Njeriu!? I ziu  

0
189

 

 

Nga dr. Ndriçim MehmetiDr. Ndriçim Mehmeti

Një njeri vret veten në pamundësi për të paguar borxhet, barinjtë nuk dinë gjë për kasën fiskale, një deputet shtie para komisariatit, por errësira nuk i lë policët të kryejnë punën e tyre. Miliona euro të padeklaruara nga njeriu-deputet në Shqipëri, mijëra njerëz të tjerë, që nuk kanë të veshin mbathin, blejnë librat e reja, në kërkim të një ndonjë dhuruesi, “të dhembshur” me postin kryetar bashkie. Ca mijëra njerëz në udhët e emigrimit, pavarësisht “parajsës në vendin e tyre” dhe thirrjeve të herë pas hershme të qeverisë gjermane.

Njeriu!? I ziu. Përpiqet të studiojë, të marrë nota të mira, jo thjesht për të qenë i pari i klasës, por për të siguruar një avantazh ndaj rivalëve. Mendon se duke mbaruar shkollë të lartë në demokracia, meritokracia dhe jo sh…………., do të sundojnë. Mbaron shkollën me nota të mira, nuk e falënderon asnjë, merr dosjen dhe shkon të pyes, por vende s’ka. Për dy javë takon shokët që kishte ndihmuar për të marrë një pesë dhe ata kanë marrë një emërim. Jo shumë prej aftësive të tyre, sesa aftësisë për t’ju përshtatur shumë mirë koniunkturës politike. Më pas i hyn studimeve të tjera, duke menduar se mbase bëhet më i aftë dhe i merr të gjitha provimet me notën 10, por këto nuk pinë shumë ujë. Edhe pse merr doktoraturën vështirë se gjen dikë ta përkrah, port ka fatin që është strehuar në një punë shteti. Me shërbimin që bën mendon se njeriu-femër-mashkull-ministre a ministër, do të vejë dorën në zemër e do të mendojë si për vete, për t’i dhënë mundësinë të ushqej familjen me rrogën më se normale të shtetit. Njeriu!? I ziu. Sa shumë gabon. Vonë shumë vonë e mendon qoftë në një çast të vetëm, se ku gabuar? A do të ishte më mirë të kishte vjedhur, të ishte zhytur në gotën e rakisë, në shalët e femrave që ja siguronte pushteti, në maskarallëqet e tenderëve, favoreve, në netët e darkave të shtruara me shumë bujari nga servilët që i thoshin shef. A nuk ishte kaq e pëlqyeshme fjala shef, që dilte prej gojës së palarë të njerëzve që nuk mësuan asnjëherë të vishen dhe binin erë në dimër e behar? Padyshim që po. Shef ishe dikush, shefi i kishte në dorë të gjithë, i buzëqeshin të gjithë, përgjonin se kur do të shkonte në kafe e t’i paguanin tinëz gjithë tavolinën. Nuk kishte fare rëndësi nëse shefi ju thoshte ose jo faleminderit. Mjafton që shefi ta shënonte emrin në defter të oficerëve të vegjël a të gjatë, në trup e shpirt.

A nuk duhej më mirë t’i futesh politikës o i ziu Njeri? Pa dyshim. Të jep menjëherë diplomën e juristit. Në mos në komisionin e sigurisë ke vend në atë të ekonomisë. Mund të zgjedhësh fare mirë të bësh pjesë në grupin e deputetëve të miqësisë, Australi-Shqipëri, Shqipëri-Kinë (me ShBA, natyrisht duhet ta mendosh mirë) e kështu me radhë. Të jesh deputet, mund të përdorësh një arsenal të tërë armësh: Të ftohta, nxehta, mediat, kërcënimin, grushtet, rripin e mesit, këpucët e shtrenjta, I-PAD e IPHONE. Të gjitha këto i siguron deputeti me pushtet. Po u desh edhe kanabis, heroinë apo kokainë e padyshim lëndë plasëse të çdo lloji, në varësi të punës që do të kryesh. E përse të mos i bëj të gjitha këto në fund të fundit njeriu-deputet? Makinën nuk ja kontrollon kush, të gjithë e kanë frikë, nuk ja mban kujt t’i përmend emrin në televizor e jo më t’i afrohet. Po njeriu, i thjeshti që e ka në krye të sofrës për të zgjidhur punët e tij, çfarë mendon? Asgjë. Me stomakun bosh, me sytë nga dera se dikush mund të trokas për ta ndihmuar, me fëmijët e zbathur që kënaqen me lodrat e gjetura në kazanët e plehrave, paçka se kukulla është pa një këmbë e makina pa rrota, me gruan që rrëmon në gjithë shtëpinë për pak fasule apo ndonjë kokërr patate, vështirë se e mban mend për kë votojë për herë të fundit. Kjo për njeriun-kryeministër, ministër, deputet, drejtor-shef, përgjegjës-kapo, specialist servil, është gjëja më e mirë. Njeriu!? I ziu nuk ankohet. Më mirë ja heq vetes se t’i prish qejfin qeverisë.

Njeriu më i kulturuar intelektuali i ditëve tona, është në udhëkryqin më të madh të jetës. Ai ankohet, por nuk e di nëse e dëgjon kush, ai thërret, por zëri i tij pengohet nga murre të pa përcjellshëm, ai shkruan por pak e lexojnë ai flet në televizion, por nën zë dëgjon “Hë mo se e hoqën nga puna, prandaj bën kështu”. I lodhur dhe i varfëruar në shpirt e në qese, drejtohet tek shumë kush për një punë, të cilën mendon se e meriton. Diku i përplasin derën, në vende të tjera i thonë se “do ta gjesh veten shpejt por jo tek unë”, të tjerë që nuk kursejnë komplimentet e i kanë si mundësi të kalojnë radhën “i shprehen se është djalë i mirë por nuk mund të bëjnë gjë”. Edhe po i vajti mendja se diku ka një konkurs që duhet ta shfrytëzojë sepse do ta gjykojnë akademikët, del i zhgënjyer pas një mali me letra të dorëzuar e noterizuara. Njeriu!? I ziu. Ç’mund t’i rezervojë fati më shumë në këtë vend. Asnjë surprizë, veç luftës së heshtur rraskapitëse e pa shpresë për mbijetesë. Është e vështirë të mendoj se një ditë fati do t’i buzëqesh vetëm po të jetë deputet. Do të rrijë i strukur në folenë e tij si zogu që pret të nisë një fluturim, që ndoshta nuk të nis asnjëherë.

E përse i gjithë ky trishtim, o njeri. Mbase vjen një kohë, një moment që vendi ku jeton të japi më shumë për këdo që meriton. Deri atëherë, kërko, se ndoshta gjen mundësi e forcë të ringrihesh përsëri. Gjen mundësi që dikush të dëgjojë, të kuptojë e pse jo të dojë edhe mendimin tënd. Ndaj mos u kurse që të japësh atë që mendon pavarësisht se dikujt nuk i pëlqen. Të përqafosh të vërtetën, që të mundon sesa është e tillë, të luftosh me veten të jesh apo jo i ndershëm, apo të jetosh duke futur dorën në xhepin e të tjerëve. Fukara më shumë se ç’je nuk bëhesh, i pasur me duart në xhepin e të tjerëve nuk bëhesh. Bëhu njeri që ta meritosh këtë fjalë deri në shoqërinë ku bën pjesë, e të mos të të vijë turp nga askush.

Njeriu!? I ziu. Në udhëkryq i futur, veten do të udhëheq.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here