Pepe lavdëron Ronaldon

0
145

 

 

Reali i Madridit arriti të fitonte si mysafir i Espaniolit dhe për këtë më meritori ishte Cristiano Ronaldo. Ylli portugez arriti të shënojë pesë gola dhe të asistojë te goli Karim Benzemas dhe kjo u komplimentua nga bashkëlojtari i tij, Pepe. “Përveç për Cristianon, jam i lumtur edhe për formën e mirë të ekipit. Por, kur ai është në ditën e tij, thjesht është e pamundur për kundërshtarët që ta ndalin. Keylor Navas? Ka bërë disa pritje të bukura, duke na shpëtuar disa herë nga goli. Është një portier i madh”, – ka thënë mbrojtësi portugez. “Los Blancos” momentalisht janë në vendin e dytë, me dy pikë me pak se Barcelona.

 

 

Tare: Lacio këtë sezon kërkon Championsin

 

Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare, është i bindur në sukseset e skuadrës së tij në sezonin e ri. Të kaltrit kanë krijuar një skuadër të re, me shumë lojtarë cilësorë dhe për këtë më meritori është ish-sulmuesi i kombëtares shqiptare. “Ne kemi bërë llogaritjet tona për këtë kampionat dhe atë me këmbë në tokë. Ne i dimë shanset tona dhe do të përpiqemi maksimalisht të përsërisim rezultatet e sezonit të kaluar. Duam të fitojmë përsëri për tifozët tanë, sepse kemi një ekip me potencial të madh. Liga e Kampionëve? Pse jo, nëse mundemi, është një ndjenjë e mirë kur luan në garat evropiane”, – ka thënë Tare.

 

 

Mourinho: Unë jam më i miri

 

Çelsi pësoi edhe humbjen e tretë këtë sezon, por kjo nuk e ka vënë aspak në presion trajnerin Jose Mourinho. I vetëshpalluri “Special One”, tani ka edhe një tjetër mesazh për të gjithë kritikuesit e tij. “Lojtarët meritojnë më shumë se ajo që po arrijnë të marrin në fushë. Çelsi ka lojtarë të fortë dhe unë mendoj se jam trajneri më i mirë për t’i arritur qëllimet e kësaj skuadre. Unë nuk ndihem nën presion, pasi këto thjesht janë rezultate jo të mira”, – ka thënë Mourinho për “BT Sport”. Momentalisht, londinezët gjenden në vendin e 17-të me vetëm dy pikë larg fundit të tabelës.

 

 

Van Gaal në bisedime për rinovim me Junajtidin

 

Louis van Gaal në këtë sezon ka arritur të tregojë futboll të mirë me Mançester Junajtidin dhe që tani raportohet se kanë filluar bisedimet për rinovimin. “Djajtë e Kuq” kanë mbledhur dhjetë pikë në pesë ndeshje dhe kështu renditen në vendin e dytë në Premier Ligë dhe kjo shikohet si një sukses i kënaqshëm në këtë fillim të sezonit. Sipas “Daily Star”, holandezit i është ofruar zgjatja e kontratës dhe së shpejti pritet që të dy palët të ulën në tavolinë. Me shumë mundësi kjo marrëveshje do të arrihet, pasi klubi anglez beson te sukseset e trajnerit 64-vjeçar edhe në garat evropiane.

 

 

Vermaelen dëmtohet përsëri

 

Mbrojtësi i Barcelonës, Thomas Vermaelen, ka pësuar një tjetër lëndim dhe nuk dihet se sa do të mungojë. Futbollisti belg u dëmtua në ndeshjen kundër Atletiko Madridit dhe u desh ta lëshonte fushën para kohe. Ai luajti vetëm 27 minuta në “Vicente Calderon” dhe u detyrua të largohej për shkak të një dëmtimi në pulpë. Vermaelen u transferua në “Camp Nou” në fillim të sezonit të kaluar nga Arsenali, mirëpo gjatë gjithë sezonit ishte i lënduar. Ai sapo riktheu kondicionin dhe formën e tij në këtë edicion, mirëpo duket se fati nuk është në anën e tij.

 

 

Rooney nuk luan ndaj PSV-së

 

Sulmuesi i Mançester Junajtidit, Wayne Rooney, ka gjasa të mëdha që të mungojë në ndeshjen e Ligës së Kampioneve kundër PSV Eindhovenit. Anglezi nuk luajti në derbin ndaj Liverpulit, pasi ishte dëmtuar në stërvitje dhe Louis van Gaal ka pranuar se kapiteni mund të mos udhëtojë për në Holandë. “Ai është i lënduar, prandaj duhet të kujdesemi për të. Mendoj se është shumë e rëndësishme që të mos rrezikojmë, për këtë arsye nuk luajti ndaj Liverpulit. Nuk mendoj se do të luajë ndaj PSV Eindhovenit, por ndoshta do të luajë kundër Sauthemptonit. Sidoqoftë duhet të presim dhe të shohim nëse mund të luajë ndaj PSV-së, sepse akoma na kanë mbetur edhe disa ditë”, – ka deklaruar trajneri për “MUTV”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here