Superliga Shqiptare /Flamurtari bën paqe me Laçin, Partizani fiton me vështirësi ndaj Vllaznisë

0

 

Loading...

 

Vlonjatët dhe laçianët nuk arritën të gjenin portat përkatëse dhe u kënaqën me një pikë në fund të 90-minutëshit

 

Djemtë e Starovës arritën të fitonin në një ndeshje jo të lehtë ndaj shkodranëve, falë golave të Sukajt dhe Morinit

 

Jurges Veizaj

 

Dje janë mbyllur edhe dy ndeshjet e javës së tretë të Superligës Shqiptare. Në Vlorë luhej një sfidën interesante ku labët prisnin laçianët, ndërsa në stadiumin e Pukës u luajt sfida midis Vllaznisë dhe Partizanit, për shkak të rikonstruksioneve që po kryhen në “Loro Boriçi”. Flamurtari dhe Laçi ndanë nga një pikë në sfidën mes tyre të zhvilluar në stadiumin “Shkumbini” të Peqinit, ku nuk u shënua asnjë gol. Një rezultat që la të zhgënjyer ekipin vlonjat, që shpresonte të merrte fitoren e parë në kampionat, ndërsa Laçi koleksionoi barazimin e tretë në këtë fillimin sezoni në po kaq ndeshje. Në stolin e Flamurtarit nuk ishte i pranishëm për arsye shëndetësore trajneri Stanislav Levy, ndërsa në kampin laçian iu rikthye formacionit titullar portieri malazez Vujadinovic, i cili mungoi në ndeshjet e para të sezonit për arsye dëmtimi. Në stadiumin e Peqinit miqtë nga Laçi u shfaqën më kërkues në lojën e tyre, duke iu afruar ndjeshëm golit me Mitrajn, i cili në një pozicion mjaft të volitshëm farë pranë portës nuk arriti të finalizonte një asist të James. Kundërpërgjigjja e Flamurtarit erdhi 3 minuta më pas në zhvillimet e një goditjeje këndi, teksa tentativa e Kuqit u devijua me vështirësi nga Vujadinovic. Pas këtij momenti ritmi i lojës ra ndjeshëm, aq sa portierët Halilaj dhe Vujadinovic më shumë qëndruan në rolon e spektatorit. Pjesa e dytë nisi me një ndryshim të rëndësishëm për Laçin, me Arsid Krujën që u aktivizua në vend të Shetës, duke detyruar Sefgjinajn që të zhvendosej në mbrojtje. Edhe në fillim të pjesës së dytë Laci ishte më konkret në aksionet sulmuese. Në të 54-ën, James vë në vështirësi portierin Halilaj, por në aksionin pasardhës Artid Shehaj në mënyrë të pabesueshme nuk arrin të devijojë drejt portës një top të ardhur nga e djathta e sulmit. Një minutë më pas Greca e tepron me reagimin e tij ndaj gjyqtarit Pashaj, që mjaftohet vetëm me kartonin e verdhë. Flamurtari fiton më shumë besim dhe në të 59 goditja e Telushit u devijua në këndorë nga mbrojtja kurbinase. Edhe në minutën e 64 tentativa e mesfushorit vlonjat, pasi preku murin përfundoi në fundore. Në minutën e 80 në vend të Nexhipit u hodh në fushë Hair Zeqiri, që i dha një tjetër impuls lojës së kuqezinjve, por sërish mungon goli. Edhe tentativa e fundit e Telushit në kohën shtesë nuk e ndryshoi rezultatin, me të dyja skuadrat që morën atë që meritonin.

 

Partizani triumfon ndaj Vllaznisë

Partizani mes polemikave merr fitoren e radhës. Të kuqtë triumfuan 2-1 me Vllazninë në Pukë, me gjyqtarin kryesor Cjapi që ishte protagonisti kryesor i sfidës me vendimet e tij, aq sa në minutën e 43-të, lojtarët shkodranë kërcënuan dhe me braktisjen e ndeshjes. Skuadra e Zmijanit zhvilloi sfidën më të mirë në këto javë të para të Superiores por pa arritur të marrë një pikë përballë të kuqve, që fituan me një gol të italianit Morinit në fund përballë një Vllaznie me 10 vetë, që tregoi shumë karakter në fushë duke luajtur si e barabartë me Partizanin por duke dalë sërish në fund me zero pikë. Ndeshja në stadiumin “Ismail Xhemali” të Pukës nisi megjithatë me një futboll mjaft të mirë, me dy skuadrat që luajtën hapur, aq sa në fillim patën raste për të shënuar. Në të 8-ën, Dragojevic preku me dorë një top të kthyer mbrapa nga Hakaj dhe gjyqtari Cjapi akordoi një goditje dënimi brenda në zonë për të kuqtë. Sukaj ishte i pafat kur goditi traversën pas ekzekutimit të saj. Vllaznia reagoi në të 18-ën me libanezin, Kdouh por goditja e tij përfundoi jashtë. Partizani u përgjigj katër minuta më pas, me Sebino Plakun që nuk shfrytëzoi siç duhet një harkim të Kalarit. Të kuqtë shpërdoruan dhe në të 26-ën, kur Fazliu dha një pasim perfekt për Sukaj, por Polizoi Arbri largoi në momentin e fundit. Golin që nuk shënoi Partizani e realizoi Vllaznia, me Krymin që në të 29-ën goditi shtyllën, ndërsa më pas ndoqi aksionin duke paraprirë 6 fanella të kuqe në zonë, për të realizuar golin e epërsisë. Në të 30-ën, Kalari rrezikoi jo pak të ndëshkohej me të kuq, por Cjapi e fali duke i treguar vetëm të verdhën. Pak minuta më pas, Vllaznia pretendoi dhe për 11-metërsh por për Cjapin loja mund të vazhdonte. Momenti më i diskutueshëm megjithatë u regjistrua në të 43-ën, kur Cjapi akordoi një 11-metërsh për prekje të topit me dorë nga Arbri, duke e ndëshkuar dhe këtë të fundit me të kuq. Lojtarët shkodranë të irrituar me vendimin e kryesorit kërcënuan me braktisjen e ndeshjes, por pas një ndërprerje disaminutëshe u rikthyen në fushë. Një shkodran, si Sukaj mori përsipër ekzekutimin e penalltisë duke realizuar golin e 3-të në këtë kampionat. Partizani mund të kishte vajtur në pushim në epërsi, por Plaku në minutën e 8-të shtesë të pjesës humbi një tjetër mundësi të pastër. Në superioritet numerik Partizani kishte më shumë hapësira në pjesën e dytë. Në të 52-ën, Sukaj u ndal me vështirësi nga Dragojevic ndërsa 3 minuta më pas, goditja e sulmuesit të Partizanit kaloi ngjitur me shtyllën. Në të 67-ën, portën e kërkoi dhe Racic, por nuk e gjeti atë. 7 minuta më pas, sërish Racic nuk shtyu në rrjetë një harkim të Fejzullahut. Gjithsesi golin e fitores për të kuqtë do ta shënonte një italian, Morini, që i hedhur në fushë si zëvendësues shfrytëzoi një harkim të Mazrekajt për t’i dhënë fitoren e dytë në kampionat Partizanit, sërish me përmbysje dhe sërish mes polemikave, për shkak të vendimeve të gjyqtarit Cjapi.

 

 

 

Shkurte

 

Interes i madh për sfidën Skënderbeu-Beshiktash

 

Për Skënderbeun nis java evropiane. Kampionët e Shqipërisë kthejnë faqe, duke u fokusuar në një kompeticion që dhuron shumë prestigj, eksperiencë dhe shërben si një vitrinë për futbollistët e bardhekuqve, të cilët po marrin frytet e punës së gjatë që kulmoi këtë vit me kualifikimin për në fazën e grupeve të Europa League. Në Korçë entuziazmi është i madh dhe kjo vihet re në interesimin që kanë shfaqur jo vetëm mbështetësit e afërt të ekipit por edhe shumë shqiptarë për sfidën e së Enjtes përballë Beshiktashit. Turqit do të sfidojnë djemtë e Mirel Josës në një ndeshje luksi jo vetëm për Skënderbeun por për të gjithë futbollin shqiptar. “Elbasan Arena” do të përjetojë një tjetër mbrëmje në kapacitet të plotë pak ditë pas takimit eliminator kundër Portugalisë sepse ritmi i shitjes së biletave mbetet i lartë. Sipas faqes së klubit korçar në Facebook brenda 48 orëve janë shitur plot 4500 bileta. Gjatë ditëve të ardhshme, pritet i njëjti ritëm për të ruajtur tendencën e stadiumit plot për debutimin e “Ujqërve” në Europa League. Biletat mund të gjenden në Korçë përballë Kinemasë si dhe në Elbasan e Tiranë te pikat e shitjes në stadiumin “Elbasan Arena” dhe “Qemal Stafa”. Çmimet për tribunën kryesore variojnë nga 3-5 mijë lekë, ndërsa në tribunën VIP 8 mijë. Në tribunat F, D 6 qind lekë, ndërsa një biletë në tribunën E kushton 7 qind lekë.

 

 

Loading...
Ndaje
Artikulli i MeparshemVdekja e Zotit
Artikull tjeterPepe lavdëron Ronaldon

Lini nje pergjigje