Të diskutosh, duke dëgjuar veten

0
161

images (4)

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

Të diskutosh, duke dëgjuar veten është një zakon sa i vjetër aq edhe i ri në vendin tonë. Në biseda të lira dëgjon njerëz që bëjnë një parashtresë të gjatë për X ose Y ngjarje. E ndërsa bashkëbiseduesit hapin veshët ta dëgjojnë e të japin ndonjë mendim, ai e mbyll menjëherë bisedën e nisur plot pasion me shprehjen “kam të drejtë, besoj”. Ty nuk të mbetet gjë tjerët veçse të thuash po. Ndodh edhe më keq, kur të ftojnë, të japësh një mendim, flasin më shumë ata që të ftojnë dhe sa herë që tenton të thuash ndonjë fjalë, “i zoti i shtëpisë” të ndërpret, plot buzëqeshje e ëmbëlsi duke të thënë “E kuptova, jeni dakord, me mua, prandaj dhe ju thirra”. Tani zakoni sa i vjetër dhe i ri po gjen strehë kudo: Në shoqëri “të ngushtë”, në familje, në punë, në media, në biseda të lira, në forume “intelektualësh” e kudo.

Për të treguar se jemi vendi që kemi hyrë në NATO e aspirojmë të hyjmë në Bashkimin Evropian, po i shtojmë gjithnjë e më shumë dozat e diskutimit duke dëgjuar veten, që çon në një rrugë jo të panjohur,  tek arroganca. “Është kështu dhe se luan topi”, “ku merrni vesh ju”, “thuaj shyqyr që erdhëm ne se na morët në qafë”, “mos flisni se nuk ju dëgjon e ju beson njeri”. Përbuzja, irritimi, nervozizmi, diktati, të gjitha mund t’i gjesh në këtë vend, e për të fat të keq shumicë. Vetëm demokraci nuk gjen. Edhe nëse nisesh të flasësh apo jep mendim në një rrejt social, portal lajmesh, ke njëmijë e  një mallkime, kritika “të dobishme”, “sugjerime konkrete”, krahasime me të kaluarën, në mënyrë që të mos e hapësh gojën. Flet apo diskuton për një gjë, përnjëherë gjinden dy njerëz, krejtësisht të “pa interesuar”, për atë që the dhe të bëjnë “një kritikë konstruktive”. Për shembull flet për kriminalitetin në vend, fap të hidhet bashkëbiseduesi e të thotë, “e more vesh që në Amerikë një psikopat vrau shokët e tij dhe më pas veten”, po “në Egjipt që bëri namin policia me turistët, e zotrote kërkon që policia jonë mos të bëjë gabime”. “Drogë shitet kudo e pastaj. Vetëm në Shqipëri do ta luftojmë”. “Pupu çfarë arbitri ai në Spanjë e ne ankohemi për këta tanët”. Nga ky bombardim i të “vërtetës intelektuale” shqiptare, hesht ose ngre supet e thua: “Po unë pse duhet të them mendimin tim kaq hapur? Nuk do të më dëgjoj kush. Edhe ata që do të më dëgjojnë, do të ngrenë kokën, do të hedhin një vështrim përreth e do të thonë: Po pse e kruan kot? Edhe po e the një gjë të vërtetë, askush nuk të dëgjon. Kështu që mos u mundo kot”. Oportunistët dhe pragmatistët, e kanë përgjigjen edhe më të thjeshtë: “Kështu ka qenë edhe më parë. Nuk ta varte njeri. Kështu do të jetë edhe në të ardhmen”.

E në këtë rast i bën pyetje vetes ç’duhet të bëjë. Të dëgjoj të tjerët, që diskutojnë duke dëgjuar veten apo të flas që të dëgjojnë edhe të tjerë?

Nëse bën të parën për momentin ke shumë lehtësira. Madje që të jesh edhe më komod, duhet të tundësh kokën pas çdo fjalie. Në këtë mënyrë, është i siguruar një vend pune, futja në listën e “intelektualëve të pavarur e të vërtetë”, siguron ndonjë projekt, je më i pëlqyer nga të ashtuquajturat komisione për konkurrimin për një vend pune e kështu, e radhë. Pra ke një sërë lehtësirash që mund t’i humbasësh me shpejtësinë e dritës, nëse flet për të dëgjuar të tjerët. Nuk besoj se është koha të pyesësh: A kam vetëm unë të drejtë, apo të gjithë, pak shumë, shumëkush, kanë pranuar të transformohen. Në fund të fundit, ka njerëz që pas një karriere të dështuar politike, janë ringritur për të bërë një karrierë brilante akademike në pak vite. Ka njerëz që refuzojnë çdo karrierë për të ndjekur ëndrrën e tyre profesionale. Ashtu sikundër ka njerëz që njëherësh janë politikan, analistë, profesor të shquar, studiues, legalizues, restaurues e gjithçfarësh që njeh kjo botë në fushën e profesioneve. Të parët njerëzit e dështuar të karrierës politike dhe shumë kreativ në pak vite në fushën akademike, nuk ngurrojnë të japin mendime në formën e leksioneve sesi bëhesh i suksesshëm si puna e tyre në më pak se 3-5 vite. Siç ndodh rëndom këta zënë të gjitha ekranet, me diskutimet e tyre “brilante”. Këta një model unik i “diskutimit duke dëgjuar veten”. Flasin e flasin pa pushim, u rreh shpata sa andej këtej, duke mos harruar shprehjen “jo se mendoj vetëm unë kështu, por se kështu është e vërteta”. Të dytët, sa i dëgjojnë të flasin braktisen prej mediave, ose mediat kujtohen për ta shumë rrallë, në mënyrë që impakti të jetë sa më i dobët në shoqëri. Reagimi ndaj kësaj kategorie është shumë i thjeshtë: “ Le të flasin se askush nuk mendon si ata”. Të tretët, dalin e flasin për gjithçka, duke bërë që të jetë shumë e vështirë, të mbash mend se për çfarë dolën për herë të fundit. Ata flasin jo vetëm duke dëgjuar veten, por edhe vendosin vetë. Dinë historinë prej Teutës e deri tek Sali Berisha. Parashikojnë suksesin në politikë të Ramës. Mburrin e shajnë sipas rastit Zogun, anglezët e amerikanët. Dinë shumë nga fusha e monumenteve dhe restaurimit. Natyrisht që janë specialistë të legalizimit dhe urbanizmit. Nuk mungojnë të japin mend edhe për procesin e gardhimit. Thjesht janë poliedrik, si i thonë në gjuhën shkencore dhe tipa “që ç’i sheh syri ja bën dora”, sikundër thuhet në gjuhën popullore.

Kush janë më realët? Në këtë të shkretë Shqipëri, natyrisht që realët janë ata që bëjnë furçe, që thonë se “kemi kritika ndaj qeverisë së sotme, por më mirë këta se Saliu prapë”. Akoma më real janë “të pavarurit” intelektualë akademikë, dikur politikanë të thekur, që deklarojnë se “fajin e ka opozita, që s’është në binar e që e lejon edhe pozitën të bëj gabime. Po të jetë mirë opozita edhe vendi zhvillohet”. Nënkuptimi është i qartë: Meqenëse “nuk kemi gati opozitën”, pozitës t’i lihet dora e lirë të bëjë gjithfarë gjërash, se kur të jetë “gati” opozita ja rregullon qejfin populli qeverisë. Ndonëse parapëlqej një kritikë pa lajka, veprim opozitar pa kompromis kundër të keqes që ka lëshuar rrënjë dhe është përhapur si krisja në arë, aktualisht më pëlqejnë më shumë “intelektualët e pavarur”, “studiuesit poliedrik” dhe padyshim akademikët fringo të rinj, dikur politikanë. Ata e kanë mirë me të gjithë, i gjen në çdo studio, ligjërojnë në çdo universitet, kanë institute e shoqata “të pavarura”, marrin projekte të vogla e të mëdha. Shkurt gëzojnë para, famë, i hapen dyert kudo dhe janë shumë të përshtatshëm, ndaj ndryshimeve të temperaturave në politikë, apo drejtimit të erës së zgjedhjeve.

Të flasësh, duke dëgjuar veten e siç do hyqymeti? E ku ka më mirë. Koha e kritikës, në një vend ku demokracia duhet të konsolidohet ka mbaruar. Tani jemi në kohën e qejfbërjes, lëpirjes, “kritikës me pikatore”, por pa përmendur emra. Dy janë objektivat që mund t’i godasësh lehtë e pa t’u dridhur dora: Populli që është i paedukuar me ligjshmërinë dhe opozita me demokracinë. Të tjerët mbrohen nga vetë “puna e gjallë”, që përfshin kaq shumë emocionalisht bisedat që dëgjojmë, saqë, tani edhe natën pëshpëritin të njëjtat fjalë, njësoj si papagalli i kënaqur me të zotin që e mban duke e ushqyer në gjoksin e tij.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here