SHBA shqyrton format e ndihmës për refugjatët sirianë, Kerry: E pamundur mos prekesh

0
124

 

john kerry

Sekretari i Shtetit John Kerry thotë se administrata e Presidentit Obama është e angazhuar për të rritur numrin e refugjatëve që mund të sistemojnë Shtetet e Bashkuara dhe po analizon numrin që mund të përballojë vendi. Ai i bëri komentet pas një takimi me ligjvënësit të mërkurën ku u diskutua plani i propozuar për sistemimin e refugjatëve gjatë vitit të ardhshëm fiskal si dhe kriza e emigrantëve në Evropë dhe Siri. Ndërkohë që vala e refugjatëve nga Afrika dhe Azia vazhdon drejt Evropës, Shtetet e Bashkuara po analizojnë mundësinë e kontributit të tyre në përgjigje të krizës humanitare. Të gjithë e kuptojnë sa urgjente dhe kritike është kjo situatë, thotë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit John Kirby: “Është e pamundur të shohësh pamjet televizive apo fotografitë dhe të mos prekesh nga ato që po ndodhin”. Departamenti i Shtetit thotë se Sekretari Kerry ka propozuar shtimin e numrit të refugjatëve që mund të pranohen në Shtetet e Bashkuara përtej kufirit prej 70 mijë vetësh. Reagimi i Shteteve të Bashkuara nuk ka evoluar me të njëjtat ritme që është shkallëzuar kriza në Evropë dhe Lindjen e Mesme, thotë Kathleen Newland e cila foli përmes Skype-it:“Nëse do ta rrisnim numrin deri në 100 mijë në vit, shumë lehtë mund të pranojmë 35-40 mijë sirianë”.Kombet e Bashkuara kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera perëndimore të pranojnë 130 mijë sirianë brenda këtij viti.

Shtetet e Bashkuara kanë kontribuuar deri tani 4 miliardë dollarë ndihma për sirianët e prekur nga lufta civile dhe janë zotuar ta rrisin numrin e sirianëve që pranohen në Shtetet e Bashkuara në 1800 brenda këtij muaji. Por Senatori republikan John McCain identifikon pasivitetin e administratës Obama në përgjigje të trazirave në Siri si një ndër faktorët që çuan në krizën e refugjatëve: “Kjo krizë nuk lindi nga hiçi, siç shkaktohen tërmetet apo tornadot. Ky ishte një rezultat i parashikueshëm i politikave të administratës që Amerika të ndjekë rol dytësor në skenën ndërkombëtare”. Senatori republikan Lindsey Graham thotë se Shtetet e Bashkuara duhet të pranojnë një pjesë të refugjatëve dhe të bëjnë më shumë për të ndihmuar sirianët: “Nëse bëhem president, vëmendja nuk do të jetë tek pranimi i refugjatëve, por tek shkaqet që i detyrojnë të largohen. Ideja është që ata të kthehen në vendin e tyre me shpresë”. Shtetet e Bashkuara po analizojnë disa mënyra për të ndihmuar refugjatët. Departamenti i Shtetit thotë se synimi kryesor është të krijohet një klimë që do t’u jepte mundësi refugjatëve sirianë të rikthehen në atdhe.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here