë’.

Shtetin nuk e vrasin dhe nuk e dëmtojnë ata dy berberët që futi në burg!

Por e dëmton dhe e vret vëllai i ministrit milioner, që e ndalon policia rastësisht për semafor të kuq dhe i gjen 300 mijë euro në makinë! E meqë ishte vëllai i ministrit, i shpëtoi gjobës, po paratë nuk di të them a ia kthyen apo jo!

Shtetin nuk e vret e as nuk e dëmton ai fshatari që ngrihet që pa gdhirë për të ardhur në qytet ku i konfiskojnë vezët e zarzavatet!

Por e dëmton dhe e vret ministri që vë në dispozicion makinën personale për transportin e produktit bujqësor me fitimprurës, kanabisit!

Shtetin nuk e vret dhe as e dëmton ai qytetari në Elbasan që e futen në burg sepse po rregullonte eternitet e strehës së vet, strehës, se çati e shtëpi nuk ishte!

Por e dëmton dhe e vret, deputeti e pushtetari që ndërton saraje duke zaptuar bregdetin!

E po të vazhdojmë shembujt janë të pafundë! Pamundësia e një qytetari, kundrejt abuzimit të një qeveritari! Ky është realiteti i rilindjes sot!

 

***

Ndaj qytetarët sot nuk kanë se si t’i besojnë më fjalëve, sepse ato fare mirë sot shohin veprimet, veprat dhe gjëmat, e qeveritarëve të vet! Ekonomia e dërrmuar sot,

varfëria e ulur këmbë kryq, shpresa e vrarë dhe e ndrydhur,

shifrat e atyre që marrin rrugën e kurbetit,

të gjitha këto flasin vetë!

Madje, më shumë se flasin, ato ulërasin për gjendjen ku po katandisen sot shqiptarët dhe Shqipëria!

Por fatkeqësia nuk është vetëm kjo. Është për më tepër fakti që sytë e Kryeministrit janë të mbyllur dhe veshët e tij të shurdhët!

Fatkeqësia është dhe se ata që e rrethojnë jo vetëm nuk kanë guximin ti hapin sytë e t’i pastrojnë veshët, por përkundrazi kanë zell vetëm për të vjedhur e për t’u pasuruar, kush e kush më shpejt se shoku!

Nuk patën as guximin minimal t’i thoshin të vizitonte qytetarët e vet azilkërkues, në kampin e refugjatëve vetëm pak km larg ekspozitës vetjake të pseudo-piktorit, pseudo-kryeministër!

 

***

Por kam bindjen që kjo fatkeqësi nuk do ta ketë të gjatë, sepse shqiptarët e ndershëm nuk do të lejojnë që kjo qeveri e ky grusht pushtetarësh të blejnë të tashmen e të shkatërrojnë të ardhmen e shqiptarëve, vetëm për të siguruar të ardhmen e vet!

Sepse jo vetëm sot, po edhe në kohë më të vështira se sot, shqiptarët e kanë treguar se dinë të marrin në dorë, fatet e të ardhmes së vet!

Lini nje pergjigje