Ranieri: Martial e nuhat golin

0
109

 

Menaxheri i Leicester City-t, Claudio Ranieri, ka thënë për mediat angleze se sulmuesi i ri i Manchester United-it, Anthony Martial, është sulmues që nuhat golin. Italiani që më parë ka qenë trajner i Monakos, ku ka luajtur edhe sulmuesi francez, ka folur për aftësitë e lojtarit që u pagua më shumë se 50 milionë euro. “Ai ka një intuitë fantastike për të shënuar dhe për të nuhatur golin, ky është Martial. Është e rëndësishme që ai të shënojë. Ai ka kushtuar shumë dhe presin gola nga ai”, – ka thënë Ranieri. Manchester United do të ndeshet me Ipswich Town të mërkurën në Capital One Cup para se të luajë në fundjavë me Sunderland-in.

 

Juventus interesohet për Fekirin

 

Mesfushori me tipare sulmuese i Lionit, Nabil Fekir, ishte dhe vazhdon të mbetët një ide konkrete për Juventusin. Gjatë verës ishte përfolur shumë për një kalim të mundshëm të francezit në Torino, por në fund gjithçka dështoi dhe mbeti vetëm një ide e tregut të transferimeve. Sipas “TuttoMercatoWeb”, “Zonja e Vjetër” është duke vazhduar interesimin për 22-vjeçarin. Besohet se raportet në mes të dy klubeve janë duke vazhduar dhe ka shumë mundësi që gjatë janarit Fekir mund të veshë fanellën e Juventusit. Për Fekirin kanë shprehur interesim edhe Roma dhe disa klube të mëdha nga Premier Liga.

 

Ferguson: Dikur kisha ofertë nga Interi

 

Trajneri legjendar i Manchester United-it, Sir Alex Ferguson, ka treguar se dikur e ka refuzuar skuadrën e Interit. “Në fillimet e karrierës, kisha një kërkesë nga Massimo Moratti, dikur pronar i Interit. Ata më treguan një listë me lojtarët që dëshironin t’i blinin. Kishte lojtarë fantastikë në atë listë. Por unë nuk do të mund ta bindja gruan time Cathyn që do të shkonim në Itali”, – ka thënë Ferguson. Skocezi konsiderohet njëri ndër trajnerët më të mirë të të gjitha kohërave, duke fituar 13 tituj të Premier Ligës, dy Liga të Kampioneve dhe pesë Kupa FA.

 

Liverpuli mendon për Ancelottin

 

“The Reds” nuk janë të kënaqur me Brendan Rodgersin dhe vendin e tij mund ta zë Carlo Ancelotti. Liverpuli ka filluar kërkimin për një menaxher të ri. Brendan Rodgers është nën presion të madh pas rezultateve të dobëta të ekipit që ka grumbulluar vetëm dy pikë në katër ndeshjet e fundit në Ligën Premier. Andaj, sipas mediave italiane, kandidati i ri që ka zgjuar interesimin e klubit nga “Anfield” është Carlo Ancelotti. Ish-trajneri i Realit të Madridit është aktualisht i lirë, pas largimit nga “Santiago Bernabeu” gjatë verës së këtij viti. Ancelotti ka përvojë nga Premier Liga ku ka punuar tek Chelsea, mirëpo ai është zotuar se dëshiron të pushojë për së paku një vit, para se të vendos për një angazhim të ri.

 

Alonso në probleme me ligjin

 

Mesfushori i Bayern Munich, Xabi Alonso, është lojtari i fundit që do të vihet nën hetime për taksat e papaguara në lidhje me të drejtat e imazhit. “El Mundo” shkruan se është paraqitur një ankesë për lojtarin sa i përket viteve midis 2010 dhe 2012, kohë kur lojtari spanjoll ishte lojtar i Real Madrid. Rasti është krahasuar nga kjo gazetë me atë të Javier Mascheranos, i cili është duke pretenduar të paguaj 1.5 milionë euro si pjesë e një marrëveshjeje për të drejtat e imazhit. Avokati i Alonsos, Ivan Zaldua, ka dalë në mbrojtje klientit të tij. “Ne jemi të qetë, sepse ne nuk kemi fshehur asgjë nga zyra e taksave dhe kanë qenë të paguar në përputhje me rregulloret në çdo kohë. Ne jemi të sigurt se çdo gjë do të qartësohet”, – ka thënë avokati i lojtarit Zaldua.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here