Tubime në të gjithë Evropën, pro dhe kundër refugjatëve / Vendet perëndimore përfshihen nga demonstrime masive për krizën e refugjatëve  

0
83

 

Tubime janë zhvilluar në pjesë të ndryshme të Evropës, një pjesë në mbështetje të refugjatëve të mbërritur në kontinentin e vjetër, të tjerë për të kundërshtuar praninë e tyre. Dhjetëra mijëra njerëzit e grumbulluar në zemër të Londrës ishin dashamirës të refugjatëve, që u largohen konflikteve të përgjakshme sidomos në Lindjen e Mesme. Tubimi i tyre ishte një protestë ndaj qëndrimit të mbajtur nga qeveria britanike, përballë krizës së përshkallëzuar të emigrantëve. Aktivistë të të drejtave të njeriut, politikanë dhe artistë marshuan në sheshin e Parlamentit, në solidaritet me të ardhurit. Disa nga protestuesit mbanin në duar pankarta të tilla si, “Hapni kufijtë” dhe “Me refugjatët kundër torëve”, një referencë e qartë për partinë e Kryeministrit David Cameron. Autoritetet daneze bllokuan ditë më parë rrugët e linjat hekurudhore për emigrantët, por mes njerëzve të thjeshtë, për ta ka mjaft mbështetje. 30 mijë vetë demonstruan në Kopengahen në favor të marrjes së mijëra refugjatëve, që kërkojnë një jetë më të mirë në Evropë. Sloganet e tyre ishin “Evropa është lagjja më e afërt me Sirinë” dhe “Mirë se vini refugjatë”. Për një politikë më bujare të qeverisë së tyre kundrejt refugjatëve u shprehën edhe mijëra tubues në Stokholm të Suedisë. Protesta pati edhe në kryeqytetin e Polonisë, Varshavë, vetëm se në një kontekts krejt ndryshe. Demonstrata e mijëra vetëve atje synoi të tregonte se, emigrantët në këtë vend janë të padëshiruar, e ilustruar më se qartë kjo edhe me parullat antiislame të lëshuara në çdo çast. Pati edhe një tubim paralel të grupeve në favor të mikpritjes për emigrantët, por numri i pjesëmarrësve atje ishte shumë herë më i ulët se ai i kundërshtarëve. “Unë jam këtu, sepse nuk pajtohem. Ne, që të gjithë nuk pajtohemi me islamizimin e Evropës dhe islamizimin e Polonisë”, – tha një demonstrues. E ngjashme ishte situata edhe në Sllovaki, ku pati marshime nga të dy kahet. Parullat e nacionalistëve ishin “Sllovakia për sllovakët” dhe “I thoni jo diktaturës së Evropës”. “Kam eksperiencën time me myslimanët dhe, e di mirë se, ata nuk janë njerëz që integrohen me lehtësi. Kudo shkojnë, lënë pas shkatërrim dhe nuk mendoj fare që janë emigrantë politikë; për mua ata janë thjesht emigrantë ekonomikë”, – tha një tjetër demonstrues. Mbështetësit e shohin ndryshe. “Jam këtu, sepse dua që Sllovakia të jetë më pranë Perëndimit. Duke marshuar nëpër qytet e duke bërtitur me të madhe ‘Heil’ nuk do të zgjidhim asgjë”, – tha një mbështetës i refugjatëve. Deri tani, vetëm përgjatë 2015-ës, në vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar azil plot 500 mijë vetë.

 

 

Masa kufizimi

Fluksi i emigrantëve, Berlini rivendosi kontrollet në kufirin me Austrinë

 

Gjermania do të vendosë kontrolle të përkohshme në kufirin e saj me Austrinë për t’i bërë ballë në këtë mënyrë fluksit të madh të emigrantëve. Ministri i Brendshëm, Thomas de Maiziere, deklaroi se nuk mund të zgjedhin refugjatët vendin e tyre mikpritës e i bëri thirrje shteteve të tjera të Bashkimit Evropian, të mos qëndrojnë indiferente, por të bëjnë më shumë. Sipas Thomas de Maiziere, edhe pse kontrollet do të fokusohen më së shumti tek Austria fqinje, qëllimi i Berlinit është që verifikimet, edhe pse përkohësisht, të shtrihen përgjatë gjithë kufijve të brendshëm të Bashkimit Evropian. Objektivi është i qartë, sqaroi ai, këto masa synojnë kufizimin e vërshimit të njerëzve drejt Gjermanisë dhe rikthimin e procedurave të rregullta të pranimit të të huajve në një vend. Edhe pse nuk shpjegoi në detaje sesi do të funksionojnë kontrollet në fjalë, ministri e bëri të qartë se ato mund të shkaktojnë deri diku probleme me shërbimet hekurudhore. Më herët, kompania austriake e hekurudhave pohoi se trenat nuk po lëvizin më drejt Gjermanisë. Ndërsa sipas BBC-së, e cila citon burime austriake, shërbimi hekurudhor mes dy shteteve është anuluar të paktën deri të hënën në mëngjes, ndërsa dy palët janë duke diskutuar mbi këtë çështje.
 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here