Kosovë / Në Kuvend, Kryeministri Isa Mustafa sulmohet me vezë nga deputetët e opozitës

0

 

Loading...

 

 

Parlamenti KosovesDeputetët e opozitës në Kosovë kanë gjuajtur me vezë Kryeministrin Isa Mustafa. Reagimi i ashpër i opozitës erdhi si formë për të penguar marrëveshjet e arritura në Bruksel në dialogun Kosovë-Serbi dhe për marrëveshjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, në të cilat si përfaqësues i Kosovës ishte vetë Kryeministri. Në momentin kur Mustafa doli në foltoren e Kuvendit, deputetët e opozitës, dhe po fliste për këtë çështje, deputetët e opozitës reaguan duke e qëlluar me vezë. Në mbrojtje të Kryeministrit ndërhyri sigurimi i tij, gjë që shkaktoi edhe reagimin e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, që kërkoi largimin e sigurimit nga salla e Kuvendit. Reagimet në lidhje me ngjarjen kanë qenë të menjëhershme në radhë të politikanëve të Kosovës. Si fillim ishte fjala e Presidentes Jahjaga, e cila e dënoi këtë sulm duke thënë: “Akte të tilla të shëmtuara e vështirësojnë diskutimin e mirëfilltë publik dhe zbehin besimin e qytetarëve në institucionet e vendit”. Presidentja Jahjaga ka ftuar të gjithë deputetët dhe subjektet politike që t’i respektojnë institucionet e vendit ku përfaqësohet vullneti i popullit, të denoncojnë dhunën dhe që mospajtimet politike t’i shprehin përmes rrugëve institucionale në respektim të plotë të parimeve të demokracisë. Ishte edhe zëvendëskryeministri Thaci që reagoi, i cili tha: “Sjellja e sotme e deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës nuk është aspak në dobi të qytetarëve të vendit tonë. Sot u cenua Kuvendi, por edhe Kryeministri dhe e tërë qeveria e Republikës së Kosovës. U cenua demokracia dhe pluralizmi. Por, mbi të gjitha sot u cenua qytetari i Kosovës dhe e drejta e tij për t’u informuar. Opozita nuk është e gatshme të ballafaqohet me forcën e argumenteve, prandaj po kërkon të shfrytëzojë argumentin e forcës. Në kohën kur Kosova po vlerësohet nga miqtë e saj në botë se po promovon dialogun dhe stabilitetin, opozita në Kosovë bën të kundërtën duke ndalë dialogun dhe duke kërkuar jostabilitet. Pushteti fitohet vetëm me vota e me alternativa politike dhe jo me bllokim të institucioneve. E tërë kjo vjen mu në ditën kur në Bruksel, komisioneri Hahn lavdëron Kosovën për arritjet e bëra në procesin e stabilizim-asocimit dhe të liberalizimit të vizave. Në po këtë ditë, opozita me sjelljet e veta në Kuvendin e Kosovës vë në pikëpyetje tërë këto të arritura dhe kthen frikën tek qytetarët dhe tek miqtë ndërkombëtarë se dhuna do të ndalë përsëri hovin e Kosovës. Frika dhe dhuna më nuk kanë vend në Kosovë”. Edhe qeveria e Kosovës e ka dënuar këtë akt. Në një njoftim për media të lëshuar nga zyra e qeverisë thuhej se “qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se të gjithë kanë për detyrim të përmbahen nga aktet e dhunës dhe të shmangin veprimet që tejkalojnë format demokratike të opozitarizmit të cilat dëmtojnë interesat e Republikës së Kosovës”. Ndërkohë, kishte zëra në mbështetje të deputetëve të opozitës, ku shefja e grupit parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, u shpreh: “Kjo çfarë kemi bërë është më e pakta që mund të ndodhë për të ndalur atë Kryeministër që po punon më shumë për interesa të vendeve të tjera, sesa për interesa të Kosovës”. Me gjithë kundërshtimin e opozitës në Kosovë për marrëveshjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe, dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë. Në fund të këtij muaji, ministrja për Dialogun, Edita Tahiri, tha: “Me datën 28 dhe 29 shtator do të mbahen takime të nivelit teknik, ku do të bisedohet kryesisht për problemet gjatë mos zbatimit të marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Temat që do të diskutohen në Bruksel do të jenë rreth marrëveshjeve për lëvizjen e lirë, qarkullimi i automjeteve, çështja e mosrespektimit të marrëveshjes për njohjen e diplomave, funksionimi i zyrave ndërlidhjes në Kosovë dhe Serbi, si dhe marrëveshja që Serbia nuk e po e zbaton, që ka të bëjë më kadastrën”. Nga ana tjetër, seanca në Parlament u mbyll dhe përpjekjet për vazhdimin e saj dështuan për shkak të bllokadës së foltores nga opozita. Kryetari i Kuvendit, Veseli, tha se seanca do të vazhdojë, pavarësisht situatës së tensionuar në sallë.

 

 

 

Loading...

Lini nje pergjigje