Fshati i zhdukur

0
149

 

 

Banorët e një fshati në Kanada u zhdukën një ditë shtatori të vitit 1931, për të mos u gjendur më kurrë. Askush nuk e di se çfarë ndodhi me ta, ndërkohë, policia fshehu ngjarjen për më shumë se 70 vjet

 

Është një histori e cila qëndroi e fshehur për vite me radhë, por përhapej vazhdimisht si gojëdhënë ndër fiset eskimeze të Kanadasë Veriore, deri kur një ditë… kjo histori u pa se ishte e vërtetë. Zhdukja e një fshati në mënyrë të papritur ishte një legjendë mjaft e njohur ndër eskimezët, por autoritetet deklaronin se nuk dinin gjë për diçka të tillë. Vetëm pak vite më parë, u zbulua se për këtë ngjarje kishin shkruar gazetat, ishin përpiluar raporte policie dhe kishte denoncim nga një banor i zonës.

Zhdukja

Në vitin 1930, një gazetar raportoi nga një fshat i vogël në liqenin Anguikini, fshat i banuar nga eskimezë e që sipas tij kishte rreth 1 mijë banorë. Por përgjatë viteve 1930, një udhëtar nga ky fshat, Joe Label, shkoi dhe pa se të gjithë fshatarët kishin ikur. Ai pa se fshatarët ikën në mënyrë të menjëhershme, pasi gjeti bluza të papërfunduara që ishin ende duke u qepur dhe ushqim të vendosur për ngrohje. Për më tepër ai gjeti edhe gjashtë qen, të cilët kishin ngordhur nga uria, si edhe një varr që ishte hapur.

Ajo çka ishte më e çuditshmja, ishin varrezat. Label shkoi në varrezat e fshatit ku pa se gurët ishin hequr dhe se kufomat ishin shqyer nga kafshë të egra. Kjo vjen në kundërshti me kulturën eskimeze, ku të vdekurit, akoma edhe kufomat e armiqve janë të pacekshme dhe cilësohet si krim në traditën zakonore eskimeze.

Ai e raportoi këtë situatë menjëherë në policinë kanadeze, të cilët nisën kërkime masive për gjetjen e njerëzve, por askush prej tyre nuk u gjet kurrë. Kjo histori më pas do të bëhej një ndër ngjarjet më të çuditshme të historisë së njerëzimit dhe do të përmendej nga dhjetëra historianë, shkencëtarë e kërkues, si fshati i humbur i Anguikinit.

Versioni më i vjetër i kësaj ndodhie është ai i datës 29 nëntor 1930, i botuar në gazetën kanadeze “Halifax Herald”, e i shkruar nga gazetari Emet Kelleher. Artikulli përmbante edhe foto, por të cilat më vonë u vërtetua se ishin të vitit 1909 dhe nuk kishin të bënin me këtë fshat, çka vendosi në diskutim vërtetësinë e ngjarjes.

Shpjegimi

Policia kanadeze në atë kohë e cilësoi këtë histori si të pavërtetë, duke e mbyllur dosjen për të mos e hapur më, duke thënë se këto fshatra mund të kenë qenë të banueshme vetëm për një periudhë të vitit nga popullsi eskimeze nomade, por zhdukja e banorëve, duke lënë çdo gjë pas, nuk është shpjeguar akoma.

Historia në fjalë ka sjellë shumë hipoteza dhe teori, nga UFO-t e deri te sulmi nga kafshë të egra. Shoqata Kanadeze e UFO-ve, e cilëson këtë rast si një ndër më të qartët të ekzistencës së jashtëtokësorëve, duke thënë se nuk ka pasur tjetër mundësi të zhdukjes së një fshati të tërë.

Ndërkohë, një hipotezë tjetër është se fshatarët u larguan nga një sulm masiv i kafshëve të egra, duke u detyruar që të linin pas çdo gjë që bënin, por edhe ky rast nuk arrin që të shpjegojë varret e hapura në fshat, si edhe mungesën e gjurmëve të të gjithë banorëve të tij, duke e lënë fshatin e humbur të Anguikinit një ndër misteret më të mëdha të pazgjidhura deri më sot.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here