Kadare i shkruan “standard” / Ju shpjegoj të vërtetën time për Kutelin në betejën e Stalingradit

0
139

 

mitrush kuteli

 

Violeta Murati

Shkrimtari Ismail Kadare ka reaguar, dje, ndaj çështjes së hapur në gazetën “Standard” nëse ka qenë Mitrush Kuteli pjesëmarrës në betejën e Stalingradit. Ai ka një përgjigje: «Paskon gjithashtu po e shikoja për herë të parë. Ishte, pa dyshim, shkrimtari që zgjonte kureshtjen kryesore pas Lasgush Poradecit. Ishte i heshtur, por ndryshe nga Greblleshi kishte bërë një a dy vite burg, madje shumë njerëz mendonin se do të hynte përsëri, por kjo, në vend t’ia shtonte druajtjen, për çudi, ia hiqte. Kjo vinte ndoshta nga që si pas një pëshpërime jo fort të besueshme, kishte gjasë që Pasko ishte i vetmi shkrimtar, jo vetëm në Shqipëri, por në krejt kampin socialist, për të mos thënë në krejt botën, që duke qenë oficer në luftën e Stalingradit, në anën e gjermanëve, ishte kthyer shëndoshë e mirë!» (Marrë nga I. Kadare, “Mëngjeset në Kafe Rostand”, Onufri, Tiranë, 2014, f. 82) Kjo është pjesë e fragmentit të shkëputur për të cilën trashëgimtarët e Kutelit kanë shkruar edhe në parathënien e librit “Netë moldave”, se Kadare ka pasaktësi. Siç duket nga fragmenti i librit të Kadaresë, një kërkesë e shkrimtarit që mbërriti në redaksinë “Standard” për të botuar, gjithnjë flitet me pandehma, se kjo është një pëshpërime jo e besueshme.

Mbi këtë çështje kjo është përgjigjja e drejtpërdrejtë dhe e vetme që jep Kadare, si të vetmin version duke mos kaluar në interpretime të tjera.

Një botim i vogël, fjala për “Netë moldave”, me tregime e shënime, por aty ngrihet një nga debatet më të mëdha, çfarë lidhet me heshtjen e Kutelit në diktaturë. Një shkrimtar i përmasave të jashtëzakonshme të rrëfimit, por edhe mjeshtër i papërsëritshëm në përkthime, për të cilin ende nuk ka një monografi të plotë mbi jetën dhe veprimtarinë e tij. Ndërsa, nuk dihet saktësisht pse u dënua Kuteli; tezat hidhen midis Kosovës dhe përfshirjes së tij, angazhimit në luftë përkrah forcave gjermane, madje me zëra se u bë pjesë e “Rojës së hekurt”. Me një histori të hershme, kjo vjen e zbardhur vetëm pas 25 vitesh nga familjarët.

Pas çlirimit dënohet me dy vite burg, por shkrimtarë të rëndësishëm, zyrtarë të kohës, por edhe sot, shkruajnë të pasigurtë në bëri një apo dy vjet burg?! Kuteli heshti dhe u mor vetëm me përkthime në diktaturë, iu ndalua botimi! Ai u fshi nga lista e shkrimtarëve, ashtu si shumë të tjerëve pas `45-ës.

Trashëgimtarët për herë të parë ndalen në këto momente, duke dhënë versionin e tyre mbi këto ngjarje të jetës së shkrimtarit. Atalanta, Doruntina dhe Pandeli Pasko në librin “Netë moldave” japin në parathënie e tij dëshminë e tyre, çfarë ka ndodhur me “njollën e errët” kur Kutelit iu edha akuza si “armik i popullit” dhe u dënua “për agjitacion e propagandë”, ndërsa ngrihen nën zë akuza politike, mirëfilli.

Personazhi që i adresohen drejtpërdrejt është shkrimtari Ismail Kadare, të cilin e rëndojnë me akuzën se ka thënë të pavërteta për jetën e Kutelit, të lidhura me momentet që kanë vendosur fatin e tij në diktaturë. Arsyeja pse janë përgjigjur tani, në një libër për të atin, si duket kanë ngacmimin, si shkak, nga dy botime: eseistika “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, si dhe libri i fundit i Kadaresë, “Mëngjeset në kafe Rostand”, me pretendimin se edhe pas diktaturës ky shkrimtar ka bërë të njëjtat “gabime”, si shkrimtarët zyrtarë të kohës, duke mos saktësuar të dhënat mbi jetën e Kutelit, që i kushtoi ndalimin e së drejtës së botimit.

 

Riaktivizimi i “mobilizimit”, raporti me Kadarenë

 

Trashëgimtarët e Kutelit e quajnë “fantazma e mobilizimit” atë që, sipas tyre, pësoi dhe e përndoqi gjithë jetën shkrimtarin. Tani historia ka të bëjë me përfshirjen e shkrimtarit Ismail Kadare në “ngjarjet e jetës së Kutelit”, që në parathënien e “Netë moldave”, shënohet se situata ishte e njëjtë si në fillimvitet `50. Këtu trashëgimtarët i referohen parathënies së botimit frëngjisht të prozës së Migjenit me autor Kadarenë, që pas dy viteve erdhi edhe në shqip, me titullin “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”. Çfarë i shqetëson trashëgimtarët është fakti se Kadare, në parathënien e tij, përmend Kuteli pa treguar kujdes për detajet e jetës së tij dhe se “ia tregon këto lexuesit si një legjendë urbane, me shumë pandehma, përsëritje thashethemesh të dëgjuara andej këtej e fantazi, pothuaj sikur Kuteli të ishte një personazh i krijuar dhe jo një njeri real, që kishte bërë jetën e vet, me veprime të ndërgjegjshme dhe me pësimet e veta”.

Është shumë i ashpër ky reagim, kur familjarët thonë më tej se Kadare në trajtimin e tij nuk ndryshonte nga “qëndrimi zyrtar i asaj kohe ndaj “problemeve” me biografitë e personaliteteve, të pranuar në vijë të përgjithshme si “pozitivë””.

Botimin për herë të parë më `88-`90 të serisë me pesë vëllime të veprës së Kutelit për familjarët ishte shenja e parë, e qartë, e rehabilitimit të shkrimtarit. Trashëgimtarët thonë se në këtë rast kanë qarkulluar në disa rrethe zyrtare disa shkrime autobiografike të Kutelit.

Për ta mori fund përndjekja me dëshminë e penalitetit të babait të tyre, ku shkruhej: “dënuar si armik i popullit me pesë vjet heqje lirie”, ku nuk llogariteshin dhe as lehtësonte situatën e tyre tri vitet e faljes së dënimit.

Më `84 Kuteli ishte përfshirë në “Anthologie de la prose albanaise”, dhe jo pa qëllim përmendet në parathënie se një nga shkrimtarët e njohur francezë, Pierre Gamarra, i pati dhënë vlerësime të jashtëzakonshme mbi rrëfenjën “Vjeshta e Xheladin Beut”. Por këto komente familjarët thonë se ishin hequr në botimin shqip të këtij vështrimi duke e konsideruar si “dëshmi për rezervat e disa qarqeve letrare të Tiranës ndaj Kutelit”. Ndërsa serinë me pesë vëllime e pati prezantuar në një analizë Nasho Jorgaqi, për të cilin familjarët japin rezerva se ndiqte formulën zyrtare të jetëshkrimeve që “pastroheshin” nga episode “me problem”, duke mos përmendur as mobilizimin në Rumani dhe as burgosjen në Shqipëri.

Familjarët tregojnë se ishte bërë kërkesa për t’i pasqyruar këto faqe të jetës së Kutelit, përderisa në vende të tjera janë shkruar “me fantazi dhe pasaktësi”, këtu në serinë e vëllimeve ishte vendosur të mos përfshiheshin duke lënë jashtë çdo gjë që lidhej me këto tema, si dhe Kosovën. Familjarët tregojnë se ndonëse me këto zhvillime, libri i Kadaresë “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe” ishte gati për t’u botuar në frëngjisht, për të cilën të tre familjarët, Atalanta, Doruntina dhe Pandeliu, sjellin dëshmitë e tyre dhe zbardhin raportin e fundit të Kadaresë me Kutelin, duke reaguar me dëshmi personale, për herë të parë në “Netë moldave”. Ndërsa dje, Kadare ka reaguar për “Standard” duke na dhënë një përgjigje të vetme mbi gjithë këtë situatë, të njëjtin fragment nga libri i tij, “Mëngjeset në Kafe Rostand”, me fjalën se e gjitha është një pandehme jo fort e besueshme. Trashëgimtarët nuk besojmë se presin këtë përgjigje, duke lënë në dorë të lexuesit librin me versionin e tyre mbi keqinformimin, se Kuteli nuk ka qenë në betejën e Stalingradit.

 

 

Box gri

 

Kërkesa për “Standard”, Kadare përgjigjet

 

Si përgjigje ndaj disa shkrimeve në trajtë debati, botuar në gazetën “Standard”, lidhur me pandehmën e pjesëmarrjes apo jo të shkrimtarit Dhimitër Pasko në betejën e Stalingradit, shkrimtari Ismail Kadare, emri i të cilit është përmendur në këto shkrime, i ka bërë një kërkesë gazetës sonë, për të botuar tekstin e tij, lidhur me këtë çështje, marrë nga libri i tij “Mëngjeset në Kafe Rostand”.

Mbi këtë tekst bazohet gjithë dezinformacioni për çështjen e mësipërme.

«Paskon gjithashtu po e shikoja për herë të parë. Ishte, padyshim, shkrimtari që zgjonte kureshtjen kryesore pas Lasgush Poradecit. Ishte i heshtur, por ndryshe nga Greblleshi kishte bërë një a dy vite burg, madje shumë njerëz mendonin se do të hynte përsëri, por kjo, në vend t’ia shtonte druajtjen, për çudi, ia hiqte. Kjo vinte ndoshta nga që si pas një pëshpërime jo fort të besueshme, kishte gjasë që Pasko ishte i vetmi shkrimtar, jo vetëm në Shqipëri, por në krejt kampin socialist, për të mos thënë në krejt botën, që duke qenë oficer në luftën e Stalingradit, në anën e gjermanëve, ishte kthyer shëndoshë e mirë!» (Marrë nga I. Kadare, “Mëngjeset në Kafe Rostand”, Onufri, Tiranë, 2014, f. 82)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here