Raporti konfidencial i OSBE-së / Debati në grup, deputetët e PS-së akuza OSBE-së: Na u përbalt emri pa fakte

0
114

 

 

images (4) images (5)Stërkaj: Thashetheme, s’kam shqetësim se çfarë thotë OSBE. Kokëdhima: Sulm ndaj shtetit, në raport për çdo person duhej të citohej burimi i informacionit ose ndryshe të merrej përgjegjësia nga raportbërësi

Gëzim Saliu

 

Raporti konfidencial i OSBE-së që fliste për një pjesë të ligjvënësve të cilët dyshohen për lidhje me krimin e organizuar, trafiqet ndërkombëtare si edhe me kontrabandën ka sjellë debate në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialiste. Në takimin e përjavshëm të zhvilluar me dyer të mbyllura, i cili u drejtua nga kreu i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi, kanë qenë vetë deputetët e përmendur nga raporti, të cilët kanë shprehur hapur kritikat ndaj OSBE-së. Një pjesë e tyre, përveçse i kanë cilësuar akuzat si false dhe jo të mbështetura në fakte, kanë kritikuar edhe vetë OSBE-në për mënyrën se si e ka mbledhur këtë informacion dhe e ka radhitur në raport.

Reagimet

Një prej deputetëve të përmendur në raportin konfidencial të OSBE-së, socialisti Paulin Stërkaj, tha se akuzat e shprehura ndaj tij janë thjesht thashetheme që nuk kanë asnjë të vërtetë brenda. “Këto janë ca thashetheme të vjetra që nuk kanë lidhje me asnjë nga ato që thuhen. Unë nuk kam shqetësim fare se ça thotë OSBE dhe kushdo tjetër sepse ne jemi drejt në punën tonë”, – pohoi Stërkaj. Ndërkaq, një tjetër deputet socialist, i përmendur në raport, Koço Kokëdhima, u shpreh tejet i ashpër ndaj OSBE-së, duke theksuar: “Unë them që ai është një veprim që në thelbin e vet është një sulm në institucionet e shtetit shqiptar, është një përbaltje e institucioneve. Minimalisht do të duhej që në këtë raport për çdo person të citohej burimi i informacionit, ose përndryshe të merrej përgjegjësia nga vetë raportbërësi”. Në këtë kontekst, Kokëdhima tha se qeveria duhet t’i kërkojë sqarime OSBE-së për burimet dhe vërtetësinë e asaj çfarë është shkruar në raport. Ndërsa deputeti Ben Blushi nuk ka dashur të komentojë gjatë, por u pajtua me faktin se çfarë është publikuar është në kuadrin e thashethemeve. Pak ditë më parë u publikua nga “lapsi.al” një raport konfidencial i hartuar nga OSBE-ja, i cili përmbante të dhëna dhe informacione për një sërë politikanësh shqiptarë duke filluar nga ato më të lartët tek ata të një profili më të ulët. Raporti i cili daton rreth një vit më parë nuk përbënte një qëndrim zyrtar të OSBE por ka mbledhur raportime të shtypit dhe agjencive të tjera. Sipas tij, ky grup i klasës politike dyshohet për lidhje me krimin e organizuar, trafiqet ndërkombëtare si edhe me kontrabandën. Në raportin sekret të OSBE-së janë përfshirë kryesisht 31 deputetë të Parlamentit Shqiptar, të konsideruar si biznesmenë, anëtarë të të gjitha partive politike, por vihet re se shumica e tyre vijnë nga radhët e mazhorancës. Për herë të parë ky raport ndërkombëtar përmend shifra mbi pasurinë e Kryeministrit Edi Rama, fshehjen e saj në SHBA përmes të vëllait, Olsi Ramës, dhe akuzat për ryshfet me lejet e ndërtimit në Bashkinë e Tiranës. Për Kryeparlamentarin Ilir Meta raporti evidenton interesat e tij në biznese si ndërtimi, turizmi, materialet e ndërtimit dhe në fushën e energjetikës dhe flet për dyshime të lidhjeve të tij me aktorë të mafias. Për ish-kryeministrin Sali Berisha raporti konfidencial përmend investigimin e BIRN mbi lidhjet e tij me Damir Fazlliçin.

 

Box

Disa nga deputetët e PS-së të përmendur në raportin e OSBE-së

 

Sadri Abazi (PS) – Lidhjet e tij të forta me liderët e PS-së i kanë siguruar mbrojtje dhe fshehje të aktiviteteve kriminale të kompanive te tij. Pasuria e tij përllogaritet në rreth 100 milionë euro.

Anastas Angjeli (PS) – Pronar i Universitetit Mesdhetar. I përfshirë në aktivitete ekonomike me Greqinë, thuhet se ai ka qenë i përfshirë në kontrabandën e naftës Greqi-Shqipëri-Jugosllavi në vitet `90.

Koço Kokëdhima (PS) – Lidhjet e supozuara me aktivitete kriminale janë kryesisht të lidhura me lejet e ndërtimit, pastrimin e parave e pasuritë e paluajtshme. Flitet për lidhje të dyshimta me interesa, biznese e mafien ruse.

Arben Ndoka (PS) – Ka qenë i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, pengmarrje dhe trafik droge në Itali dhe i dënuar me shtatë vjet burg në Itali.

Gramoz Ruçi (PS) – Sekretar i përgjithshëm i PS-së, flitet për lidhje të vjetra me trafikantë droge dhe krimin e organizuar. Ruçit i është ndaluar hyrja në SHBA prej vitit 2005, për shkak të mospasjes të drejtë për të marrë vizë.

Paulin Stërkaj (PS) – Ai ka qenë pjesë e PD-së dhe u akuzua nga një mik për vrasjen e një politikani në Shkodër, disa vite më parë. Stërkaj pretendon të këtë interesa biznesi në hidrokarbure, restorante dhe ndërtim, por shumë pak dihet mbi aktivitetet e tij.

Fidel Ylli (PS) – Dyshohet se nisi të bënte para nga kazinotë dhe aktivitete ilegale të lidhura me mafien bullgare. Ai ka në pronësi grupin “House of Arts”, me vlerë rreth 5 milionë euro. Thuhet se ka aksione në disa kompani ndërtimi, por nuk e ka pranuar kurrë publikisht.

 

 

Ambasadori i OSBE-së

Raunig: Raporti, material informues i brendshëm, nuk përfaqëson as politikën e as pikëpamjen tonë

 

Raporti i OSBE-së i hartuar nga kjo organizatë dhe që përmendte emrat më të rëndësishëm të politikanëve shqiptarë ishte thjesht një material informues i brendshëm i OSBE-së. Kështu deklaroi dje nga Korça ambasadori i OSBE-së, Florian Raunig, i cili tha se informacioni që u bë, sipas tij, objekt i keqinterpretimeve dhe manipulimeve politike, u bë publik pa autorizim. “Lejomëni ta shpjegoj qartë: informacioni i botuar nuk përfaqëson as politikën e OSBE-së apo pikëpamjen tonë zyrtare, as nuk përbën një vlerësim apo gjykim dhe as nuk ka shërbyer si bazë për raporte të tjera. Dëshiroj të përsëris se përmbledhja ishte thjesht një grumbullim informacioni nga raportime të medias shqiptare dhe pretendimeve që qarkullonin në publik. Prezenca nuk e verifikoi informacionin e përdorur, pasi qëllimi i asaj përmbledhjeje ishte pasqyrimi i pretendimeve dhe jo përcaktimi i të vërtetës. Prezenca shpreh keqardhjen për shqetësimin që ky informacion mund t’u ketë shkaktuar personave të përmendur në materialin informues”, – pohoi Raunig. Ambasadori i OSBE deklaroi se prezenca e kësaj organizate këtu ka marrëdhënie të shkëlqyera me institucionet shqiptare dhe hedh poshtë tha ai përpjekjet për t’i minuar ato.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here