Standard.al

Nga qentë që “çlodhen” në lulishte tek plehrat, lumi i Lanës vazhdon të kundërmojë

0

 

 

Çdo hap i deritanishëm i kryebashkiakut i përkthyer në aksione apo nisma është ndërprerë në mes ose nuk ka vazhduar ashtu siç duhet

 

duke kontrollu ne plena

Vojsava Sota

 

Nisma e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për pastrimin përgjatë Urës së Lanës nuk po sjell frytet e duhura. Edhe pse u bë kohë që kjo nismë është ndërmarrë, duke vënë në shërbim të pastrimit punëtorë të Bashkisë së Tiranës, në shumë vende, duke nisur nga Piramida deri tek Pallatit me Shigjeta kanë mbetur të grumbulluara në masë papastërti të shumta. Nën vëzhgimin e gazetës “Standard”, duket se kjo nismë që kishte nisur me intensitet për ta mbajtur pastër lumin e Lanës, tashmë është lënë në mes. Gjatë urës vërehen punëtorë, të cilët veshur me uniformë dhe të pajisur me mjetet e punës, ishin përfshirë në kryerjen e këtij aksioni. Mirëpo më shumë sesa një nismë e vërtetë për të synuar jo vetëm ndërgjegjësimin e qytetarëve për të mbajtur sa më pastër Urën e Lanës, ky duket se është një tjetër show mediatik i kryetarit të Bashkisë, i cili më parë ka pohuar së Tirana do të jetë qyteti më i pastër në Ballkan. Përgjatë gjithë lulishtes anash lumit të Lanës nuk mungojnë qentë që “çlodhjen” e tyre të ditës e gjejnë pikërisht tek ky vend, por nuk mungon as era kundërmuese që vjen nga poshtë urave të këtij lumi, që kalon përmes kryeqytetit. Edhe pse në ditët e para kryebashkiaku nuk ngurroi të “kapte mat” të gjithë ata që urinonin poshtë urave, madje edhe t’u publikonte fytyrën në publik, ditët në vijim duket se kanë rikthyer avazin e vjetër. Nuk ka urë që të mos kundërmojë dhe njëkohësisht lulishte pranë Lanës që mos jetë “e mbytur” nga qentë e rrugës. Vetë banorët, të cilët e bëjnë më shpesh këtë rrugë përgjatë Lanës, të pyetur nga gazeta “Standard”, na bënë me dije, teksa i intervistuam, në lidhje me këtë problem. “Ne punojmë tek dyqanet anash Urës së Lanës dhe nga mëngjesi deri në mbrëmje, kemi parë po të njëjtën situatë që tashmë është shndërruar vërtet në një fenomen shqetësues edhe për shëndetin tonë. Qentë që enden lart e poshtë duke derdhur koshat dhe duke shpërndarë kështu mbeturinat, dhe era shumë e rëndë që vjen nga kjo urë, na e vështirëson disi lëvizjen e lirë, pasi aty nuk mund të kalohet. Kjo pamje të vret sytë, aq më tepër që është rrugë kryesore”, – pohoi një shitëse përgjatë rrugës “Vasil Shanto”. Nuk dihet se kur të gjitha aksionet e Erion Veliajt për mirëmbajtjen e qytetit do të rezultojnë në fund me sukses, pasi deri më tani e gjitha kjo ka mbetur një fasadë e tij, duke bërë më shumë show mediatik, sesa duke punuar vërtet. Krijimi i një imazhi të ri për Tiranën, siç ai kishte planifikuar si nismë parësore, për t’i dhënë më shumë ngjyra me hapësirat e gjelbra, më shumë ajër të pastër dhe rrugë me trotuare për biçikleta, kanë mbetur një premtim i pambajtur i kryebashkiakut Veliaj. Megjithëse jemi ende herët për të folur për premtime të pambajtura, nuk mund të mos vëmë në dukje se prioriteti numër 1 i Bashkisë së Tiranës, mjedisi dhe pastërtia, nuk po jep rezultatet e duhura. Çdo hap i deritanishëm i kryebashkiakut i përkthyer në aksione apo nisma është ndërprerë në mes ose nuk ka vazhduar ashtu siç duhet. Të gjitha aksionet që Veliaj ka ndërmarrë nuk kanë sjellë ende ndonjë sukses, sepse në rrugë ende ndeshemi me të njëjtat pamje, të cilat vërtetojnë se kryebashkiaku nuk mund të garantojë pastërtinë në Tiranë e për më tepër në zona nevralgjike si lumi i Lanës.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.