Antiinformaliteti / Tatimet përgatiten të godasin 80 kompani VIP

0
135

 

 

drejtoria e tatimeveA është rruga më e drejtë përdorimi i Policisë së Shtetit për të frikësuar bizneset e vogla?

 

Ervin Kaduku

 

Rreth 80 biznese të mëdha do të jenë objekt i “vizitave” të inspektorëve të aksionit antiinformalitet. Këtë fakt e bëri të ditur drejtorja e Përgjithshme e Tatimeve, Brisida Shehaj, gjatë një komunikimi me mediat, ku u paraqitën edhe rezultatet e para të këtij aksioni. Sipas Shehajt, nga kontrolli i ushtruar në ditët e para të muajit shtator janë evidentuar 1968 subjekte të licencuara me shkelje, ndërsa janë gjobitur 1440 subjekte.

Në një bashkëbisedim të gjatë me gazetarët ditën e shtunë, numri 1 i Tatimeve tha se përballë kërkesave për paga më të larta, inspektorët duhet të kenë fillimisht vullnetin dhe idealin të ndryshojnë vendin përmes punës së tyre.

Ajo bëri të ditur se ka pasur edhe penalizime për inspektorët tatimorë në terren, ashtu sikurse sqaroi se Policia e Shtetit do të mbështesë çdo inspektor.

 

Policia

Por pikërisht përdorimi i forcave të rendit duket se po krijon probleme jo të vogla. Përdorimi i papritur i policisë së shtetit mbi qytetarët që punojnë në të zezë po shkakton shqetësime se fushata mund të dëmtojë bizneset e vogla – të cilat furnizojnë edhe shumicën e vendeve të punës në Shqipëri. Policia njoftoi pak ditë më parë se ka arrestuar dy berberë, pasi i kapi duke punuar në një dyqan të vogël në Tiranë, i cili nuk qe i regjistruar te administrata tatimore. Taulant Hasanaj, 29 vjeç, u arrestua sepse bëri rezistencë ndaj një inspektoreje taksash, ndërsa Indrit Lluka, 33 vjeç, u arrestua pasi “u konstatua se zhvillonte veprimtari ekonomike (berber) i paregjistruar në organet Tatimore”.

Në një aksion tjetër, policia njoftoi se ka ndaluar disa kamionë që transportonin bagëti dhe se ka hapur procedim penal në gjendje të lirë ndaj tregtarëve.

Lajmet për arrestimet i dhanë një kuptim të ri fushatës së paralajmëruar të qeverisë kundër ekonomisë informale dhe evazionit fiskal, të njoftuar me bujë më 1 shtator, por që u shty për disa ditë pasi autoritetet e gjetën veten të papërgatitur.

Në Elbasan, fermerët u përballën me konfiskim të duhanit të hapur që po tregonin, pasi autoritetet thonë se kjo tregti e duhanit të prodhimit vendës, ilegale, por e toleruar prej dy dekadash, po dëmton të ardhurat e qeverisë.

Në një drejtim tjetër, qeveria prezantoi një paketë me masa shumë më të ashpra kundër evazionit fiskal me ndryshime në Kodin Penal. Propozimet, të cilat do të duhet të miratohen në Parlament, parashikojnë që evazioni fiskal të dënohet deri në tre vjet burg, ndërsa aktualisht dënohet me gjobë deri në një vit burg. Bizneset mund të gjobiten me 70 mijë euro nëse shesin mallra pa faturë fiskale.

Ekonomia informale në Shqipëri vlerësohet se zë së paku 35 për qind të të gjithë aktivitetit ekonomik në vend. Ka një mirëkuptim të përgjithshëm se lufta kundër informalitetit dhe evazionit fiskal është e domosdoshme, por shumë i shohin masat e ndërmarra nga qeveria si disproporcionale dhe joefektive.

Disa vërejnë se në Shqipëri ende asnjë zyrtar i lartë nuk është dënuar për korrupsion, megjithëse korrupsioni perceptohet si i gjithëpërhapur, ndërkohë që edhe vetë evazioni fiskal perceptohet se kryhet në masë të gjerë nga bizneset e mëdha, të cilat kanë lidhje dhe ndikim politik.

Gjobitja e bizneseve me 10 milionë lekë për shitjen pa faturë fiskale nuk ka kuptim, sepse një gjobë e tillë mjafton për të falimentuar çfarëdolloj biznesi. Nuk arrihet të dallohet nëse këto gjoba do të funksionojnë, apo thjeshtë do të rrisin mundësinë e taksambledhësve për më shumë ryshfet.

Klima e frikës që po krijohet nga fushata do të ketë një ndikim negativ në rritjen ekonomike të vendit dhe në punësim, për shkak se bizneset e vogla kanë aktualisht 90 për qind të të punësuarve në vend.

============

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here