Historia e Shqipërisë Pashallëku i Beratit Ahmet Kurt Pasha, pse e vrau Shën Kozmain?!

0
716

 

 

download

Administrativisht Berati me rrethin e tij të afërt vazhdonte të ishte kaza dhe bënte pjesë në sanxhakun e Vlorës. Por si kaza dhe veçanërisht si qytet u jepte të ardhura konsiderueshme sundimtarëve të vendit. Veç kësaj, si qendra kryesore ekonomike e Shqipërisë së Jugut, Berati ushtronte një ndikim të madh edhe në krahinat e tjera fqinje. Vlora, qendra e sanxhakut, nuk ishte veçse një skelë e Beratit. Prandaj mytesarifët e sanxhakut të Vlorës preferonin të banonin më tepër në Berat se në Vlorë.

Rreth mesit të shek. XVIII, postin e mytesarifit të sanxhakut e mori Ismail Pashë Velabishti, i cili qëndronte në Berat. Në Vlorë sundonin feudalët Vloraj të cilët, duke pasur pozita forta, nuk e njohën autoritetin e mytesarifit të ri dhe formuan një pashallëk më vete. Ismail Pashë Velabishti, i njohur edhe si autor poezish erotike e filozofike shqipe të shkruara me alfabetin arab, ishte një feudal zullumqar. Sapo e ndjeu veten të fortë, ai u përgatit të nënshtronte Vlorën dhe t’u merrte sundimtarëve të saj pushtetin dhe të ardhurat që ata vilnin. Më 1763 e sulmoi Vlorën dhe, pasi vrau sundimtarin e saj, e pushtoi qytetin, por nuk e mbajti dot. Vitin tjetër ai e sulmoi përsëri por këtë radhë u vra brenda në qytet. Sundimin e Beratit e mori derven-pasha i Toskërisë dhe i Epirit, Ahmet Kurt Pasha.

Ahmet Kurt Pasha, një feudal mjaft energjik, kishte ambicien të krijonte një pashallëk të madh që të përfshinte Shqipërinë qendrore dhe jugore. Në vitin 1764, kur ai u vendos në Berat, gjithë Shqipëria ishte copëtuar në një numër të madh pashallëqesh, sundimtar. Nga këta, sundimtarët më të fuqishëm ishin ata të Vlorës, Delvinës, dhe Shkodrës dhe Ohrit.

Sapo u vendos në Berat, Ahmet Kurt Pasha u përgatit të nënshtronte pashallëqet fqinje me anën e fushatave ushtarake Forcat e tij të armatosura përbëheshin kryesisht nga reparte e dervenëve të organizuara prej tij si derven-pasha Si gjithë repartet e feudalëve të tjerë edhe ato të Kurt Pashës mbaheshin me rrogë. Shumat e mëdha që i nevojiteshin, ky i nxirrte kryesisht nga banorët e qytetit dhe të rrethit të Beratit, Ahmet Kurt Pasha mori pjesë vetë në veprimtarinë e tregtarëve të Beratit dhe, diku me kapitale diku me presion, u bë ortak me të duke marrë nga fitimet e korrura pjesën e luanit. Ky ngriti në Berat sarajet e veta që ishin nga sarajet më të bukura të Shqipërisë, këto u ndërtuan në pjesën më të madhe me punë të detyruar të fshatarëve të Myzeqesë. Gurët e sarajeve u bartën me angari që nga qyteti antik i Apolonisë, 60 kilometra larg Beratit. Ahmet Kurti përkrahu hapjen e shkollave, në fakt vetëm të shkollave turqishte dhe greqishte. Ky e lejoi murgun grek Kozma, të njohur në traditën popullore me emrin Shën-Kozmaj, të ushtronte në viset e pashallëkut veprimtarinë e vet fetare dhe arsimore, me shpresë se ky agjitator i flakët i krishterë, do të popullarizonte emrin e Ahmet Kurt Pashës si mbrojtës të popullsisë ortodokse. Për këtë qëllim Ahmet Kurti përkrahu, ndonjëherë edhe subvencionoi ndërtimin e ndonjë kishe. Por më vonë, kur u bind se agjitacioni i Kozmait nuk dha rezultatin e dëshiruar dhe kur pa se shëtitjet e tij misionare nëpër fshatra shkaktuan reaksionin, e klerit mysliman, e vrau atë.

Në marrëdhëniet me Stambollin, Ahmet Kurt Pasha ndoqi që në fillim edhe deri në fund politikën e bindjes së plotë. Ndryshe nga sundimtarët e Shkodrës e të Delvinës, të cilët edhe kur i respektonin marrëdhëniet e vartësisë nga Porta e Lartë nuk fshihnin synimet e tyre për t’u shkëputur nga kjo vartësi, Ahmet Kurt Pasha sundoi vazhdimisht si një mytesarif i sulltanit. Ai ndërmori ekspedita përherë me autorizimin e Stambollit, i cili i dha lejen kur ato drejtoheshin kundër sundimtarëve të dyshimtë. Ahmet Kurt Pasha lojti me këtë politikë rolin e një vegle të bindur të sulltanit.

Me një qëndrim të tillë, Ahmet Kurt Pasha nuk mund të siguronte një mbështetje të fortë politike në popullsinë e Shqipërisë. Përkundrazi ai shkaktoi armiqësinë e tyre. Feudalët vegjël, zejtarët dhe tregtarët e pashallëqeve fqinje kur u rrezikuan të nënshtroheshin prej tij, kërkuan ndihmën e sundimtarëve të Shkodrës ose të Delvinës dhe preferuan më tepër të hynin nën autoritetin e tyre, se sa në atë të pashait të Beratit.

Për këto arsye, përpjekjet e Ahmet Kurt Pashës për të shtrirë kufijtë e pashallëkut, nuk patën sukses. Ky nuk mundi të nënshtronte as pashallëkun e Vlorës, me sundimtarin e të cilit, Ibrahim Pashën, u grind për një kohë të gjatë. Nuk pati sukses as në përpjekjet e tij për të thyer sundimtarin e Delvinës, Kapllan Pashën, kundër të cilit luftoi me urdhër të sulltanit, pasi ky nuk kishte pranuar të merrte pjesë në frontin gjatë luftës ruso-turke (1768-1774). Kurti synoi të nënshtronte Tiranën. Por edhe këtu pësoi disfatë nga qytetarët tiranas, të cilët luftuan trimërisht kundër ushtrive të tij. Me Bushatllinjtë e Shkodrës ai zhvilloi kohë më kohë luftime të ashpra, por as këtu nuk pati sukses. Këto lufta ai i vazhdoi deri sa vdiq më 1787. Me vdekjen e tij, Berati ra në duart e Ibrahim Pashë Vlorës.

 

Forcimi i Pashallëqeve

Me shthurjen e sistemit feudal-ushtarak dhe dobësimin e pushtetit qendror turk u shthur edhe administrata shtetërore e perandorisë. Kjo u dha rast feudalëve të fuqishëm shqiptarë, sikurse edhe feudaleve të mëdhenj të provincave të tjera të Turqisë të shpërdoronin ofiqet e larta që zinin në administratë, për t’u fuqizuar ekonomikisht dhe politikisht.

Një mjet për pasurimin e tyre ishte gjithmonë sipërmarrja e taksave. Në Shqipëri, sipërmarrës për mbledhjen e taksave shtetërore të sanxhaqeve ose të kazave bëheshin zakonisht vetë mytesarifët ose myteselimët e tyre. Këta përpiqeshin të nxirrnin nga popullsia vendëse me anën e dhunës sa më tepër taksa duke siguruar për vete fitime të mëdha. Për të ushtruar funksionet e tyre dhe për të grumbulluar më me lehtësi taksat që merrnin pothuajse çdo vit në iltizam, mytesarifët dhe myteselimët mbanin tani pranë vehtes një aparat nëpunësish dhe një ushtri personale mercenarësh. Me forcimin e pozitave të tyre feudalët e mëdhenj filluan jo vetëm të nxirrnin nga fshatarët të ardhura sa më të mëdha, por edhe të përvetësonin shumën e taksave që i takonin Stambollit. Shteti turk, duke qenë në vështirësi të madhe financiare, nuk i lejonte këta feudale të përvehtësonin të ardhurat që i takonin thesarit perandorak, dhe bile i lakmonte për vehte pasuritë e mëdha që ata kishin grumbulluar. Në këto kushte lindën kontradikta të ashpëra midis feudalëve të mëdhenj shqiptarë dhe pushtetit qendror otoman.

Në pjesën e parë të shek. XVIII këto kontradikta u thelluan edhe më tepër. Sulltanët morën kundër qeveritarëve të pabindur masa të ndryshme, sipas rastit, duke i shkarkuar nga postet administrative që zinin, ose duke i transferuar nga njeri sanxhak në tjetrin. Kur patën mundësi sulltanët i shpallën këta qeveritarë “fermanli” dhe organizuan kundër tyre ekspedita ushtarake. Por, kur e ndjenin veten të dobët ose kur ishin të zënë me luftë kundër shteteve të huaja, përpiqeshin të mos i acaronin marrëdhëniet e tyre me feudalët e mëdhenj të Shqipërisë. Nga ana e tyre shumë qeveritarë feudalë shqiptarë, duke e parë pushtetin turk të dobët, filluan të mos i përfillnin më fermanët e sulltanit dhe të mos u trembeshin kërcënimeve të Stambollit. Megjithatë, në këtë periudhë, ata nuk mendonin asnjëherë të shkëputeshin nga Turqia. Ata kishin gjithnjë nevojë për pushtetin perandorak turk, kishin nevojë të përdornin autoritetin e sulltanit për të mbrojtur interesat e veta.

Në këtë mënyrë gjatë gjysmës së parë të shek. XVIII filloi të ndryshonte raporti i forcave që ekzistonte më parë kur feudalët spahinj të Shqipërisë ishin krejtësisht të varur nga sulltani. Tani disa nga qeveritarët e mëdhenj feudalë u bënë shumë të fuqishëm dhe filluan të ndjenin veten më pak të varur nga Stambolli. Këta sundonin si mytesarifë ose myteselimë duke u mbështetur më tepër në fuqinë e vet ekomomike, politike dhe ushtarake se sa në pushtetin qendror otoman, dalëngadalë po pushonin së qeni funksionarë të Stambollit dhe po ktheheshin në qeveritarë gjysmë-autonomë. Që nga kjo kohë ndarja administrative shtetërore u përmbys. Sanxhaqet u coptuan në zotërime të vogla e të mëdha. Këto zotërime feudale gjysma autonome u quajtën pashallëqe.

Pashallëku përfshinte sipas fuqisë së qeveritarit feudal territorin e një, dy a më tepër kazave, nga ndonjëherë krejt territorin një sanxhaku, bile edhe më tepër, nën sundimin e një qeveritari feudal, i cili zakonisht kishte fituar që më parë titullin e pashës. Në çerekun e dytë të shek. XVIII, kur Turqia ishte zënë me luftërat kundër Persisë, Austrisë, Rusisë, u formuan në Shqipëri pashallëqet e Shkodrës, Delvinës, Vlorës, Elbasanit, Kavajës, Çamërisë etj.

Sundimtarët e këtyre pashallëqeve vazhdonin të mbanin gjithnjë titullin e mytesarifit ose to myteselimit dhe qeverisnin formalisht në emër të sulltanit. Këta i zbatonin rregullisht urdhrat e qeverisë qendrore, kur këto nuk cenonin interesat e ngushta personale. Kur interesat e tyre prekeshin, atëherë sundimtarët e pashallëqeve nuk i vinin në zbatim duke gjetur pretekste të ndryshme. Dhe, ndërsa nga njëra anë i bënin sulltanit deklarata besnikërie dhe përunjësie, nga ana tjetër, përpiqeshin të forconin autoritetin e vet në territoret e sanxhakut-pashallëk ose të kazasë, pashallëk, duke i kthyer në vasalë feudalët e tjerë dhe veçanërisht spahinjtë e pashallëkut. Në disa raste sundimtari i një kazaje u bë aq i fuqishëm, sa futi nën vartësinë e vet edhe vetë mytesarifin e sanxhakut. Familjet feudale që sunduan në këto pashallëqe u kthyen dalëngadalë në një farë aristokracie feudale shqiptare. Për t’u dalluar nga masa e feudalëve të vegjël, familjet e mëdha feudale u quajtën oxhaqe. Në disa raste oxhaqet feudale e filluan veprimtarinë e tyre si pronarë të mëdhenj çifligjesh dhe pastaj kaluan si sundimtarë pashallëqesh. Të tillë, qenë për shembull, oxhaqet e Begollajve në Pejë, bixhakçinjve në Elbasan, Vlorajve në Vlorë. Por në raste të tjera ndodhi e kundërta. Mjaft familje feudale siguruan me mjete të ndryshme më parë sundimin e një sanxhaku ose kazaje dhe pastaj duke shpërdoruar ofiqet administrative, grumbulluan prona të mëdha çifligare. Por në të dy rastet, formimi i pashallëqeve ishte i lidhur me procesin e zgjerimit të pronës çifligare dhe me tendencën e shtimit përherë e më të madh të të ardhurave të feudalëve. Me krijimin e oxhaqeve feudale shqiptare u përmbys hierarkia feudale-ushtarake dhe u minua pushteti i centralizuar turk në Shqipëri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here